“Ballkani Faustian” dhe Interesat Shtetërore e Kombetare

“Ballkani Faustian” dhe Interesat Shtetërore e Kombetare

Ballkani ka qenë dhe mbetet vazhdimisht tërheqës për studiuesit, historianët, filozofët, sociologët, etnografët, dhe natyrisht për politikanët dhe diplomatët dhe janë 2000 vite histori e përbashkët që e  kanë krijuar këtë dukuri. Jo vetëm si e shkuar e trazuar, por edhe si e tashme plot probleme dhe si e ardhme shpesh e paqartë, në një rajon të rëndësishëm për stabilitetin dhe vlerat europiane. Është një enigmë shumëdimensionale, e cila kërkon hulumtimin dhe ndriçimin nga shumë këndvështrime, për të formuar dhe shtuar dijet drejt kuptimit të asaj, që ndodh në Ballkan. Ndaj libri “Ballkani Faustian” i ambasadorit Shaban Murati vjen si nevojë për të ndriçuar rebuset ballkanike në planin diplomatik, dhe është një kontribut  për studimet politike shqiptare e ballkanike .

Kjo përmbledhje prej 102 shkrimesh e  analizash diplomatike në 511 faqe  është jo vetëm një panoramë e zhvillimeve interesante diplomatike dhe politike në shtetet ballkanike dhe në marrëdhëniet ndërballkanike, në një hark kohor prej mbi një dekade, por vlen dhe për të parashikuar të ardhmen e për të drejtuar drejt politikën e jashtme me fqinjët e vendet e rajonit e jo vetëm ata. Interesat dhe prirjet  kërkimore të autorit janë shumë të gjera dhe ai thellohet në dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve, problemeve, tezave e teorive, qëndrimeve dhe të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon.          Një nga veçoritë karakteristike të këtij libri është se trajtesat në veçanti, dhe libri në tërësi, janë një këndvështrim, një interpretim dhe përfundime, që  mbajnë vulën dhe identitetin shqiptar. Para lexuesit shfaqet një Ballkan kompleks  dhe marrëdhëniet e tij ndërkombëtare të ndërlikuara, të analizuara qartësisht nga një pikëpamje shqiptare, diplomatike, shtetërore dhe kombëtare. Sipas mendimit tim, kjo përbën një nga kontributet kryesore të librit dhe të ambasadorit Shaban Murati në zhvillimin e mendimit diplomatik shqiptar.

Shaban Murati është diplomat karriere, i suksesshëm siç ka treguar puna e tij. Ai shkruan jo për të dëshmuar “atdhetarizëm”, çka është në modë sot nga një numër i madh analistësh e opinionistësh. Ai shkruan si një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare me përvojë konkrete dhe për këtë shkrimet e tij duhet të konsiderohen e studiohen nga punonjësit e fushës.

Duhet pranuar se mendimi diplomatik shqiptar është një disiplinë pak e zhvilluar. Shaban Muratit i takon një meritë e veçantë për kontributin që ka në zhvillimin e mendimit diplomatik shqiptar me veprat e tij. Studimet shqiptare, diplomacia shqiptare dhe lexuesit shqiptarë, janë të etur të dinë dhe kanë nevojë të mësojnë se cili është këndvështrimi dhe interpretimi shqiptar i ngjarjeve, i tendencave, i aleancave dhe i zhvillimeve të vrullshme dhe shpesh herë të pakuptueshme në rajonin tonë.

Përvoja e gjatë diplomatike dhe kërkimore, ndjekja sistematike dhe me rigorozitet e zhvillimeve, e politikave zyrtare të shteteve ballkanike dhe e mendimit diplomatik rajonal dhe ndërkombëtar,  janë në themel të studimeve dhe analizave të tija. Duhet pranuar se kjo nuk është e lehtë sepse: së pari, kërkon kuptimin dhe interpretimin e ngjarjeve si pjesë  procesesh jo gjithnjë të dukshme e të qarta, kur ato janë në zhvillim.  Së dyti, është e vështirë, sepse për ato ngjarje në zhvillim e sipër shteti dhe institucionet zyrtare të politikës së jashtme jo gjithnjë kanë formuluar zyrtarisht e për publikun qëndrimet e veta. Analizat e mendimet  e Shaban Muratit shpesh kanë paraprirë e besoj se kanë ndihmuar institucionet shtetërore në marrjen e qëndrimeve të përshtatshme për shumë zhvillime dhe marrëdhënie në rajon. Ato janë parashtruar gjithnjë një në dobi të interesit shtetëror dhe kombëtar shqiptar.

