Çekrezi, i rikthyer përmes veprave të tij, në botën shqiptare

Çekrezi, i rikthyer përmes veprave të tij, në botën shqiptare

( Andon Andoni – Kostë Çekrezi – I treti i munguari, “Naimi” 2016) 

Letrave shqiptare ju mungonte një studim për jetën dhe veprat e Kostë Çekrezit, për veprimtarinë e tij politike atdhetare e demokratike, për të cilat e meritonte me kohë një vend në historinë politike të shqiptarëve. Qenia e tij kundërshtar i regjimeve  autoritariste, pushtuese e diktatoriale ja mohoj këtë vend të merituar për më se një gjysmëshekulli me heshtje dhe harresë të qëllimshme. Dhe libri që promovohet sot e mundëson këtë, fryt i mundit të Andon Andonit e plotëson këtë boshllëk. Duhet të nënvizojmë se për fat të keq në Shqipëri mbizotërojnë mitet, heronjtë kordhëtarë, që ata të vetëm kanë luftuar pushtuesit duke i mundur, vetëm ata bënë pavarësinë, shtetin e diktaturën, të mirat e të këqijat etj. etj. Po kështu në arte, letërsi e shkenca. Duhet të heqim dorë nga kjo mënyrë e vlerësimeve, e të shkruarit të Historisë. Jo pak  mendje të hapura po e kuptojnë nevojën për t’ju shmangur kësaj kulture mitesh dhe kanë filluar me sukses të qëmtojnë jetën dhe veprat e  personazheve të neglizhuar, anatemuar, fshehur e “harruar”. Duhen vlerësuar.

Përpara katër viteve, në botimet e shumta gjatë vitit jubilar të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit, për herë të parë, u botua me interes të veçantë dhe libri “Shqipëria e shkuara dhe e tashmja” i patriotit erudit Kostë Çekrezi, diplomat, shkrimtar, gazetar dhe botues, një nga figurat më të shquara midis dy luftërave botërore, bashkëkohës i Konicës, Fan Nolit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe i gjithë elitës së kohës. Ideja për të shkruar këtë libër iu sugjerua autorit nga pedagogu i tij i historisë në Universitetin e Harvardit prof. A.C. Coolidge, lektor mbi çështjet e Lindjes, i cili e shprehte hapur keqardhjen për mungesën e një trajtese të tillë në gjuhën angleze, që do ndikonte në fatet e popullit shqiptar.  Libri u botua në vitin 1919 dhe ishte e para histori e Shqipërisë në anglisht e shkruar nga një shqiptar, aq e nevojshme për kancelaritë perëndimore, të cilat Shqipërinë e njihnin vetëm nga shkrimet e gazetave të vendeve fqinj, të interesuara për copëtimin e saj. Ishte koha kur Fuqitë e Mëdha ishin mbledhur në Paris për ta ribërë hartën e botës dhe në mënyrë të veçantë të Ballkanit. Kuptohet vlera që pati libri “Albania; past and present” në këto moment, si dhe takimet e shumta që Çekrezi kishte realizuar me personalitetet e Washingtonit, disa prej të ishin  këshilltarë të Presidentit Wilson.

Libri përbëhet nga tri pjesë. Pjesa e parë trajton historinë e shqiptarëve nga periudha ilire deri në luftën e tyre për pavarësi. Pjesa e dytë, që flet për vitet pas si dhe para pavarësisë dhe vitet e para të shtetit shqiptar deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore. Pjesa e tretë paraqet Shqipërinë dhe shqiptarët duke pasur dhe një kapitull mbyllës me mendimet e tij për të ardhmen e vendit.
Libri pasqyron  nivelin e deriatëhershëm të studimeve për historinë e Shqipërisë ku ne paraqiteshim vetëm si pjesë e historisë së perandorive shumëkombëshe e megjithëkëtë autori ka arritur që të paraqesë një Shqipëri ndryshe, historinë reale të një populli ndër më të lashtët në Ballkan. Ky libër për një kohe të gjatë shërbeu si orientuese për kancelaritë perëndimore, kur çështja shqiptare u doli në krye të agjendave politike dhe diplomatike.

