Botimi i Dhiatës së Re përkthyer nga Vangjel Meksi, në monografinë e Profesor Xhevat Lloshit

Botimi i Dhiatës së Re përkthyer nga Vangjel Meksi, në monografinë e Profesor Xhevat Lloshit

Botimi nga profesor Xhevat Lloshi i studimit monografik për përkthimin në gjuhën shqipe, gati dy shekuj më parë, të Ungjillit nga Dr. Vangjel Meksi, shënon një sukses jo vetëm të autorit. Me këtë botim studiuesit shqiptar kanë në dorë një dëshmi më të plotë të gjuhës së folur në Jug nga një studiues si Vangjel Meksi, autor dhe i një gramatike  me mjaftë gjasë të humbur.  Ungjilli sipas Matheut nga Meksi dhe monografia  kushtuar atij janë  me rëndësi për studimet shqiptare, veçanërisht për gjuhësinë dhe për  historinë e shkrimit shqip. Nënvizojmë se Dhiata e Re arriti të botohet vetëm pas vdekjes së përkthyesit, në vitin 1827 në Korfuz “nën përkujdesjen” e Grigor Gjirokastritit.

Monografia është një studim i plotë e i gjithanshëm i dorëshkrimit, i botimeve të tij në vite, i fjalësit dhe paraprihet nga një studim  i historisë së marrëdhënieve të Vangjel Meksit me Shoqërinë Biblike që porositi përkthimin, peripecitë e dorëshkrimit dhe dokumentimin e asaj, që autori e quan Enigma për autorësinë – një pështjellim, rezultat i mosthellimit në kërkime të shumë studiuesve,gjë që profesor Lloshi e ka kryer më së miri duke e zgjidhur përfundimisht.

Vangjel Meksi (1770-1823), i lindur në Labovë të Gjirokastrës, nga një fis me tradita kulturore e të arsimuar, mjek nga profesioni, me studime të larta në Napoli, i dërguar nga Ali Pashë Tepelena pranë të cilit shërbeu si mjek, ishte një njeri  me kulturë të gjerë dhe, siç thamë, kishte hartuar edhe një gramatikë e cila nuk ka arritur deri në ditët tona. Pikërisht  për këtë ai u përzgjodh nga përfaqësues të Shoqërisë Biblike që të përkthente Dhiatën e Re në gjuhën shqipe, që të botohej dhe të përdorej nga shqiptarët. Në monografi jepen me imtësi këto kontakte, marrëveshjen e autorit me porositësit, me dërgimin për botim pas vdekjes së tij dhe ndodhi të mëvonshme.

Monografia jep sqarime të plota për jetën e përkthyesit, për vlerësimet e porositësve (Conor) për të “si një njeri që kishte menduar me kohë shkrimin e shqipes, e ndoshta kishte fituar përvojë”, çka tregon përfshirjen e tij në rrethet intelektuale të atdhetarëve që mendonin e kërkonin shkrimin e gjuhës amtare e shkolla shqip.

Përkthimi u dërgua në Korfuz rreth viti 1823, ndërkohë që ai kishte vdekur në luftën e Misolongjit duke shërbyer si mjek. Kjo shpjegon ndërhyrjet-korrigjuese e redaktuese në dorëshkrimin e përkthyesit.

Botimi i kësaj Dhiatës së Re, që deri tani është  i pari në gjuhën shqipe, përbën një ngjarje kulturore me rëndësi për gjuhën tonë, duke e bërë atë të njohur për të huajt, që e vlerëson siç thotë Xilander në vitin 1835 me fjalët :” me këtë përkthim, për gjuhën shqipe përfundoi koha e dyshimit dhe e pasigurisë, përmes tij bota ka fituar një bazë të sigurt”. Dhe kjo nuk është një vlerësim sidokudo për punën e përkthyesit. Siç është e thënë , redaktimi i botimit është bërë nga Grigor Gjirokastriti, peshkop i Korfuzit, por çuditërisht emri i përkthyesit tonë nuk u vu në botim, duke krijuar atë pështjellim të pamerituar ndër studiuesit deri vonë. Fjalë të mira vlerësuese thotë dhe  Dhimitër Kamarda që e quan” monumentin më të shquar të idiomës epirote që ekziston sot”.

Ky përkthim është një dëshmi tjetër se gjuha shqipe ka një traditë shkrimore, pavarësisht se në cilin alfabet u shkrua. Dhe hulumtimet shkencore në këtë fushë mendojmë se janë në fillimet e tyre. Përkthimi jo vetëm që dëshmon për aftësitë filologjike të Meksit por për një paranormë të shqipes së avancuar, për pasuri trajtash dhe fjalori, për mundësi të pakufizuara shprehjeje. Studimet e profesor Lloshit në fushën e gjuhësisë dhe stilistikës së gjuhësore janë të shumta e ndër to po përmend vëllimin me dokumente për Kristoforidhin dhe ajo kushtuar Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe të Manastirit . Aty vërehen karakteristikat  kryesore të profesor Xhevat Lloshit, thellësia shkencore e kërkimit dhe argumentimit dhe mënyra cilësore e parashtrimit.

Ky libër i jep të drejtat dhe vlerat, një emri të nëpërkëmbur ng studiues sipërfaqësor deri më sot, Vangjel Meksit i cili vuri një gur të rëndësishëm në ndërtesën e gjuhës shqipe. Monografia paraqet dhe botimet e mëvonshme si dhe përhapjen e Ungjillit  të plotë në trojet shqiptare dhe në diasporë. Merita për këtë vlerësim i takon Profesor Xhevat Lloshit i cili duhet falënderuar për këmbënguljen në këtë studim, për punën në arkivat e shoqërisë  Biblike, për transkriptimin e Ungjillit sipas Matheut , që jepet në libër si dhe për studimin në përgjithësi. Po kështu sponsorët The Good Book Society dhe shtëpinë botuese Onufri duhet t’i falënderojmë.

Po e mbyll me fjalët e kopertinës së prapme : “ botimi i Dhiatës së Re shqip në vitin 1827 ishte fryt i fillimeve të Rilindjes Ballkanike. Ringjallja e popujve natyrisht do të ndodhte Perandoria Osmane po merrte tatëpjetën, por njëkohësisht ajo nuk u bë pa ndihmën e kulturës evropiane që nga iluminizmi e deri te romantizmi, që nga rrjedhojat e Revolucionit Francez e deri tek ardhja e Bajronit në Shqipëri te Ali Pashë Tepelena. Këtë libër e bënë shqiptarët me ndihmesën e drejtpërdrejtë të evropianëve e përdorën shqiptarët, madje duke e kthyer në pikënisjen e një tradite, dhe mori vlerësimin më të lartë të shkencës evropiane”. Dhe unë do të shtoja, duke vlerësuar Monografinë, se shpresojmë që mundin e Vangjel Meksit në kushtet e vështira të 200 viteve përpara do të fillojmë ta vlerësojmë dhe ne të sotmit duke i dhënë vendin që i takon.

Aleksandër Meksi

Tirane më 5 nëntor 2012

Botuar në”Shqiptarja.com” më 11 nëntor 2012