Dy fjalë

Dy fjalë

Me emrin e Sadik Premtes lidhet shembulli i parë i reagimit të diktaturave dhe autoritaristëve ndaj atyre që mendojnë ndryshe, ndaj një fraksioni. Veprimi ishte mbyllja e gojës me akte barbare, si vrasje pa gjyq dhe pa asnjë mëshirë. Anastas Lula u vra nga ata që sot kanë emrat rrugëve dhe e majta i quan ende heronj. Me të fillon një natë e gjatë që vazhdoj edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vrasjesh, pushkatimesh të kujtdo që etiketohej si armik i partisë (dhe i popullit). Sadik Premtja është nga të paktët që i shpëtuan këtij rregulli makabër, por ju la harresës keqdashëse. Në errësirën e diktaturës emri i tij përflitej ndër miq të besuar si një rast i veçantë, si një histori që duhej sqaruar?!

Dhe kjo nuk është bërë nga historianët tanë, shumica e të cilëve ende vazhdojnë të jetojnë me botime të mendësisë  komuniste dhe ndonëse kanë kaluar plot 25 vjet na ndërrimi i një epoke  e mundësia e njohjes me   arkivat, por ka mjaft syresh (me tituj e grada) që nuk e kanë kaluar asnjëherë pragun e arkivave të shtetit shqiptar. Ndërsa e majta shqiptare e ka këtë gjë obligim moral, institucionet e shtetit shqiptar që merren apo tentojnë të merren me punët e historisë, e kanë jo vetëm obligim, por edhe detyrë funksionale që të rrëmojnë nëpër arkivat tona, e jo vetë në to, në mënyrë që të zbardhen mjaft ngjarje e personazhe të cilat i ka mbuluar pluhuri i kohës që nga periudha e regjimit komunist, apo kanë qenë të fshirë fare nga defterët e historisë. Për të mos thënë se duhet rrëmuar edhe nëpër arkivat e shteteve  të tjera, ku ka mjaft dokumente arkivore, botimi i së cilave jo vetëm që do t’i nderonte ata studiues e historianë, por gjithashtu do ishte me mjaft dobi edhe për historiografinë zyrtare të Shqipërisë. Kjo gjë ka ndodhur por me raste mjaft sporadike e me nismë nga individë të veçantë.

Në këtë aspekt, ndryshe nga sa cekëm më lart, libri që autori Dashnor Kaloçi sjell para lexuesit, është i pasur me një mori dokumentesh arkivore, që janë dhe “lënda e parë” mbi të cilën duhet të ndërtohet një libër me karakter historik. Dhe kjo gjë është në vazhdën e disa botimeve të mëparshme të tij që kanë zgjuar mjaft interes por dhe reagime gjithashtu, çka është normale kur i përmbahemi caqeve të debatit shkencor, pa përmendur këtu punën e tij për më shumë se dy dekada e gjysmë, vetëm me rubrikën historike dossier. Dhe pas këtyre, po themi sprovave, ku autori në fjalë i ka qëndruar besnik dokumentit dhe burimeve arkivore, ai na vjen me këtë botim të ri, ku si bosht kryesor ka një figurë apo personazh me mjaft histori mbi supe. Historia e së cilit është mjaft e pleksur apo më saktë e pazgjidhshme me pjesën më të madhe të personazheve kryesorë të së majtës por dhe të historisë së dhunshme gjysmëshekullore të shqiptarëve, aktorë të ngjarjeve politike në Shqipëri që nga themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë deri në fund të shekullit të kaluar.

Ndodhitë që dokumentohen e për të cilat flitet shtrihen në një periudhë të gjatë kohe, nga vitet ’40 e pothuaj gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë, (1945-1990). Ato dëshmojnë veprimtarinë e Sadik Premtes, personazhit kryesor të këtij libri, dhe marrëdhëniet me pjesën më të madhe të krerëve kryesorë të udhëheqjes së PPSH-së, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Liri Gega, Hysni Kapo, Manush Myftiu, Kadri Hazbiu, etj etj personazhe të niveleve të tjera të Shqipërisë komuniste. Po kështu, krahas dokumenteve arkivore ku ka qëmtuar me skrupolozitet autori i librit, janë edhe kujtimet e Sadik Premtes, Enver Hoxhës e Dushan Mugoshës, tre personazhe dhe aktorë kryesorë gjatë periudhës së asaj që tashmë njihet si Lufta Antifashiste në Shqipëri, që i japin librit një interes edhe më të madh.

Rëndësia e librit është për disa arsye: E para se ata, për mirë apo për keq, kanë qenë aktorë kryesorë si në fillimet e asaj që njihet si Lëvizja Komuniste në Shqipëri, ashtu dhe më tej në periudhën e Luftës Antifashiste, siç e cituam pak më lart. E dyta; se ata japin gjithsecili versionin e tyre për ngjarje të asaj periudhe kohe, dhe e treta: se ata nisur nga raportet që kanë pasur me njëri tjetrin, si gjatë Luftës ashtu dhe më pas, nuk janë ndikuar nga njëri tjetri në kujtimet e tyre. Vetëm nga kujtimet e këtyre tre personazheve, lexuesi i thjeshtë e ka të qartë dhe e kupton më së miri, se si kanë rrjedhur ngjarjet për disa nga periudhat kryesore historike që ka kaluar Shqipëria. Pra në këtë kontekst, për to ka gjithnjë nevojë për studime të mëtejshme dhe të thelluara, gjithnjë pa paragjykime partiake të shprehura, por bazuar mbi dokumente, kryesisht arkivore. Dhe kjo gjë mendoj se është arritur nga autori i këtij libri, i cili më së paku duhet përgëzuar për këtë punë, pa thënë se duhet mbështetur nga ata që e kanë për detyrë funksionale këtë punë.

Publikimi i këtyre dokumenteve, i hap rrugë studimeve të mëtejshme të historianëve të Lëvizjes komuniste shqiptare, që mbështetur në dokumentacioni, kujtimet  dhe studimet e derisotme ta rishkruajnë këtë periudhë, pa përjashtuar njerëz e veprimtari, pa vetcensurë e mllefe politike si deri dje, për të nxjerrë në dritë botime historike me vlerë që t’i rezistojnë kohës dhe t’u vlejnë brezave që do vijnë.

Prof. Dr. Aleksandër Meksi