Dy fjalë për monografinë “Arkitektura vernakulare e Kosovës” e Flamur Dolit

Dy fjalë për monografinë “Arkitektura vernakulare e Kosovës” e Flamur Dolit

Monografia e Flamur Dollit për arkitekturën popullore të Kosovës paraqet një kontribut me vlerë dhe me mjaft interes për kulturën shqiptare dhe historinë tonë. Ajo është një sprovë origjinale, e mbështetur në një metodologji shkencore dhe bindëse, rezultatet e së cilës duhet të merren parasysh nga studiuesit e disiplinave të tjera albanologjike të interesuar për origjinën e popullit tonë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare. Karakteristikë tjetër për tu shënuar e monografisë është ndërthurja e rezultateve dhe të dhënave të shumë disiplinave pra studimi gjithëpërfshirës i monumenteve që ruhen me dëshmitë dhe rezultatet e kërkimeve nga prehistoria e deri më sot.

Arkitektura popullore e sidomos banesa, vështrohet nga autori si një veprimtari jo vetëm spontane por dhe e qëndrueshme e një popullsie të veçantë, si një veprimtari e përbashkët me vepra të krijuara sipas përvojës dhe nevojës së përbashkët. Studimi evidenton se strukturat hapësinore të arkitekturës vernakulare të Malësisë Veriut Shqiptar vijojnë nga prehistoria në ditët tona, mbështetur në përfundimet e arkeologjisë të antikitetit ilir, të dhënat e së cilës  kanë shërbyer dhe janë shfrytëzuar e analizuar me rigorozitet nga autori. Po kështu në dobi të këtyre tezave është shfrytëzuar me kritere shkencore lënda etnografike dhe ajo e kulturës materiale tjetër. Në këtë mënyrë autori bije me monografinë e tij një kontribut thelbësor në temën përherë të diskutueshme të vijueshmërisë nga pellazgët deri në ditët tona.

Materialin bazë arkitektonik e përbën “Kulla shqiptare”. Paraqitja dhe studimi i larmisë së kullave në trevën shqiptare të Kosovës dëshmon për tipare të theksuara kombëtare në arkitekturën dhe zbukurimoren,sepse e tillë kjo tipologji arkitekturore u përdorë në shekuj vetëm nga shqiptarët dhe u ndërtua mbi të njëjtat kërkesa e ide, që buronin nga mënyra e tyre e të qënit dhe jetesës deri sa në stadin e fundit kemi tipizim e standardizim. Në monografi analizohen elementët përbërës të kullës dhe vendi i tyre në funksionimin dhe arkitekturën së banesës (dhoma e miqve, shtëpia e zjarrit) si dhe hallkat e tjera të zhvillimit të kësaj tipologjie (hajati,çardaku dhe dyshekllëku), deri tek tipi i shtëpisë me çardak e me zhvillime të mëtejshme. Me interes janë dhe përfundimet klasifikuese të autorit shoqëruar me analizën dhe tiparet e mjediseve të veçanta dhe zhvillimet e karakterit mbrojtës të kullës shqiptare, madje dhe i komplekseve  krahas vendit të kullës në urbanistikën e vendbanimit.

Vend të veçantë në monografi zënë dhe ambientet ndihmëse të kullës si hambari dhe koshi, si njësi ndërtimore me tipare të mbijetuara nga lashtësia, pa ndarë nga shqyrtimi i zbukurimores së objekteve të tjera të banesës, si magja, arka, djepi. Të gjitha këto shoqërohen, si dhe shembujt e kullave tipike që trajtohen në monografi,  me materiale ilustruese të bollshme që mbështesin dhe e bëjnë bindëse analizën dhe përfundimet e drejta të autorit.

Me interes dhe gjithnjë në vijim të logjikshëm me dy pjesët e tjera është dhe pjesa e tretë “Mitologjia Shqiptare në arkitekturën popullore” d.m.th ornamentika  popullore nga kompleksi i hyjnive mbrojtëse të shtëpisë. Fillimisht shqyrtohet teknika e aplikimit të zbukurimeve si teknika e skalitjes së cekët dhe përshkruhen sipas tipologjisë me shembuj të shumtë përhapja e gjerë e tyre; kulti i diellit, simbolika e lëvizjes së trupave qiellor, shpendi i moçalit . Po kështu paraqiten e analizohen hyjnitë mbrojtëse të banesës si kulti i vendeve të larta, kulti ktonik i gjarprit, kulti i gjinjve të gruas e tj.  Autori me të drejtë vlerëson shtrirjen e ornamenteve në kohë e hapësirë dhe ajo çka është me rëndësi  vijueshmërinë e tyre qysh nga lashtësia.

Autori e përfundon monografinë duke nënvizuar, çka e pati dhe synim, vijueshmërinë pandërprere të elementëve vendas, që përbën një kontribut me shumë vlera shkencore e origjinal në mjaftë aspekte, rezultat i studimit të arkitekturës vernakulare pandarë nga arkeologjia, mitologjia, etnografia, një metodë me mjaftë rezultate që nderon autorin dhe punimin. Botimi i monografisë që paraqet  një qasje të guximshme studimore në aspektin e metodës dhe gjykimit, do të jetë një shembull stimulues dhe për kërkime të tjera në lëmin e kulturës materiale si për trajtesën multidisiplinare të objekteve dhe tërësisë së tyre ashtu dhe për përfundimet që i dalin. Ajo është një gur i rëndësishëm në themelet e studimeve të kulturës materiale të ilirëve dhe shqiptarëve në zhvillim ndër shekuj

Aleksandër Meksi

Tiranë 1,08.2008