Dy monumente kulti në gjirin e Vlorës

Dy monumente kulti në gjirin e Vlorës

Gjiri i Vlorës është një territor i banuar gjatë shekujve dhe me një qytetërim të zhvilluar. Gjurmë të shumta nga të gjitha epokat janë të pranishme mbi tokë por edhe nëntokë.  Ne kemi veçuar dy prej tyre që ruhen të plota, Kishën e Marmiroit dhe Xhaminë e Muradies.

Kisha e Marmiroit në Orikum,  gjendet në jug të Pashalimanit, në një kodër veçuar në majë të një kodre, e rrethuar me mure dhe rrënojat e një ndërtese të përdorur për banim. Kisha njihet me emrin “e Marmiroit”, emër i cili del në burimet historike në vitin 1307. Ajo përbëhet nga naosi, me planimetri kryqi të lirë, dhe narteksi  i rrënuar, në anën perëndimore të tij. Ndërtesa  ka tri hyrje: një nga veriu, një nga jugu dhe një nga perëndimi që  e lidhte me narteksin. Në brendësi kisha ka formë kryqi me krahë jo të barabartë. Në murin lindor ndodhet absida gjysmërrethore, e ndriçuar nga një dritare e vogël. Mbi katër pilastrat e formuara ndërmjet krahëve të kryqit dhe që mbarojnë me nga një gur kornize, ngrihen qemerët që i mbulojnë dhe që, si hark mbajtës me ndihmën e trekëndëshave sferikë, formojnë bazën  për tamburin dhe kupolën me një kornizë e hollë prej pllakash guri, mbi të cilat janë katër dritare të ngushta dhe të larta që mbulohen me gjysmë tjegulla. Tamburi përfundon me kornizë tullash e mbi të mbështetet me çatia konike e kishës.

Në anën e jashtme kisha ka formën e kryqit të lirë me krahë të ndryshëm. Krahu lindor është më i gjatë, më të shkurtër janë ai verior dhe jugor. Krahët e kryqit përfundojnë me frontone. Edhe krahu perëndimor mbulohej me çati dyujëse që vijonte te narteksi. Narteksi, me planimetri drejtkëndëshe, ka arritur deri në ditët tona  me mure të rrënuara në nivel të ulët, megjithatë duken qartë lidhjet me murin e naosit, çka flet për njëkohshmërinë e ndërtimit.

Teknika e ndërtimit të mureve është me gurë të çrregullt e me copëra tullash e tjegullash të vendosura ndërmjet tyre. Me gurë të punuar janë ndërtuar qoshet dhe portat si në shpatullat, ashtu edhe në arkitra dhe pragun e tyre. Vetëm në absidë ka disa breza tullash, me sa duket të vendosura për efekt estetik. Me rëndësi janë vendosja e dy tullave vertikale, të vendosura në jug të dritares së absidës, që tregon se ndërtuesit e kësaj kishe njihnin sado pak teknikën bizantine të kluasonazhit.

Në siluetën e kishës vërehet një farë kontrasti vëllimor ndërmjet naosit dhe kupolës, e cila i jep një pamje të rëndë, sepse kupola duket mjaft e madhe për kishën. Për një ndërtim të tillë ka luajtur rol vetë materiali i përdorur, gur i papunuar, i cili detyrimisht, edhe për të përballuar shtytjen e kupolës, do të binte një tambur të madh dhe cilindrik. Për të njejtën arsye edhe vetë trajtimi i godinës është i thjeshtë, mungon tërësisht zbukurimi, faqet e mureve janë të trajtuara thjesht dhe në mënyrë të rrafshtë. Përkujdesje është treguar vetëm për absidën dhe për portën jugore mbuluar me arkitra dhe një hark të rremë. Të vetmet vija që perceptohen, janë brinjët anësore, të cilat vijnë duke u përsëritur në krahët e kryqit, duke theksuar vertikalitetin nëpërmjet fragmentimit të faqeve, por dhe duke nxjerrë në pah rëndësinë e kupolës. Kisha, e ndërtuar në një vend shkëmbor, me përmasat e vogla dhe me muret e punuara thjesht, jo vetëm duket si një bllok i vetëm, por ka edhe një efekt tepër piktoresk. Në brendësi mbizotërojnë si aksi vertikal me kupolë mbi tambur, edhe aksi gjatësor, duke bërë që naosi të mos ndihet aq i vogël sa është.

