Bilbili që vazhdon të këndojë

Bilbili që vazhdon të këndojë

( Rekuiem për  Nonda Bulkën)

Me kohë njeriu ngadalëson hapin  dhe mendueshëm kthen kokën prapa, në të shkuarën. E ndjekin ngjarje; të gëzuara apo të trishtuara, njerëz të mirë që do të donte t’i kishte gjithnjë pranë që i kujtojmë edhe pas shumë vitesh, njerëz të shpifur dhe të neveritshëm që të vrasin sytë. Këto po mendoja kur një ditë, në morinë e librave të bibliotekës më doli edhe libri modest për nga paraqitja dhe përmasat por që më drithëroi, më shtyri në mendime: ishte “Kur qante  dhe qeshte bilbili” i Chri-Chri -së. Dhe mu kujtua Nonda  Bulka shkrimtarit i madh i viteve ’30 që bashkë me Dhimitër Paskon (Mitrush Kutelin ), Sterio Spassen, Branko Merxhanin, Ernest Koliqin, Migjenin, Nebil Cikën e të tje., qenë pararoja e një brezi të tërë shkrimtarësh dhe publicistësh që letërsinë tonë, me tradita modeste, e ngritën në maja që zor se janë kapërcyer edhe sot. Në shtypin e atyre viteve gazeta që kishte  një ese, një fejton, tregim apo poezi, me firmën e N. Bulkës shitej menjëherë.  Ai shkëlqeu si meteor në qiellin e mugët mesjetar të Shqipërisë  dhe sot është i harruar, sikur të mos ketë qenë kurrë ndonëse vepra e tij është një pasuri e çmuar në fondin e pakët të traditës sonë.

Armiqtë më të mëdhenj të diktaturave, neodiktaturave dhe regjimeve autoritare janë librat e mirë  dhe autorët e tyre. Në shoqërinë  primitive shqiptare të kohës, që fatkeqësisht, në forma të tjera, ekziston edhe tani,  ishte situatë e rëndë  ajo që diktonte temat dhe idetë dhe  satiristi i madh nuk mund mos të vinte re mjerimin ekstrem , arbitraritetin  e bejlurçisë, injorancën dhe makutërinë e nëpunësve të  korruptuar. Ai jetonte me të vërtetën dhe kishte nevojë që ta shprehte atë .Pikërisht këtu e ka bazën fryma qytetare dhe demokratike  vepra e tij. Edhe pse shkroi për kohën e vet Nonda Bulka ka parë nga e ardhmja, nga koha jonë. Ja pse edhe sot na ndjekin fantazmat e  asaj bote të kaluar, se shqiptarëve, për fatin e tyre të keq, u mungon kujtesa historike. Këtu duhet kërkuar edhe shkaku pse ne hyjmë të fundit në formacionet e reja shoqëroro – politike. Shqiptarët mësohen me të keqen dhe nuk bëjnë asgjë për të shpëtuar prej saj. Nonda Bulka qe ndryshe ; me penën e tij ai e kundërshtoi me guxim të keqen shoqërore ndonëse nga ky kundërshtim e pësoi disa herë. Vepra e tij është një britmë rebelimi, herë e hapur e herë e heshtur. Edhe në këto kushte shkrimtarin nuk e braktisi shpirti romantik por gjeti rrugë për të shprehur vetveten.

Lexuesit  nuk mund mos t’i bjerë në sy lakonizmi, ekspresiviteti dhe bukuria e frazës. Ai është mjeshtër  i rrallë me një përkujdesje të veçantë për frazën dhe fjalën me ngarkesa metaforike. Por, mbi të gjitha, suksesin shkrimtari  e kishte tek temat që zgjidhte. Ato janë pasqyrë e realitetit të kohës të vendit apo të botës. Varfëria, injoranca, korrupsioni, fanatizmi fetar, përbëjnë substancën e veprës së N. Bulkës. Dhe kjo, siç thamë, nuk është një angazhim i detyruar  por buronte nga personaliteti i tij. Kredon e tij krijuese e gjen te shkrimi “Horizonte të reja për letërsinë kombëtare“ që në një farë mënyre është manifesti i një brezi të tërë shkrimtarësh të atyre viteve  për ta orientuar artin dhe letërsinë drejt njerëzve, shqetësimeve të tyre, halleve dhe problemeve. Kjo i bënte krijimet   të afërta për njerëzit por kurrsesi “armë dhe mjet në edukimin klasor revolucionar“ siç do të kërkonte më vonë  e ashtuquajtura letërsi e realizmit socialist.