Nga leximi i vëmendshëm i librit “Ballkani Faustian” arrin në përfundimin  se gjykimet dhe analizat diplomatike për zhvillimet rajonale janë:

1 – Veprimet dhe pasojat e tyre ndaj interesave politike kombëtare të  Shqipërisë.

2 –   Veprimet dhe pasojat e tyre për çështjen e Kosovës dhe në çështjen kombëtare shqiptare, që është  një konstante   në shkrimet që trajtojnë çështjen shqiptare e për shqiptarët në trojet e tyre jashtë R.Sh.

3 –  Raportet e zhvillimeve ballkanike me vendin tonë dhe rolin e ri, që duhet të ketë Shqipëria dhe sidomos faktori shqiptar në Ballkan pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

4 –   Ngjashmëritë dhe paralelizmat e fenomeneve negative në njërin apo tjetrin shtet ish komunist ballkanik dhe mësimet, që dalin për zhvillimet e brendshme në shoqërinë shqiptare.

5 –  Krijimet  dhe rikrijimet e aleancave lokale në Ballkan, dypalëshe, trepalëshe apo shumëpalëshe, përtej apo në kundërvënie ndaj rrymës globale të integrimeve euroatlantike.

Në të gjitha analizat e librit ndjehet shqetësimi i autorit dhe përqendrimi i tij profesional për të përthyer në një optikë shqiptare çdo ngjarje apo marrëdhënie dypalëshe apo shumëpalëshe ballkanike, të vënë në lupën e shqyrtimit.  Libri “Ballkani Faustian” është një interpretim e qëndrim  objektiv mbi zhvillimet në Ballkan nga pikëpamja e interesit të Shqipërisë në planin diplomatik, shtetëror dhe kombëtar. Edhe kur analizon marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kroacisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë dhe Serbisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, Greqisë dhe Rusisë, etj. madje dhe në temat, ku nuk është direkt e përfshirë Shqipëria, kemi një zbërthim të objektit të analizës nga pikëpamja shqiptare, për të kuptuar ndikimin që mund të ketë tek ne.

Nuk mund të mos ishin në fokus të librit dhe të autorit marrëdhëniet më problematike dypalëshe të Shqipërisë në rajon, ku trashëgimia historike e pazgjidhur ka lënë gjurmët e veta edhe në marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Serbinë dhe Greqinë, duke na paraqitur trajtesa interesante, që ndihmojnë për të kuptuar më mirë marrëdhëniet e sotme të Shqipërisë me këto dy vende. Në libër janë të analizuara me thellësi kuadri dhe problematikat e hapura dhe të heshtura të ndërveprimit të shteteve të rajonit dhe të rajonit me diplomacitë e faktorëve të jashtëm të rajonit, implikimet e projekteve dhe të ndërhyrjeve të shteteve jashtë rajonit në drejtimet dhe në tendencat e orientimeve strategjike, gjë që i jep librit një dimension me frymëmarrje të gjerë tematike dhe konceptuale.

Ballkani Faustian” përpunon ide dhe teza origjinale dhe interesante diplomatike, që kanë të bëjnë me burimet dhe hierarkinë e kërcënimeve për shtetin dhe kombin shqiptar, me rivalitetet e hapura dhe të fshehta në rajon ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, disa modele dhe formulime të gabuara diplomatike rreth përparësive të politikës së jashtme shqiptare, për format dhe rrugët e pajtimit midis popujve në rajon, duke përfshirë edhe atë midis shqiptarëve dhe serbëve, ku autori shtjellon idenë e madhe se në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci pajtimin e realizojnë shtetet dhe qeveritë dhe pastaj shkojnë efektet tek popujt (fq.495).

Libri dëshmon ide e mendime të qarta e të konsoliduara të autorit  për ndërtimin  një diplomacie moderne  shqiptare, jo vetëm të aftë dhe të pasur në mendime, në qëndrime dhe në ndërmarrjen së nismave diplomatike, por edhe dinjitoze dhe të barabartë në marrëdhëniet me partnerët dhe aleatët e saj rajonalë. Ai vazhdimisht këmbëngul që ndërtimi i marrëdhënieve reale të barazisë, larg komplekseve të inferioritetit, jo vetëm ndihmon mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare, por edhe jep një kontribut real për bashkëpunimin dhe për stabilitetin në Ballkan.