Nëpërmjet një tregimi me stil të thjeshtë, në pjesën e dytë Kostë Çekrezi tregon ngjarje konkrete të vogla në dukje, që i ka përjetuar apo ka qenë dëshmitar okular, të cilat bëjnë historinë pa zbukurime dhe shtrembërime. Krahas përshkrimit të drejtpërdrejt të realitetit historik, Çekrezi, shfrytëzon edhe burime anësore, veçanërisht artikujt e shtypit periodik evropian të shkruar nga publicistë dhe historian të njohur. Madje autori nuk ngurron t’i përkrahë apo të hyjë në polemikë me ta. Kjo ka bërë që “Historia e Shqipërisë të jepet për herë të parë në një mënyrë sistematike, e cila mbulon ngjarjet më interesante lidhur me bërjen dhe zhbërjen e shtetit Shqiptar”. Por ndonëse flet për të kaluarën, nuk është zor të kuptosh se autori sheh nga ardhmja të cilën, ai e parashikoi me saktë.

Pjesa e tretë, trajtohet ndryshe dhe  i kushtohet gjeografisë dhe gjendjes ekonomike të Shqipërisë (bujqësia, tregtia, komunikacioni e financat, burimet minerare) si edhe popullsia: përbërja, gjendja sociale, vendi që zënë gratë, harmonia fetare, traditat e çmuara etike, karakteristikat kombëtare, marrëdhëniet me të huajt e nacionalizmi në rritje etj, tek të cilat ndjehet edhe një dozë patetizmi, qëllimisht e përdorur nga autori për të lartësuar karakterin e shqiptarit të nëpërkëmbur. Ideja e tij  ishte e qartë; këto të dhëna të plota për Shqipërinë dhe shqiptarët, e kaluara e tij historike dhe lufta e vazhdueshme nder shekuj për pavarësi, do të bindnin Fuqitë e Mëdha se Shqipëria mund të qëndronte si vend më vete.

Ndonëse sot, pas afro një shekulli, këto parashtrime historike janë tejkaluar nga historiografia jonë dhe e huaj, përsëri vepra e Çekrezit ia vlen të njihet imtësisht; sepse përveç fakteve të reja që mund të hasësh nëpër të, shohim edhe rrugën që ka bërë kjo shkencë deri në ditët tona, rrugë që mbetet akoma për t’u përshkruar. Pavarësisht nga këto, pjesa e dytë, ndonëse i mungojnë përgjithësimet e mëdha, përmban përjetime personale të autorit që tashmë veprimtarinë e tij e zhvillonte na atdhe, i kthyer vetëm për t’i shërbyer çështjes kombëtare.

Kostë Çekrezi lindi në Ziçisht të Korçës në 31 mars 1892. Pasi kreu studimet në gjimnazin e Korçës, ai fitoi të drejtën të vijonte studimet në shkollën e lartë turke të Selanikut, në degën e drejtësisë. Studioi vetëm një vit, sepse pas shpalljes së Pavarësisë u gjend menjëherë pranë Qeverisë së Vlorës. Filloi punë si sekretar në Gjykatën e Vlorës dhe me çështjen më të bujshme të asaj kohe, gjyqin ndaj Beqir Grebenesë dhe më tej, përkthyes i Komisionit të Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) pranë qeverisë së Ismail Qemalit dhe më pas të Princ Vidit.

Pas largimit të Princ Widit, në tetor të vitit 1914 ai shkon në Amerikë, i ftuar nga Shoqëria shqiptare “Vatra” për t’u bërë drejtues i gazetës “Dielli“, të cilën e ktheu në të përditshme. Ambiciet e djaloshit 21 vjeçar, karakteri i fortë dhe puna e palodhur, bënë që të konkurronte për kryetar të ‘Vatrës” në korrikun e 1915, çka ishte dhe përplasja e parë me Nolin, i zgjedhur vetëm me pak vota më shumë se ai. Jeta aktive në Washington e bën të njohur në qarqet politike dhe diplomatike, duke qenë njeriu i parë shqiptar që përfaqësonte diplomacinë e Shqipërisë pas Kongresit të Lushnjës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1922. Ndërkohë Çekrezi plotëson shkollimin e tij në Universitetin e Harvardit (1916-1918) dhe fillon punë si profesor i historisë në Columbia University.

Në vitin 1925 kthehet në Tiranë dhe nis botimin e gazetave “Telegraf” dhe “Ora” deri në vitin 1932. Kundërshton rreptësisht qeverinë e Zogut për koncesionet në favor të Italisë, edhe pse kohë më parë ia ka rritur kredencialet duke e proklamuar mbret në “AP” të Vjenës në shtator të 1928, por arrestohet dhe burgoset vetëm 13 ditë më pas po nga ai mbret që kishte shuguruar. Për herë të parë, nga monografia e Andon Andonit, për Kostë Çekrezin, mësojmë se edhe ky, si shumë intelektuale dhe patriotë të kohës, e vlerëson kryeministrin Ahmet Zogu,  por, pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Italinë në vitet 30, në dëm të Shqipërisë bëhet kundërshtari më i rreptë i tij. Është ndër udhëheqësit kryesorë  në kryengritjen e Fierit, për rrëzimin e monarkisë, por me dështimin e saj emigron në Evropë, deri në vitin 1941, kur rikthehet në Amerikë. Themelon shoqërinë “Shqipëria e Lirë” si dhe një qeveri shqiptare në mërgim. Polemikat me Konicën dhe Nolin, tashmë institucionale vetëm mbi çështjen e njohjes së Shqipërisë nga Amerikë dhe mos rikonfigurimin e mbretit Zog pas Luftës së dytë Botërore, janë ato që e bëjnë një ndër më të pëlqyerit në Washington.

