Fjala në promovimin e Librit të Ekspozitës për Ujin në Berat

Fjala në promovimin e Librit të Ekspozitës për Ujin në Berat

Të nderuar Zonja e Zotërinj !

Berati një ndër qendrat më të rëndësishme mesjetare të Shqipërisë, i mbiquajtur  Qyteti i një mbi një dritareve, na shfaqet  me një paraqitje të re, nga një dritare e re në ekspozitën “Uji në Arte dhe Zejtari në Rajonin e Beratit”– katalogu dinjitoz i së cilës paraqitet sot, duke na njohur me pamje, objekte e ide (interpretime) që  nuk para i vinim re gjer më sot, apo i neglizhonim.

Siç shpjegohet qysh në Parathënien e Katalogut      ekspozita synonte të thyente tradicionalizmin    e muzeve si qenie statike, duke paraqitur ekspozita

  •      tematike e ky është konceptuara si një rast pilot me qëllim:
  •      rritjen dhe sensibilizimin ndaj muzeut;
  •      rritjen e kulturës muzeale;
  •      kthimin e muzeve në qendra dinamike të mësimdhënies;
  •      shtimin e audiencës
  •      dhe unë do shtoja një familjarizim me  pasuritë kulturore  që ndihmon në    vlerësimin dhe për pasojë respektimin dhe mbrojtjen e tyre.

Kjo ekspozitë, siç vëren Giakumis, në parathënien prezantuese, mbledh eksponate të shpërndara në vende të ndryshme të qytetit, madje dhe në rajonin e tij dhe u shoqërua  dhe me aktivitete me qëllim njohjen dhe mësimin nga nxënësit, kusht i domosdoshëm për mbrojtjen e ruajtjen e objekteve me vlera.

Objektivi i Ekspozitës është të përcjell përvojën e lidhjes së ujit të bollshëm të rajonit me kulturën e bashkësive të qytetit e krahinës. Një trajtim më vete në aspektin historik të besimeve, paraqet vendi i ujit në to, në paraqitje të veprave të artit, në paraqitje të enëve apo pamjeve ku uji mbart vlerat e simboleve dhe kuptimeve, rolin tij në jetën e njerëzve.

Më tej në libër vijohet me Katalogun e objekteve që, paraqesin  ujin dhe lidhjen e ujit me besimet e njerëzit gjatë shekujve.  Ikona të Shën Kollit, guaska të ikonostaseve, enë, ikona të 40 shenjtorëve që lidhet me ujin e akullt ku u hodhën, vepra arti (pikturat e xhamisë së Beqarëve) ku uji transmeton imazhin e parajsës në peizazhet e Xhamisë Sulejmanie të Stambollit, ikona të tjera si ajo e 7 shenjtorëve me “pamje” të qytetit të Beratit lumit Osum e Urës së Goricës, një kasë dhurimesh me gjykimin e fundit.

Po aq me interes janë dhe objektet e tjera të ekspozitës që renditen e shpjegohen në Katalog si në pagure, paraqitje enësh në gdhendje druri marrja e ujit në puse, çezma të vjetra si ato të arkitekt Kasemit, fragmente tubacionesh, ujësjellësi i kalasë (më saktë rruga që lidh atë me lumin Osum, cisterna medievale, puse, vaska për larje të besimtarëve pranë xhamive  e të tjera  e të gjitha këto me shpjegimet e specifikimet e duhura, të paraqitura mirë e bukur me datat e tyre, vendndodhjen e tj.

Aparati ndihmues  në fund të katalogut si kontributorët, burimet e ilustrimeve, indekset dhe literatura e përdorur e bëjnë të përdorshëm atë jo vetëm nga studiuesit por nga të gjithë të interesuarit, ai shquhet për saktësinë dhe nivelin e pëlqyeshëm shkencor.

Në mjaft raste Katalogu jep shpjegime të mirëfillta shkencore dhe të bollshme dhe për studiuesin çka i rrit vlerën atij. Marr në konsideratë këtu dhe  cilësia e ilustrimeve,  përshtypja është shumë e mirë, dhe gjykimi, për punën  e atyre që bën ekspozitën dhe  për Kostën e bashkëpunëtorët e tij me Katalogun është për tu lavdëruar dhe duhet të jetë një shembull udhërrëfyes për nisma të tjera po kaq të dobishme, sepse  ja vlen të theksojmë se pa vlerësim të traditave kulturore, të monumenteve dhe muzemeve nuk do të ketë turizëm aq sa e ëndërrojmë.

Njëkohësisht duhet të vlerësojmë sponsorët dhe shtëpinë botuese për paraqitjen dinjitoze dhe cilësinë e Katalogut

Faleminderit !

Tiranë 21.10.2015