Aleksandër Meksi (8 mars 1939, Tiranë), është studiues dhe restaurator i monumenteve të arkitekturës mesjetare (kryesisht kisha e xhami) dhe politikan.
Arsimin parauniversitar e ka kryer në Tiranë. Studimet universitare i ka kryer në degën e ndërtimit në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetin Shtetëror të Tiranës (1955-1960). Deri në fund të vitit 1990 ka punuar kryesisht në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në vitin 1965 ka kryer specializim (6 muaj) në “Scuola di perfezionamento per lo studio e il restauro dei monumenti” pranë fakulteti të arkitekturës të Universitetit të Romës.Në vitet shkollore nga 1974 -1977 ka dhënë lëndën e Historisë së arkitekturës në Degën e ndërtimit në UT. Ndërsa në vitin shkollor 1989-1990 ka qenë pedagog për dy lëndë (ushtrime e seminare-në semestrin e parë) në Universitetin e Marburgut (Gjermani).
Aktiviteti kërkimor dhe ai për gjurmimin dhe restaurimin e monumenteve është pasqyruar në dhe monografi si autor i vetëm apo dhe si bashkautor. Mban gradat shkencore Kandidat i Shkencave (1982) dhe Doktor i shkencave (1988) si dhe titullin Profesor (1995).
Karrierën politike e fillon në dhjetor 1990 si bashkëthemelues i Partisë Demokratike dhe anëtar i Komisionit Nismëtarë. Qysh atëherë e deri ne vitin 1997 ka qenë anëtar i Kryesisë se PD dhe më vonë, me ndonjë shkëputje (1997-2001), anëtar ex officio i Këshillit Kombëtar. Që nga zgjedhjet e para pluraliste është zgjedhur deputet për në Kuvendin e Shqipërisë (1991-2001).
Pas fitores së Partisë Demokratike në 22 mars 1992, më 13 prill zgjidhet Kryeministër i Qeverisë Demokratike, post që e mbajti deri ne 13 mars 1997 (pasi dha dorëheqjen në 1 mars). Ajo Qeveri ndërmori reformimin e shtetit shqiptar nga një shtet i komunist diktaturës së proletariatit në një shtet demokratik të së drejtës, me ekonomi të tregut të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut. Detyra të vështira për një vend në krizë të plotë politike-ekonomike e sociale e të rrënuar nga marrëzia komuniste e diktatura e proletariatit. Me ndihmën e gjithanshme të vendeve të Evropës së Bashkuar dhe Sh.B.A. u krijua një shtet i ri me Kode e ligje të reja, me ndryshime rrënjësore në sistemin politik dhe ekonomik që tjetërsuan në ato vite Shqipërinë. Qysh nga viti 2001 është kritik ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike për mungesën e demokracisë së brendshme si dhe keqqeverisjes gjatë viteve 2005-2013; por vazhdon të jetë aktiv në jetën politike të vendit me shkrime politike si opozitar, intervista e biseda në mediat televizive.