Në vitin 1951 Kostë Çekrezi boton librin “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë“, një libër realist jo vetëm për kohën, dhe që u zhduk nga përdorimi, brenda Shqipërisë, për faktin e thjeshtë se ishte një libër antikomunist, por dhe për arsyen e dytë se sapo ishte larguar nga organizata e tij “Shqipëria e Lirë” që kishte kaluar tërësisht në pozitat e mbrojtjes së pushtetit të Enver Hoxhës.

Këtë vëllim të ribotuar nga “Naimi” në vitin 2013, e pata lexuar shumë vite më parë kur një kopje e tij kalonte dorë më dorë nëpër miq. Çuditërisht asnjë nga dëshmitë e tij, nuk është shfrytëzuar nga historianët tanë. Ai nuk paraqet vetëm opinionet e tij, por edhe fakte, e sidomos përpjekjet personale për një Shqipëri të lirë e demokratike. Libri përshkohet jo vetëm nga antizogizmi e antifashizmi, por edhe nga antikomunizmi, nga shpresa tij se vetëm përkrahja dhe marrëdhëniet me Amerikën do ta shpëtonin Shqipërinë dhe shqiptarët nga diktatura e fundit. Qëndrimit të tij ndaj regjimeve antipopullore ju përgjigjën me heshtjen dhe harresën. Pjesën më të rëndësishme në libër e zë pikërisht lufta kundër pushtuesve dhe synimeve të komunistëve për vendosjen e diktaturës e nënshtrimit të verbër ndaj jugosllavëve, krijimi prej tij i organizatës “Shqipëria e lirë” në SHBA, qëndrimi i “Vatrës” dhe  i “Diellit” dhe personaliteteve më në zë të diasporës ndaj Italisë dhe komunizmit dhe, sidomos, përpjekjet për rregullimin e marrëdhënieve dhe për të siguruar përkrahjen e Amerikës, si e vetmja siguri me të drejtë sipas tij për shpëtimin e Shqipërisë.

Planet për copëtimin e Shqipërisë, duke rrezikuar integritetin e Jugut, në fund të Luftës së dytë Botërore e mobilizuan Kostë Çekrezin të protestojë pranë autoriteteve amerikane, për të njohur e rikonfirmuar sovranitetin e Shqipërisë, ashtu siç bëri gjatë presidencës së Wilson më 1919, duke ndërhyrë në nivele të ndryshme të administratës dhe Kongresit Amerikan e duke mobilizuar përfaqësuesit e diasporës, për këtë qëllim. Ishin përpjekjet e tij që bënë që Amerika të ndihmonte me praninë e misionit të vet në Shqipëri gjatë Luftës së dytë Botërore, dhe ishte Kostë Çekrezi njeriu që firmosi në emër të “Shqipërisë së Lirë” kartën Atlantikut, në janar të 1942.

Mbas Luftës pengesa kryesore për mbështetjen amerikane ndaj qeverisë së Tiranës ishte vendosja e regjimit komunist, dhe komandimi nga komunistët Jugosllavë, të tërë jetës së vendit, dhe kthimin e Shqipërisë në një republikë të shtatë të saj. I ashtuquajturi “Komploti i Fultzit” në vitin 1946, të cilin Çekrezi e njihte së afërmi për të cilin  shprehet se e vetmja pazotësi e tij ishte të komplotonte kundër kujtdo, e jo më ndaj një qeverie e regjimi, i dha fund përpjekjeve për Njohjen, edhe pse Çekrezi, trokiti fort në derën e shurdhët të komunistëve shqiptarë me në krye Tuk Jakovën, në misionin e tyre të vitit 1947.