Mendimet dhe qëndrimet, që autori jep ose mban, për ngjarjet dhe zhvillimet në rajon, kanë një karakter përgjithësues jo vetëm  për kohën kur janë shkruar por dhe në vijim. Ballafaqimet e zhvillimeve të mëtejshme të ngjarjeve dhe të situatave, pas kohës kur janë shkruar nga autori artikujt konkret, kur temat janë rimarrë, evidentojnë forcën  e logjikës, të guximit dhe të parashikimit në shumë drejtime. Kjo i jep librit një vlerë të madhe dhe për ditët e sotme, sepse shohim që analizat e autorit nuk janë kronikë historike, por paraqiten si dinamikë mendimesh, që shikojnë dhe në të ardhmen.

Shaban Murati tregon dhe njëherë se ai është i vëmendshëm për gjithçka ndodh në vendet e Ballkanit lidhur me politikën e jashtme të tyre e aleancat e lidhjet ekonomike, në trajtimin e  marrëdhënieve ndëretnike, në qëndrimin ndaj fqinjëve ballkanik, i vëmendshëm ndaj veprimeve të vendeve të interesuara për Ballkanin dhe fuqitë e mëdha që mund të ndikojnë në politikën e këtyre vendeve e për rrjedhojë në stabilitetin e rajonit, vendeve të veçanta dhe ekonominë e tyre. Prandaj vrojtimet e analizat e tij duhet të kihen parasysh nga diplomacia zyrtare shqiptare.

Veçori e librit “Ballkani Faustian” dhe e krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati është qëndrimi dhe vështrimi mbipartizan në analizat e fenomeneve dhe të zhvillimeve në rajonin tonë. Si diplomat karriere dhe studiues me kërkesa profesionale, ai  ndjek gjithmonë kriterin e interesit kombëtar dhe shtetëror, kriterin e së vërtetës shkencore.

Libri “Ballkani Faustian”, si dhe librat e mëparshëm të autorit për diplomacinë, kanë forcën e mendimit të përparuar profesional, të qartësisë së ideve dhe të sigurisë së drejtimit, ku duhet të ecë diplomacia shqiptare. Kushdo, që lexon analizat dhe librin e Shaban Muratit,  e ndjen dhe kupton se pavarësisht datës poshtë shkrimeve e tij, autori ka parë gjithmonë perspektivën e atij zhvillimi dhe sugjeron  diplomacinë dhe të shtetin shqiptar për sfidat  në rajon. Ajo që të befason në analizat e librit, është shpesh herë aftësia  për të skicuar zhvillimet e pritshme në raportet e ndryshme ndërballkanike.

Libri “Ballkani Faustian” pasuron kolanën prej 10 veprash të ambasadorit Shaban Murati fushën e mendimit diplomatik shqiptar. Ndër to do ta veçoja librin e ri për objektin e tematikë që sjell, për përpjekjen serioze, studimore dhe siç thotë autori “për të zhbiruar enigmën  ekzistenciale shtetërore të sfinksit ballkanik”.(fq.6). Libri ndihmon për ta kuptuar më mirë dhe më në thellësi diplomacinë dhe Ballkanin, me qëllim që të menaxhohet më profesionalisht politika e jashtme dhe të përcaktohet efikasiteti, roli dhe pesha e Shqipërisë dhe të faktorit shqiptar në rajon. Diplomacia dhe shteti shqiptar duhet të gjejnë ekuilibrat e drejtë dhe raportet reale të forcës, që duhet t’i japin dhe do t’i japin faktorit shqiptar në rajon peshën dhe zërin, që i takon, sepse shpesh herë historia na tregon se  janë neglizhuar.

Duke përfunduar vërejmë se politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare kanë nevojë për kritika e vërejtje, vlerësime e sugjerime, studime mbështetëse historike e gjeopolitike. Punimet e Shaban Muratit vlejnë sipas meje për këtë qëllim. Ai shkruan pa doreza e mban qëndrime personale e të arsyetuara, me kritika edhe kur është fjala për palën shqiptare, duke mbetur   një shembull për diplomatët, studiuesit dhe analistët seriozë. E për këto  duhet përgëzuar dhe Uruar për shkrime të reja.

 

Faleminderit !

Aleksandër Meksi

Tiranë 13 dhjetor 2016