Kishat e këtij tipi hasen gjatë tërë shekujve të Mesjetës. Por, formulimi pak a shumë rigoroz i faqeve të mureve dhe kupola e madhe cilindrike, e cila sidoqoftë kushtëzohet nga materiali i përdorur, të bëjnë të mendosh për një datim të hershëm të kishës, sepse në vendin tonë gjatë shekujve XIII-XIV këta elementë ua kanë lënë vendin zbukurimeve me tulla dhe kupolave shumëfaqëshe dhe elegante në përmasat e tyre. Me rëndësi është për këtë kishë dhe përdorimi në absidë i tullave vertikale që na shtyn ta datojmë kishën në shekujt XII-XIII.

Krahasimi me kishat e vendeve fqinje ndihmon për këtë. Kisha të tilla, të vogla dhe pa narteks, në Bullgari e Ish jugosllavi  datohen në shekujt XII-XIII. Nga kjo mendojmë se Kisha e Marmiroit mund  të jetë ndërtuar, me shumë gjasë, në shekujt XII-XIII, por ka dhe mendime për një kohë ndërtimi më të hershme , rreth shekullit të X-të.

Xhamia e Muradies në Vlorë. Një ndër objektet më me vlerë të qytetit të Vlorës, ndodhet në qendër të tij dhe përbëhet nga salla e lutjeve dhe minarja, ndërsa nga portiku i dikurshëm që ka qenë në  anën veriore, kemi bazamentin dhe gjurmët në mur të strukturave të dikurshme të drunjta të çatisë.

Në sallën e lutjeve, me përmasa  të planit 8,70×8,55 m, hyhet nga porta e vetme që ndodhet në anën veriore, e cila mbulohet me hark të ulët, pjesë e një portali, karakteristik për xhamitë e kohës. Shpatullat e portës, si dhe pragu  i saj, janë prej gurësh gëlqerorë të mermerizuar një copë, ndërsa harku është ndërtuar me gurë të vendosur sipas rrezeve, që  në faqet e kontaktit ndërmjet tyre kanë nga një dhëmbëzim e një buzinë të punuar pak më thellë. Në secilin gurë ka nga një rozetë të gdhendur që del pak mbi sipërfaqen e gurit. Mbi hark ka një pjesë drejtkëndore, , që ka në qendër një pllakë aty ku zakonisht është mbishkrimi ndërtimor, vendi për të cilin është me përmasa 120x59cm. Në të dy anët e portalit  janë dy dritare drejtkëndore. Ato janë pak në brendësi të murit dhe kanë, në pjesën e sipërme, një nike që mbulohet me gurë që dalin të shkallëzuar, njëri ndaj tjetrit. Shpatullat dhe mbulesa e dritareve janë me gurë të skuadruar. Pjesa mbi arkitraun është e punuar në mënyrë të rregullt dhe aty shohim fragmente të një harku shkarkues me tulla.

Përballë portës së hyrjes për në sallën e lutjeve është mihrabi me prerje gjysmërrethi, me stalaktite në pjesën e sipërme dhe i rrethuar nga një kornizë drejtkëndore. Në të djathtë të tij ndodhet minberi. Salla ndriçohet bollshëm nga dritare të shumta në të gjitha faqet. Me përjashtim të faqes veriore që, siç pamë, kishte vetëm dy dritare, faqet e tjera kanë nga pesë dritare, të vendosura në tri radhë. Dy dritaret e poshtme janë shumë më të mëdha se të tjerat. Ato mbulohen me hark të mprehtë në formë fundlundre, të ndërtuara me gurë të skuadruar në formë pyke, që këmbehen me nga dy tulla. Harku rrethohet  nga një shirit tullash pak të gdhendura për t’u dukur  më të holla. Edhe dy dritaret e rreshtit të sipërm kanë forma të njëjta, por janë më të vogla, ndërsa  dhe më e vogël është dhe dritarja e vetme e rreshtit të tretë, që ndodhet ndërmjet trompave. Ajo ka një kornizë mbi  harkun me tulla të vendosura për së gjati.

