Dy fjalë Parathënie për- Kastriot Marku “Kishat e Kurbinit “-Tiranë 2009

Dy fjalë Parathënie për- Kastriot Marku “Kishat e Kurbinit “-Tiranë 2009

Monografia mbi Kishat e Kurbinit është një kontribut me vlera dhe me rëndësi, për të njohur faqe të historisë së krahinës, e në mënyrë të veçantë historinë kishtare dhe ndërtimet e kultit. Duhet të nënvizojmë se autori ka filluar thuajse nga e para, si kërkimet në terren, ashtu edhe  ato në burimet dhe dokumentacionin historik të shkruar. Kjo i ka siguruar atij një paraqitje thuajse shteruese të materialeve në gjendjen e sotme të kërkimeve.

Për rrethana, tashmë të njohura, studimet e derisotme nuk kanë arritur të hedhin dritë për këto aspekte të historisë kishtare dhe asaj të ndërtimeve, prandaj monografia përbën një kontribut me vlerë dhe pikënisje të pamënjanueshme për studimet e ardhshme për këtë trevë dhe ato mbarëshqiptare.

Vëllimi përbëhet prej tre pjesësh që plotësojnë njëra tjetrën. Pjesa e parë trajton organizimin kishtar të krahinës në shekuj, e dyta paraqet ndërtimet kishtare, ndërsa e treta zhvillimin e arsimit që lidhet me kishën. Studimi i organizimit kishtar të krahinës së Kurbinit ndër shekuj bëhet mbas një paraqitje të plotë e shqyrtimi dhe vlerësimi shkencor të burimeve historike dhe  atyre dokumentare, krahas studimeve të derisotme, të cilat nuk janë të pakta edhe pse të shpërndara në botime të shumta,  të cilat nuk mund ti gjej me lehtësi çdo lexues i interesuar për këto probleme. Problemet në këtë temë nuk janë të pakta si për shembull organizimi kishtar në mesjetën e hershme, deri sa fillon të përmendet peshkopata e Krujës, e sidomos të qenët gjatë mesjetës së mesme njëherazi të peshkopatës  të Arbërisë me  atë të Krujës dhe më vonë, me pushtimin osman, vështirësitë e rikrijimit të këtyre strukturave në shekujt XVI-XVII-të. Në monografi autori mban qëndrimet e tija por kjo nuk përjashton nevojën për kërkime të mëtejshme në dokumentacionin historik për periudhat e turbullta.

pjesën e dytë, e cila hapet me një paraqitje të ndërtimeve të kulti të cilat rezultojnë nga dokumentacioni historik deri më sot të botuar, të nevojshëm për identifikim e mbetjeve në terren në trevën e Kurbinit, kisha që autori me një punë  të palodhshme ka mundur t’i gjej në terren dhe janë jo pak por plot 34 monumente. Ato parashtrohen të ndara sipas famullive aktuale: e Milotit, e Laçit dhe e Mamurrasit. Ato shpesh janë të emërtime të ruajtura në mikrotoponimi si: kisha, qela, apo me emër shenjtori, shpesh pak të dukshme apo dhe kisha rrënoj si dhe të rindërtuara e ende në këmbë. Falë kësaj pune autori apo dhe studiues të tjerë do të kenë mundësinë për thellime të kërkimeve, qoftë për kërkime  arkeologjike në këto vende që do të sqarojnë më mirë deri dhe plotësisht tipologjinë, ndërtimin, mbetje eventuale të zbukurimores dhe vendosjen në kohë, duke pasuruar dhe plotësuar njohjen tonë mbi to. Kjo pjesë e dytë mbyllet me një sprovë, për aq sa lejojnë mbetjet, të paraqitjes dhe analizës së përbashkët për tipologjinë, teknikat e ndërtimit të përdorura dhe vlerat e këtyre kishave.

pjesën e tretë  kemi një trajtesë të të dhënave që rezultojnë si nga Relacionet e etërve françeskanë, të cilët patën  vizituar krahinën gjatë shekujve, ashtu edhe nga të dhënat e klerit vendas, sidomos për shekujt e fundit, për shkollat që ishin hapurën këtë trevë pra për traditën arsimore të klerit dhe popullsisë vendase.

Vëllimi mbyllet me indeksin e emrave dhe vendeve, me një fjalorth të termave kishtare dhe ndërtimore  të përdorura, me skica harta dhe foto ilustruese të materialit si dhe me një shtojcë ku përfshihen pjesë të Relacioneve që lidhen me krahinën e Kurbinit. Të gjitha këto plotësojnë studimin dhe e bëjnë më pranë lexuesit subjektin e librit.

Monografia është një sprovë me vlerë, një kontribut i mirëfilltë shkencor që kemi besim dhe urojmë të pasohet me kërkime të mëtejshme në Kurbin dhe trevat pranë për të pasur në dorë një tablo më të plotë e një histori më afër realitetit.

 

Aleksandër Meksi

Tiranë 8 Prill 2008