Për krijimtarinë  e N. Bulkës dhe e shumë të tjerëve ishin të huaja këto diktate politike, këto rregulla të ngurta që nuk kishin të bënin me arti e vërtetë prandaj dhe ai shkruante në manifestin letrar: ”Sa e sa tema virgjëresha presin penën e tyre…katundari që vuan prej krizës, mallkimet që shfryn malsori i shkretë kundër botës… kundër aksidentit që po i kanoset atdheut, vobekësia,vuajtja,gënjeshtra,djallëzia, harbutllëku… a nuk janë shpikje të këtij shekulli pa din e pa iman”. Këto që proklamonte shkrimtari i realizoi: Krijimtaria e tij është një mozaik i bukur që meriton të njihet dhe të vlerësohet brez pas brezi. Pamfletet, skicat dhe fejtonet, tregimet e shkurtra si”Mëm’ e bir”,”Dy pika lot”, “Vija e vdekjes”, ”Mësim gjeografie’’, “Gjysmë ore italian”, “Vdekja e bilbilit” e tje. ishin krijime “par exelence”. Por nuk  mund të flasim me të njëjtën konsiderata për  krijimtarinë e Nonda  Bulkës edhe pas “çlirimit” kur tashmë  ishin sanksionuar rregulla  të rrepta ideologjike. Megjithatë, me gjuhën e Ezopit, që shkrimtari e njihte aq mirë, jo rrallë herë i shpëtoi censurës. Le të përmendim këtu faktin që fabulat e shkrimtarit tonë nuk kanë asgjë mangët nga fabulat e klasikëve botëror dhe shpesh herë godasin ashpër fenomene të epokës së “ndritur socialist”.

Me interes janë dhe shkrimet e N. Bulkës për shkrimtarë të traditës sonë  dhe të huaj. Ndoshta shtysë për këtë ka qenë jo vetëm  puna  shumëvjeçare si pedagog i letërsisë frënge dhe shqipe por edhe një mënyrë për t’iu shmangur krijimtarisë së drejtpërdrejt letrare që tashmë shpesh të shtinte në telashe.  Edhe këto shkrime janë modele  në llojin e tyre. Shkrimet kushtuar Servantesit, Hygoit, Deni Diderosë, Naim Frashërit, Migjenit, Nolit De Radës, Çajupit etje, janë ese të frymëzuara që në pak faqe evokojnë madhështinë e këtyre korifenjve të artit.

Por nuk mund mos të vëmë re se  krijimtaria më e mirë e N.Bulkës është ajo e viteve ’30-‘40 të shekullit të kaluar, kur trysnia nuk ishte aq e madhe sa ajo pas vitit 1944.

Po kaq interesante dhe intriguese është edhe jeta e shkrimtarit. Ai lindi në Leusë të Përmetit. Shkollën fillore e kreu në fshat kurse të mesmen në Liceun e njohur të Korçës , studimet universitar i ndoqi në Francë. Kudo që punoi, në shollat ku dha mësim Nonda Bulka fitoi dashurinë dhe respektin e nxënësve, studentëve dhe kolegëve,  “prania e Nondës në një rreth shoqëror sillte gëzim dhe hare” thoshte për të im at.

Në shtëpinë e tij të vogël mblidheshin shumë shokë dhe miq por më të afërt qenë Sterio Spasse, Mustafa Greblleshi, Zisa Cikuli etj.

Pak muaj para se të vdiste i dhanë shtëpi (një dhomë e kuzhinë) . Gjithë jetën ky shkrimtar i madh ishte ngujuar me një dhomë të vetme; në atë furrik  punonte, krijonte, hante, flinte. E megjithatë çdo ngjarje sado të vështir ai do ta sfidonte me humor, do të gjente një batutë, një shaka për ta kapërcyer. Ishte pikërisht kjo natyra e tij e gëzuar që  e bënte atë njeri të dashur dhe të afruar, me shumë miq e shokë. Kur u kujtuan t’i jepnin apartament; një dhomë e kuzhinë, për të tashmë ishte vonë sepse ishte sëurë rëndë e pa shpresë. Pak muaj përpare se të vdiste e dekoruan. Edhe në këtë rast Nonda nuk e harroi Humorin “vdis pa të duam” -u tha  shokëve që i shkuan për ta uruar, “por tani që më dekoruan, me ilaçe dhe humor do ta luftoj demonin që më ka kapur për gryke”. Chri-Chri, bilbili i Përmetit mbylli sytë më 14 nëntor të vitit 1972. Kjo humbje  e  madhe thuajse u kalua në heshtje.

Trashëgimia letrare e Nonda Bulkës u botua një herë të vetme në vitin 1980. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Muzafer Xhaxhiu, bëri përzgjedhjen më të mirë të mundshmen , më përfaqësuesen, shoqëruar me një studim të plotë të veprës dhe jetës së Nonda  Bulkës duke vlerësuar atë me superlativë. Por kjo nuk ndodhi në tekstet dhe studimet e tjera. Veçanërisht të bën përshtypje karakterizimi dhe vlerësimi tepër i thatë  që i është bërë shkrimtarit në Fjalorin enciklopedik  apo në “Historinë e Letërsisë Shqipe”. Gjithsesi tashmë Ai kishte fituar pavdekësinë në mendjen dhe zemrat e atyre që e kanë lexuar dhe do ta lexojnë.

Aleksandër Meksi

“Rilindasi” 12 korrik 2015