26 vjet nga Revolta në Stadiumin e Kavajës

26 vjet nga Revolta në Stadiumin e Kavajës

(25 mars 1990)

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe Bashkimit të dy Gjermanive ishte e qartë për këdo se sistemi komunist kishte falimentuar dhe përfundimisht dhe transformimet demokratike filluan në të gjitha vendet e ish lindjes komuniste. Ky proces i filluar nga Gorbaçovi në mëmëdheun e komunizmit me dy parullat emblemë : transparencë e pjesëmarrje, shkallë-shkallë preku të gjitha këto vende. Veç Shqipëria komuniste e Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, që nuk perëndon, nuk tundej nga istikami.

Kavaja mund të quhet me plotë gojë si djepi i parë i kundërshtimit masiv të shqiptarëve ndaj regjimit komunist, ku gjithë banorët e saj, me kurajë dhe guxim e në mënyrë spontane  apo thuajse të paorganizuar filluan rezistencën apo revoltën reale. Dy muaj më parë në mes të janarit ishin shkodranët demokrat të kahershëm që tentuan të rrëzonin bustin e gjakësorit Stalin, babait shpirtëror të komunistëve shqiptar, që mburreshin ato vite se ishin besnik të stalinizmit dhe enveristë. E patën lënë për në 14 janar, por Sigurimi një natë përpara ditës së caktuar bëri dhjetëra arrestime, i torturoi e gjymtoi në qelitë e veta, i dënoi e ndonjëri prej torturave vdiq vite më vonë.

Filloi pra të frynte e të ndihej era e ndryshimeve edhe në qëndrimin e njerëzve.

Në fund të muajit ndodhi në Tiranë grumbullimi i heshtur në sheshin përpara Pallatit të Kulturës, me pritjen se diçka do ndodhte. Pavarësisht kësaj, ajo prani e heshtur e  banorëve të qytetit kryesor të vendit tregoi se njerëzit kërkonin e prisnin ndryshime. Pati dhe këtu arrestime e rrahje të të arrestuarve duke i quajtur ata organizatorë, kur dihej mirë se të tillë nuk pati, por kuptohet mirë që për regjimin ata që dolën ishin kundërshtarë.

Ramiz Alia dhe të tijtë me  raprezaljet që pasuan treguan se nuk do të lejonin që ndokush të kërkonte demokratizimin e vendit si të tjerët, e aq më tepër largimin e komunistëve nga pushteti i dalë “nga gryka e pushkës”.

Në Kavajë qysh nga fundi i vitit ’89 pati fillesa protestash nëpër mbledhje me punonjësit e të dërguar nga qendra, pati dhe trakte kundër regjimit. Tentativa organizimesh pati dhe para marsit. Kjo ishte klima antiregjim që parapriu e përgatiti protestën në stadium. Atë e nxiti dhe fjala e përhapur se 5 minuta para fundit të ndeshjes ngrini dy gishta lartë. Nën këtë lajm disa të rinj bënë një trakt me thirrjen “Kushtrim” për tu ngritur kundër regjimit e për ta rrëzuar atë me forcë.

Në mes të muajit mars në Tiranë erdhi lajmi se të dielën më 25, në ndeshjen e futbollit Besa me Partizanin do ndodhte  diçka, do kishte një demonstratë. Pritëm, dhe të nesërmen lajmet erdhën dhe plotë hollësira, pavarësisht heshtjes së mediave dhe institucioneve zyrtare. Për këtë ngjarje të pritshme regjimi nuk qëndroi indiferent, por dërgoi në qytet trupat speciale e sambistë. Kur ndeshja po mbaronte  tifozët kavajas që mbushnin krejt stadiumin filluan të hidhnin parulla kundër regjimit, libra të diktatorit në tokë dhe u përleshën me trupat  e ardhur enkas, duke dhënë shembullin e një kuraje të vërtetë e vetëmohuese. Ishin parullat emblemë për ato vite  : “Liri Demokraci”, “Enver Hitler”, “Poshtë Komunizmi” “Poshtë Diktatura” e të tjera me përmbajtje të qartë politike e kundër regjimit, të shoqëruara dhe me këngë patriotike. Menjëherë ndërhyri policia e forcat speciale me të cilat u përleshën të rinjtë. Ndërkohë policia filloi të godiste pa dallim ata  dhe të arrestonte disa prej tyre ata që ishin më aktivët dhe në krye të protestës.

Demonstrata pati dhe të nesërmen 26 mars për të kërkuar lirimin e të arrestuarve nga policia e Kavajës  dhe të dërguar në Degën e Punëve të brendshme në Durrës. Duhet të shënojmë se në ato ditë në protesta ishin dhe gratë e vajzat e Kavajës.

Një protestë tjetër u zhvillua dhe në 29 mars kur u hap fjala se një nga të arrestuarit në Durrës Ilir Rrugeja  kishte vdekur  nga torturat, ndërsa vëllai i tij Rexhepi ishte në gjendje të rëndë .. Me atë rast gjithë qendrat e punës lanë punën dhe dolën në shesh, u shkua dhe në Durrës ku panë dhe dy djemtë që ishin gjallë por me shenja të qarta të torturave.

Kjo gjendje tensioni politik e mosbindje ndaj regjimit në Kavajë vazhdojë gjatë gjithë viti ‘90 në qytetin e Kavajës, madje dhe vetë dokumentacioni i kohës e quan “gjendje e rëndë”, pati dhe një të vdekur dëshmori Josif Buda, pati të arrestuar e torturuar barbarisht por dhe  të dënuari si Ilir Rrugeja 1 vit burg, Qazim Karriqi dy muaj burg, Arjan Kazazi tre muaj burg, Fatmir Veliu dy muaj burg , Jak (Zija ) Shtini tre muaj burg, Selaudin Cara 6 muaj burg e të shumë të tjerë që u ndaluan nga policia për disa ditë. Të gjithë ata ju nënshtruan terrorit psikik dhe torturave të egra nga hetuesit dhe  sigurimsat por nuk u përkulën.

Kjo frymë e një lëvizjeje antikomuniste për demokraci vazhdoi gjatë në Kavajë dhe sigurisht tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Shembulli i tyre i dha kurajë të tjerëve për të protestuar, i tregoi botës se  shqiptarët duan ndryshime rrënjësore, çka rriti presionin ndërkombëtar ndaj Qeverisë  së Partisë së Punës, që vazhdonte  në rrugën e vetë të gënjeshtrave  mbi realitetin shqiptar. Ajo vazhdoi  për muaj të tëra në forma të ndryshme deri sa u shpall pluralizmi dhe kulmoi më 25 dhjetor me mitingun e madh për të festuar themelimin e Degës së Partisë Demokratike në Kavajë, në prani të gjithë qytetit.

Ndodhitë e atij viti historik në qytetin e Kavajës mendoj se duhet të studiohen e njihen me hollësi e saktësi, shkaqet e rrjedha e tyre, protagonistet dhunuesit dhe kjo jo vetëm mbi bazën e dëshmive të protagonistëve e të tjerëve që kanë dijeni por edhe  me paraqitjen e tyre në dokumentacionin zyrtar të regjimit, që fletë qartë mbi to. Dhe kjo pandarë nga situata politike dhe ndodhitë në mbarë Shqipërinë.

Së fundi një propozim personal për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës dhe Këshillin Bashkiak :  Stadiumit të qytetit ti vihet emri “ Stadiumi 25 Marsi ”.

 

Aleksandër Meksi

respublica.al  24 mars 2016