Diplomacia e Çekrezit, leksionet e Harvardit dhe Kolumbia University të Amerikës, nuk pinin ujë. Këto situata janë dhënë me nota realiste edhe në monografinë e Andon Andonit. Ato e kishin zanafillën që në luftën e Spanjës dhe kampin e përqendrimit në Francë në 1941-shin ku në një sherr me Mehmet Shehun, në barakën nr 38 ky i fundit deklaronte se; ”për të rrënjosur komunizmin në çdo vend, qoftë e sidomos në Shqipëri do të jetë e nevojshme të shfarosen të gjithë elementët kundërshtarë, në mënyrë që të mbeten vetëm ata që besojnë pa asnjë rezervë në dogmën e komunizmit” dhe kur Çekrezi e pyeti;  “po nëse shumica e popullit është kundra”, Mehmet Shehu ia kthente pa mëdyshje dhe me gjakftohtësi se “atëherë shumica duhet shfarosur”.

Ai njeh mirë politikën demagogjike të komunistëve shqiptarë, duke vendosur një regjim të dhunshëm e gjakatar. Duke mbetur në analizën gjeopolitike të kohës dhe ndaj komunizmit shqiptar, ai konstaton jo pa dhimbje se “ishin vetë anglo-amerikanët” që e me veprimet dhe mosveprimet e tyre e hodhën Shqipërinë në krahët e bllokut komunist të lindjes. Kostë Çekrezi ishte  një nga intelektualët më të shquar të kohës. Parashikues i hollë i situatave politike të Ballkanit dhe më gjerë, ai mendonte se “perëndimi nuk do të lejonte një fole komunistësh, në mes të Evropës”. Ai kishte besimin dhe bindjen se populli duhej të ndihmohej dhe përkrahej, së paku moralisht nga faktori i jashtëm, pasi ky popull nën këtë regjim diktatorial dhe të frikës, e kishte të vështirë të ngrihej në këmbë.

Monografia “Kostë Çekrezi i treti i munguari”, pasqyron në mënyrë më të plotë e me vërtetësi të gjitha marrëdhëniet që Çekrezi krijoi me librat, gazetat e tij, me bashkëpunëtorët vendas dhe të huaj me të cilët pati lidhje të drejtpërdrejta por dhe përmes letërkëmbimeve të shumta dhe leximeve, siç thotë gazetari Ilir Ikonomi, pa rënë në grackat e pengesat e pabesisë së biografive, duke na dhënë me thjeshtësi e siguri njeriun erudit, dhe plot ndërlikime që e kaloi jetën mes Tiranës dhe Washingtonit. Herë bashkëpunues e herë kundërshtar me Nolin, Konicën,  Zogun, por nga ana tjetër, vetëm mik dhe i vlerësuar nga të huajt, diplomatë të niveleve të larta, profesorë universiteti, gazetarë, personalitete të artit dhe kulturës së mbarë botës.

Është meritë e autorit të kësaj monografie, që veprimtaria e madhe patriotike e atdhetare e Çekrezit, deri tash e panjohur për publikun, jepet në detaje ndodhish historike, nëpërmjet dokumentesh të dorës së parë e gjykimesh të bashkëkohësve, në mënyrë që lexuesi ta njoh këtë personalitet të nëpërkëmbur gjer më sot, të fshehur me pabesi bashkatdhetarëve, për të cilët ai punoi e “luftoi” me vetëmohim. Ai  mbylli sytë në Boston më 10 janar 1959. Në ceremoninë e varrimit Fan Noli e quajti Kostë Çekrezin “burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara“. Ai mbeti deri në fund të jetës antimonarkist dhe antikomunist. Diktatura e dënoi me heshtjen.

Këto botime të librave të tij kryesorë, “Shqipëria e shkuara dhe e tashmja”, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, “Letra shkresa dhe fjalëtore” në origjinal dhe “Udhërrëfyes në komunikim”,  si dhe kjo monografi mbi jetën dhe veprën e Çekrezit, “Kostë Çekrezi – I treti i munguari” e shkrimtarit Andon Andoni nga Shtëpia Botuese “Naimi”, flasin për seriozitetin dhe përpjekjet për ta sjellë edhe njëherë sërish në jetën e sotme këtë njeri të palodhur, erudit të përkushtuar ndaj fateve të mëmëdheut. Ato na njohin me vepra të tjera të Çekrezit jo pa vlera për kohën. Ato ndihmojnë për të njohur një tjetër shqiptar që u përpoq për Shqipërinë e la vepra me vlerë për të, por, na nxisin për të kërkuar më tej në arkiva e shtypin e kohës për ta njohur më mirë, siç e meriton. Ky botim shpresojmë të jetë një nxitje në ketë drejtim për Andonin.

E për këtë duhen përgëzuar.

Faleminderit !

Aleksandër Meksi

Tiranë 23 dhjetor 2016

Botuar në “DITA”  24 .12.2016