Dy fjalë per Librin e A.Civicit

Dy fjalë per Librin e A.Civicit

Dy fjalë (ose  Parathënie)

Kalimi nga sistemi komunist në atë demokratik ishte jashtë çdo diskutimi një përmbysje e madhe  shumëplanëshe. I tillë ishte dhe transformimi i ekonomisë nga ajo socialiste e planifikuar dhe e qendërzuar në ekonominë e tregut të lirë. Përmbysja as nuk kryhej e as nuk u krye brenda një dite por kërkonte vite të tëra, ku më pak e ku më shumë, në varësi të nivelit të trashëguar, strukturave e legjislacionit që duhej ndryshuar, mundësive pra dhe impenjimit për ta kryer atë më shpejtë ë e më mirë.

Në Shqipëri deri më sot ka një retorikë për “tranzicionin”, por mungojnë studimet e botimet e mirëfillta në plan përgjithësues botëror ashtu siç dhe lipsej për vendin tonë. Në këtë aspekt nisma e Profesor A. Civicit është një hap mjaft interesant dhe me vlerë aktuale, duke na dhënë një libër mjaft të dobishëm.

Autori paraqet në këtë studim analizën  e sistemit socialist dhe krizën e tij dhe ballafaqimin me rrugën për ndërtimin e një modeli të ri socio-politiko-ekonomik sipas  shembujve të vendeve të demokracive perëndimore. Jo të gjithë  e kanë jetuar që nga fillimi periudhën e tranzicionit, ashtu siç janë të shumtë edhe ata që nuk e kanë jetuar komunizmin dhe diktaturën, mjerimin ekonomik, shoqëror e njerëzor që e shoqëronte e që për këtë arsye nuk arrijnë të pranojnë e kuptojnë pashmangësinë e zgjidhjeve radikale, vështirësitë,  mosarritjet dhe gabimet e tranzicionit në vendin tonë. Parashtrimi i rrjedhshëm e i qartë si dhe niveli i trajtesës tregojnë më së miri dhe bindshëm se kjo përmbysje ngjalli shpresa e debate, por dhe zhgënjim e pakënaqësi me tensione sociale, në vartësi të pritshmërisë dhe njohjes së  rrugës që do shkelej dhe kurajës që nevojitej, për ta përmbyllur me sukses atë.

Kalimi nga një gjendje në një tjetër, kërkon një periudhë kalimtare në të cilën shpesh mbeten elementë, shfaqje të gjendjes së mëparshme krahas të resë që krijohet. Për këtë shkëputja nga e kaluara diktatoriale e gjakësore kërkonte një thyerje e largim të menjëhershëm e me kurajë sepse çdo zvarritje apo qëndrim nostalgjik ndaj saj do të zgjaste tranzicionin dhe dhimbjen e sakrificat që e shoqërojnë, krahas mbetjes prapa nga vendet e tjera për shkak të ritmeve të ulta të zhvillimit.

Libri paraqitet në tre pjesë të ndara  natyrshëm për të mundësuar  analizën mbi problematikën e gjerë të temës nga planifikimi tek ekonomia e tregut. Në pjesën e parë paraqitet ekonomia e ish vendeve socialiste,  ndërtimi i shtetit dhe i strukturave ekonomike dhe analiza e tyre si dhe dështimi i paevitueshëm. Në pjesën e dytë trajtohet pikërisht tranzicioni nga plani tek tregu duke analizuar metodat, platformat ecurinë dhe rezultatet në vendet e ndryshme. Pjesa e tretë paraqet refleksione mbi vetë tranzicionin e rolin e ndërkombëtarëve, pra një analizë për rrugët e shkelura, rezultatet konkrete  dhe të ardhmen e  këtyre vendeve.

Me një analizë  në shumë plane lexuesit i jepen konsiderata dhe shpjegime të autorëve të ndryshëm, krahas gjykimeve të vetë autorit, për formën e thelbin e sistemit socialist, rezultatet e tij në ekonomi dhe mirëqenien e popullit, që duhet të kihen parasysh dhe sot nga ata që mbivlerësojnë rolin e shtetit në ekonomi. Me të drejtë nënvizohet mendimi se socializmi u realizua si një sistem ekonomiko- shoqëror që kërkonte të përmbyste  modelin liberal të ekonomisë duke  zëvendësuar pronën private me atë kolektive dhe planifikimin e detyrueshëm, të centralizuar, e global. Dhe këto realizoheshin nëpërmjet  pushtetit të diktaturës së proletariatit, pra me dhunën e shtetit.

Autori i shqyrton përvojat e socializmit në të gjitha variantet që në fillimet e deri në shembjen, duke rezultuar libri me interes të veçantë për lexuesin shqiptar si një burim informimi të plotë e shkencor. Në libër krahas analizës së hollësishme të anëve negative dhe dështimet e sistemit, jepen imtësisht dhe përpjekjet për mbajtjen në këmbë të tij me pseudoreforma, nga ato të viteve ’60 e deri te “perestrojka”, sprova e fundit e tij,  duke përfunduar me shembjen pikërisht nga dështimi ekonomiko-social i tij.

