Dy fjalë

Dy fjalë

Vëllimi  me kujtime “Vëllai i  pengut” i Reshat  Agajt paraqet një dëshmi  rrëqethëse kundra diktaturës që  meriton  të lexohet. Ai bën pjesë në zhanrin e kujtimeve historike që sot janë nga më të lexuarat, duke zënë një  vend  të madh në panairet e librit. Është një borxh ndaj të kaluarës kur botoheshin vetëm dokumente të Partisë së Punës dhe të luftës, që ndryshonin sa herë që diktatori çonte tek të shumtët kurbanin e radhës, botoheshin kujtimet kilometrike të “udhëheqësit të proletariatit botëror”.e tje. Botimet e sotme janë të shumëllojshme; dokumente të arkivave të huaja për Shqipërinë, monografi për figura të shquara  apo për ngjarje  të shënuara historike, kujtime, ditarë etje.

Në këtë mozaik botimesh zë vend edhe ky vëllim me kujtime , apo siç e quan autori “Vëllai i pengut”, ditar i shkruar   në Amerikë nga Reshat Agaj,  një nga intelektualët më të njohur vlonjatë, që ndonëse njeri me moral dhe integritet të spikatur, regjimi komunist, qysh në fillim, e burgosi dhe e torturoi deri në skaj të ekzistencës. “ Fajet ‘’ e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe për drejtësi shoqërore. Mbasi e burgosën pa asnjë shkak, e torturuan në mënyrë të përbindshme  si mijëra intelektualë të tjerë, veçanërisht në vitet e para të vendosjes së diktaturës sllavo komuniste në Shqipëri, e detyruan të “arratiset” në perëndim ,i kërkuan të bëjë të pamundurën; të spiunonte të arratisurit , disa prej të cilëve ishin të afërm të tij. Dhe për të qenë të sigurt, me që nuk i besonin,  i mbajtën peng të vëllain, një veprim kriminal i stilit mafioz, produkt i mendjeve të sëmura të sigurimit të shtetit. Ai ishte një vendim i prerë dhe nuk vlente asnjë kundërshtim.”Për të kishte firmosur komandanti” d.m.th Enveri.

Për një intelektual të spikatur, të ndershëm dhe  atdhetar, një detyrë e tillë  e pamundur ishte vazhdim i burgut dhe i torturave. Gjithsesi ai pranoi sepse ishte i detyruar por që për asnjë çast nuk mendoi se do t’u shërbente atyre që i kishin vrarë të afërmit, i kishin sekuestruar mall e gjë, e kishin burgosur e torturuar. Dhe sapo e nxorën në tokën e huaj ai u dorëzua tek misioni amerikan dhe u tregoi gjithçka, për detyrën  që I kishin ngarkuar, për jetën e tmerrshme  që kishte kaluar. Një dramë e vërtetë shkruar me thjeshtësi dhe sinqeritet që të mban peshë kureshtjen, një libër i veçantë në përmbajtje , i sinqertë,  pa mllefe dhe konotacion politik. Ky është libri i jetës së Reshat Agajt, i njeriut që e shkoi jetën në emigracion, i përmalluar, larg  njerëzve  të afërt, që i vdiqën burgjeve dhe internimeve. Çdo   historian, studiues apo krijues ky libër do t’i  shërbejë si lëndë e parë në njohjen konkrete të  periudhës më  të zezë të historisë sonë , periudhën e vendosjes dhe konsolidimin e diktataturës komuniste që për katër dekada ushtroi dhunë dhe gjenocid ndaj një populli  të vuajtur dhe të shtypur deri në ekstrem.

Ndonëse kujtimet janë personale ato arrijnë në përgjithësime të mëdha. Tabloja që përshkruan Reshat Agaj është e gjallë dhe konkrete, me disa raporte   dhe marrëdhënie që kapërcejnë kufijtë e absurdit. Kështu, ndonëse kishte nip ministrin e brendshëm , Kadri Hazbiun, ndonëse e kishte shok rinie Mehmet Shehun apo ishte mik me  Hysni Kapon , përsëri ujkonja e kuqe hante edhe  pjellat e saj. Autori  hedh një dritë tjetër për këto personazhe të historisë, por edhe për të tjerë , më pak të njohur , kriminelë të vërtetë si nëpunësit e sigurimit famëkeq si Nesti Kerenxi apo Skënder Konica që e torturuan me sadizëm për muaj me radhë në birucat e Ministrisë së Brendshme.

