Ëndrra e Nebil Çikës për Shqipërinë e pasluftës

Ëndrra e Nebil Çikës për Shqipërinë e pasluftës

 Këtë vit mbushen 70 vite nga këputja e dhunshme e jetës  të njërit nga gazetarët më të shquar të para Luftës- Nebil Çika i cili zë një vend të shquar në gazetarinë shqiptare të viteve para “triumfit” së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Emrin e tij jam njohur që në fillim të viteve 60’ kur im atë na tha që të digjnim revistat dhe gazetat e vjetra që ishin brenda një valixheje të madhe nën krevatin prej hekuri ku flija unë. Përpara se ti “zhduknim” nga shtëpia i kalonim nëpër duar ato revista të  e gazeta të paraluftës me foto të kohës ku mbizotëronin ato të familjes mbretërore si dhe shumë shkrime që më bënë përshtypje. Atëkohë u njo ha me shumë emra të asaj kohe që duhej të mos përmendeshin më. Mbaj mend shkrimet e  replika të Nebil Çikës, si  dhe një shkrim të Nush Naraçit (?) që trajtonte si mund të bëhet Shqipëria ku theksonte se  atëhere kur të zhduket klientelizmi. Nga Nebil Çika më mbeti në kujtesë jo vetëm emri por dhe fjala njëmendësia shqiptare, ajo që shqiptarët nuk duan ta arrijnë kurrë sepse secili prej nesh e mban veten për të parë dhe që di gjithshka, madje dhe ato që i dëgjon për herë të parë nga bashkëfolësi.

Shumë vite kanë kaluar dhe kam lexuar shkrime të tij dhe gjykime për të. Them se duhet të botohet e plotë ose dhe  e përzgjedhur vepra e tij, si për të njohur atë, ashtu dhe  kohën e tij, përpara se ta gjykojmë.

Barbarët që 70 vite më parë e vranë atë me shokë, pa gjyq më 12 nëntor 1944 në rrënojat e hotel “Bristol”-it në Tiranë me një listë intelektualësh, të përgatitur nga vetë diktatori, fshihen nën faktin e çlirimit të vendit dhe festojnë vendosjen e diktaturës, që ende nuk e kanë dënuar e mohuar.

Vrasja e Nebil Çikës ishte një humbje për gazetarinë shqiptare dhe njerëzit e mendimeve përparimtare. Ai lindi në Prevezë në vitin 1903 ku dhe kreu studimet fillore, për t’i vazhduar më tej në kolegjin frëng të Korfuzit, ndërsa studimet e larta në Stamboll. Ai u kthye prej andej i kulturuar, me mendësi përparimtare e ëndra e dëshira për lulëzimin e Atdheut. Punoi si gazetar e drejtues në gazeta e revistë të kohës. Shkrimet e tij rrokin fusha e problematika të shumta që i interesonin vendit në ato vite:ekonomi, politikë, filozofi e kulturë. Ai përfshihet në grupet e intelektualëve të shquar të kohës, me të cilët e gazetar të tjerë debaton në shtyp e jep mendime me një stil, qartësi e mprehtësi të rrallë.

Shkrimet e tija janë  analizë  e shoqërisë shqiptare të kohës dhe propozime për daljen nga prapambetja dhe gjetjen e rrugëve të përparimit, të cilat janë të pandara nga qeverisja demokratike dhe liria e individit. Regjimi komunist e quajti atë periudhë negative dhe inekzistente, dhe intelektualët kundërshtarë të tij për nga largpamësia i vrau së dyti duke i ndaluar të njiheshin nga publiku e të mos përmendeshin e studioheshin. Për fat të keq pak është bërë edhe sot.

Në hyrjen e librit, i cili i dedikohet  kujtimit të Ismet Totos, Çika na tregonte :” Librin e shkrova duke vajtur pas mendjes se, në mbarim të Luftës, Shqipëria do të jetë poshtë e lartë, brenda kufijve ethnik të saj, shtet i lirë e sovran, pse ka gjasa që karta politike e Evropës të jetë  shum’ a pak ajo që ka qenë…”. Autori i shqetësuar për gjendjen e vendit në ato vite kërkon me librin e tij që intelektualët shqiptarë të mendojnë seriozisht problemin shqiptar e të veprojnë.

Vetë titulli i librit “Njimendësia shqiptare- Studim politik e psikologjik” tregon që është një përmbledhje e mendimeve të autorit për Shqipërinë, shqiptarët mendësinë e tyre dhe problemet që duhen zgjidhur aktualisht. Një vend zënë në libër dhe gjykimet për komunistët shqiptar, gushëkuqët si i quan ai, si një forcë represive që do ndali përparimin e vendit dhe si e tillë i duhet kundërvënë. Kaq mjaftonte për ta vrarë barbarisht e pa gjyq për opinionet e tij.

Nebil Çika nuk ishte as i pari dhe as i vetmi që mendonte se shtetet e huaja do ta ndihmonin Shqipërinë kundër regjimeve dhe kundër komunistëve, do ta ndihmonin siç dhe ndodhi të kthente në gjirin e vet trojet e rrëmbyera nga fqinjët. Në se zgjedhja  pas luftës Dytë Botërore rezultoi e gabuar at nuk mund të quhen tradhtarë, as nuk ja dhanë të huajt e as nuk e shitën ata,por rrethanat qëlluan të tilla, ata vetëm u munduan për Shqipërinë që ishte Ylli i tyre Polar. Edhe pas tyre të gjitha qeveritë u lidhën me dikë, e jo pak herë  ndërruan “mikun-vëlla” duke quajtur armik të mëparshmin e askush nuk i vrau, mundet u gabuan në vlerësimin e forcave në terren, por zgjodhën ata që ju gjendën më pranë problemit shqiptar e jo ata që ishin indiferent për fatin e këtij kombi, e vijuan e më tej deri vonë. Ne i gjykojmë më rezultatet që pruri rrjedha e historisë, të cilat mund të kishin qenë edhe ndryshe, e jo për qëllimet, punën e sjelljen e tyre për Shqipëri e përparim siç e mendonin ata në atë kohë.