Ishte pikërisht ky dështim i plotë në të gjitha vendet e “kampit socialist” që solli nevojën për një periudhë kalimtare nga plani tek tregu, një periudhë përmbysjesh dhe ndërtimi të ri, refuzimi e rezistence, dhimbjesh dhe arritjesh që shprehen me zhvillim ekonomik, por dhe me probleme të shumta në varësi të nivelit dhe mendësive politike e sociale të secilit nga vendet e Evropës ish-komuniste. Me interes është dhe analiza, dhe pse e shkurtër,  e sistemit ekonomik shqiptar ndër vitet 1945 dhe 1990, që përbën një kontribut me interes për një periudhë të historisë sonë që ka ndikuar të tashmen dhe të ardhmen tonë, Besoj se  ky kontribut do të vlejë për një studim më të plotë të saj, tepër i nevojshëm për jetën politike të vendit tonë.

Periudha e tranzicionit nga sistemi i diktaturës së proletariatit dhe ekonomisë së planifikuar në atë të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë, paraqet siç vëren dhe autori, dukuri të ndryshme në vende të ndryshme, në vartësi të nivelit, programeve të zbatuara dhe sigurisht të ndihmës së dhënë nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e tyre financiare. Kjo periudhë reformash shumëplanëshe si për ndërtimin e një shteti të ri, institucioneve dhe bazës së re ligjore, në krijimin e tregut të lirë me ligjet e veta, me ndryshimin thelbësore të mendësive  të individëve e strukturës sociale e asaj politike nuk mund të ishte e njëjtë në të gjitha vendet e as të zbatonte të njëjtat mësime apo reforma. Pati vende me zhvillim më të lartë dhe dhunë politike më të vogël gjatë diktaturës, të cilat ecën më shpejt, sigurisht jo pa vështirësi, por që po integrohen në Evropën e Bashkuar. Rol luajtën këtu dhe dallimet jo aq të justifikuara në ndihmën e dhënë, apo dhe përkrahja e liderëve që nuk e meritonin, që shpesh ishin rezultat simpatish dhe marrëdhëniesh e interesash historike.

Në një kuadër të tillë, qeveritë e vendeve në tranzicion hartuan politika e “modele” jo çdo herë të qëndrueshme, që dhe kjo ndikoi në ecurinë tyre. Tranzicioni siç shpjegohet dhe në këtë libër nga Ardian Civici, në aspektin ekonomik synonte të realizonte: të drejtën e pronës, formimin e lirë të çmimeve, lirinë ekonomike dhe konvertibilitet të monedhës.  Në libër trajtohen me hollësi të gjitha aspektet e përvojës të vendeve  në tranzicion mbi një literaturë të pasur, e jo vetëm aspektet, por dhe problemet e krijuara si dhe kapërcimin ose jo të tyre, sidomos e problemeve sociale rrjedhojë e ndryshimeve të mëdha.

Prof. Civici në parashtrimin e kësaj rruge paraqet të gjitha veçantitë e përvojat duke na dhënë mundësinë që sot të kuptojmë më mirë rrugën  e kaluar e gabimet, por dhe të kuptojmë çfarë kemi akoma për të bërë e ribërë. Paraqitja e hollësishme me shembuj të shumtë e konkretë me analiza e gjykime të mjaftë autoriteteve  e bënë mjaftë të dobishme këtë analize të tranzicionit, për të njohur më mirë e saktë përvojat e ndryshme dhe dobinë e tyre, që nga “terapia e shoc-ut” deri tek gradualizmi.

Në këtë studim nuk kanë mbetur pa u shqyrtuar e analizuar  dhe probleme të rëndësishme si ato të privatizimit dhe të pronësisë, me vështrim të veçantë për problemet që lidhen me pronës bujqësore dhe me bujqësinë, me një paraqitje të specifikave për vendet e veçanta përfshirë këtu dhe Shqipërinë.

Pjesa e fundit e cila ka përfundime e analiza të rëndësishme trajton refleksione  mbi tranzicionin si praktikë, teori apo doktrinë si dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë, që është një paraqitje e gjykimeve të autorit, studiuesve dhe institucioneve për  vetë tranzicionin, modelet dhe aspektet e shumta të tij duke shqyrtuar vendet  më vete dhe kjo paraqitje e sintezë besoj se do ti vlejë të gjithë atyre që janë të interesuar për studimin e periudhës e jo vetëm tyre por dhe aktorëve të politikës që e hartojnë e zbatojnë atë. Libri gjithashtu është fryt i konsultimit me literaturën e shumtë që ka dhe na e paraqet atë në fund, çka mund të ndihmoj çdo të interesuar. Është një libër i dobishëm për të gjithë ne nga njerëzit  e politikës, ekonomisë, studiuesit dhe mediave e deri tek qytetarët e  interesuar dhe mendoj se do shërbej për nxitje të studimit me hollësi, dokumente e shifra të tranzicionit  shqiptarë pa e ndarë nga jeta e trazuar e me zigzage e politikës tek ne.

Aleksandër Meksi

Tiranë 28 Prill 2014