Në anën e jashtme vëllimi kubik i sallës së lutjeve është një ndërtim mjaft i rregullt. Muratura, me gurë e tulla, është ndërtuar  me mjeshtëri. Ajo përbëhet nga dy rreshta gurësh të skuadruar bukur, që këmbehen me dy rreshta tullash. Në nivelin e kulmit të harqeve të dritareve të rreshtit të dytë ka një kornizë të hollë prej gurësh të profiluar . Mbi të, vëllimi kubik pëson ngushtim të lehtë dhe pjesët anësore i ka me çati trekëndëshe më të ulëta në qoshet, mbi të cilat kemi tamburin dymbëdhjetë faqesh, që vazhdon më drejtpërsëdrejti nga faqet anësore. Mbi pjesën e tamburit, të ndërtuar me gurë e tulla, kalon një kornizë horizontale, me gurë të gdhendur bukur, me profil të lakuar që, nga përmasat, tregon se duhet të ketë qenë fundi i muraturës. Megjithatë, tamburi vijon dhe më lart, por i ndërtuar me gurë të çrregullt dhe duke përfunduar me një kornizë të thjeshtë. Ky ndryshim mund të shpjegohet: ose tamburi është ngritur më vonë, pas ndonjë riparimi të çatisë, ose tamburi ka qenë në atë pjesë më i ngushtë dhe është bërë më i gjerë, por mund të kemi ndonjë riparim të kupolës.

Element mjaft me vlerë i xhamisë është minarja. Ajo përbëhet nga bazamenti shumëfaqësh; i ndërtuar me gurë të punuar, pjesa kalimtare; trungpiramide dhjetëfaqësh, po me gurë të punuar, trupi i minares katërmbëdhjetëfaqësh me gurë të punuar e fuga të holla, kazani me stalaktite në pjesën e poshtme dhe përfundimi i minares.

Minarja e xhamisë së Muradies është shumë cilësore. Mënyra e njëtrajtshme e ndërtimit, me gurë të gdhendur, e bën atë të duket një copë. Në mënyrë të veçantë bie në sy puna e mirë e ndërtimit, me gurë të punuar në formë stalaktitesh e pjesës së nxjerrë konsol të kazanit, një ndër shembujt më të arritur në vendin tonë. Pjesa e ulët mbi kazan nuk është në nivel të njëjtë ndërtimi me trupin e minares dhe kazanin, çka na shtyn të mendojmë se duhet t’i takojë një rindërtimi që e përmend dhe Çelebiu.

Duke u nisur nga format arkitekturore, trajtimi i përgjithshëm i pjesëve të veçanta (minare, portali i hyrjes dhe teknika e ndërtimit të mureve), kemi menduar se xhamia e Muradies duhet të jetë ndërtuar në mesin e shek. XVI-të. Teknika e ndërtimit të mureve, e veçantë për vendin tonë, na kujton xhamitë e Stambollit të ndërtuara nga arkitekt Sinani si xhamia e Ibrahim Pashës, xhamia e Zal Mahmut Pashës, (1560-1566)  si dhe xhami të tjera në periferi të Stambollit.  Më tej, duke u mbështetur tek Çelebiu, i cili jashtë kalasë së Vlorës, në qytet, përmend vetëm një xhami të mbuluar me plumb (d.m.th. me kupolë), atë të  Sulltan Sulejmanit, e cila, sipas mbishkrimit, ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1542, si dhe tek mbishkrimi i gjetur tek xhamia e Pashallarëve, që flet për ndërtimin në vitin 1542-3(949h), mendojmë se kjo xhami mund të jetë ajo që ka ndërtuar në Vlorë  Sulltan Sulejmani, veç asaj në kala. Siç dihet  Sulltan Sulejmani ka qenë në Vlorë në vitin 1537, në rrugën për në Korfuz, kur përgatitej për ekspeditën e Puljes në Itali. Për këtë jemi nisur edhe nga e dhëna e Evlia Çelebiut që  Sipas tij, kjo xhami minaren e kish të shembur, ndërsa xhamitë e tjera, ajo e Mumçi-Zadesë dhe ajo e Hysen Agait në Tabake,  janë të mbuluara me tjegulla, d.m.th. me çati druri. Gjithashtu  deri në vitet 20 të shekullit tonë  xhamia quhej Kuršunli xhami (d.m.th. e Plumbit) dhe u riemërua e Muradijes, duke marr emrin e  lagjes ku ndodhet..

Gjithashtu, duhet thënë se nga vështrimi i mureve nuk na duket i drejtë mendimi  se xhamia e Muradies është kishë e kthyer në xhami . Muret janë të gjitha të një dore dhe mbi sipërfaqe të tokës nuk ka ndonjë gjurmë të tillë.

 

Aleksandër Meksi

Tiranë 2.10.2012