Për ne me  interes edhe janë raportet e autorit me dy njerëz të shquar të letrave , me Petro Markon dhe Shefqet Musarain. Dy shkrimtarët e njohur antifashistë, që kishin luftuar me armë në dorë kundra pushtuesve, e   ndjenin njësoj peshën e presionit të instrumentit  të tmerrshëm të sapokrijuar, sigurimit të shtetit që drejtohej në fillim nga UDB-ja jugosllave dhe më pas nga KGB-ja ruse. Detyra e parësore e tij ishte përndjekja dhe surveimi i intelektualëve , i atyre që ishin truri dhe shpirti i një kombi. Në ato vite , por edhe më vonë , ishte fatkeqësi të mendoje dhe të veproje me mendjen tënde, ishte “ gabim”  që ndëshkohej rëndë. Regjimi   komunist u instalua me zjarr dhe hekur, në radhë të parë duke persekutuar dhe burgosur intelektualët .

Përshkrimi i  gjyqeve të njëpasnjëshme kundra tyre dhe i burgjeve famëkeqe të tipit hitlerian,  janë faqet më tronditëse në këtë libër me kujtime. Çdo njeri me shkollë të lartë , personalitet i shquar apo i njohur dhe me reputacion për “ djemtë” e zbritur nga mali ,  me jataganë e maliherë, ishte një armik  potencial që duhej asgjësuar dhe  lufta e vërtetë nuk qe ajo me pushtuesit nazifashistë , se këtë e bënin aleatët, por ajo kundra popullit që e kundërshtonte, kundra intelektualëve me dinjitet dhe me integritet. Slogani i “çlirimtarëve”  ishte: “bota fillon me ne “ , e kaluara për ta  ishte kriminale, dhe mbi gërmadhat e së vjetrës do të ndërtonin “botën e re”; të gjithë të barabartë në varfëri dhe injorancë. Përshkrimet e varfërisë dhe mjerimit janë  të përmasave migjeniane , me forcë realiste sugjestionuese,që kontrastojnë  më shumë nga krahasimi që bën autori me botën ku emigroi , me  Kanadanë e largët dhe të ftohtë, me  vendin e lirisë dhe mirëqenies. Megjithatë dashuria për atdheun dhe  të afërmit , për patriotin Reshit Agajn qe brenga  dhe dhembja më e madhe që e ndoqi deri në fund të jetës. Kur mendon për ato që ke lexuar nuk është vështirë të arrish në përfundim se këtu nuk janë vetëm vuajtjet dhe persekutimi i një njeriu por ngjarje që kaloi gjithë shoqëria shqiptare, është jeta jonë për dekada që tani na duket sikur nuk e jemi ne ata që e kemi jetuar  por të  tjerë. Diktatura ishte një saç për të gjithë, që digjte dhe shkrumbonte njësoj; si poshtë  ashtu edhe lart.

Duke shkruar këto kujtime autori nuk ka pasur për qëllim të bëjë detyrën e historianit apo të shkrimtarit , megjithëse në to ka edhe histori edhe art. Qëllimi I autorit ka qenë thjesht t’u lejë një kujtim të afërme që mbylli sytë pa I parë për më se tri dekada, t’u bëjë një homazh të gjithë atyre me të cilët ndau vuajtjet e burgjeve komunistë , si dhe emigrantëve politikë që u shpërndanë në botë si zogjtë e qyqes. Autori nuk merr përsipër të bëjë analiza të thelluara por vetpërshkruan jetën e tij dhe të fisit që ja zhbiu diktatura.

Ndaj botimeve të tilla denoncuese shoqëria e sotme duhet të jetë shumë e hapur. Por ende mungojnë strukturat që të mundësonin dhe realizonin kërkimet dhe botimet për periudhën e turpshme të diktaturës komuniste në  Shqipëri, që ajo të njihet dhe të mos përsëritet.

Për të kuptuar mirë antikomunizmin dhe atdhetarinë e Reshat Agait po japim një detaj mjaft interesant nga jeta e tij. Ai ndërroi jetë më 15 Tetor të vitit 1981në Kinosha të shtetit Wisconsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u përcoll me nderim në varrezat e Memorial Park në Detroit. Tek pllaka e varrit shkruhej  “Të Zotit jemi e tek ay do të kthehemi”. Një muaj më vonë erdhi në Vlorë testamenti i tij ku shkruhej se Kadrija, vajza e tij dhe Astriti djali i të vëllait Pertefit, gëzonin secili nga 25000 dollarë amerikanë, por me dy kushte. Së pari, nuk mund të bëheshin zotërues të kësaj shume para vitit 2000 dhe së dyti, në se jetonin më shumë se një vit në një shtet jo komunist.  Ai e njihte mirë komunizmin dhe sidomos atë shqiptarë dhe krerët gjakatar të tij. Dhe nuk u gabua.

Aleksandër Meksi

Tiranë më 15 Korrik 2009