Historia që flet me gjuhën e dokumentit

Historia që flet me gjuhën e dokumentit

( Nilo Borgia-“Murgjit Bazilianë të Italisë në Shqipëri “

shënime për misionet në Himarë:shek. XVI-XVIII)

Botimet dokumentare janë gjithnjë   burim  i  pazëvendësueshëm për historinë, veçanërisht kur  u  përkasin periudhave të hershme. Për fatin tonë të keq  shqipja e shkruar është e vonë prandaj  detyrimisht t’u drejtohesh burimeve të huaja, kryesisht të fqinjëve me të cilët kemi pasur marrëdhënie dhe në periudha të ndryshme kemi  bashkëjetuar. Shkurt; vepra është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare, pwr  të cilwn mungojnë të dhëna të tjera për jetën dhe historinë e saj në shekujt XVI-XVII-të. Dhe i  shtohet edhe më shumë vlera e kësaj vepre  kur lexon se dokumentacioni në të i përket trevave të Jugut  të Shqipërisë, kryesisht, bregdetit dhe fshatrave të  krahinës së Himarës.

Parathënia e vëllimit, shkruar nga Profesor Matteo Mandala i Universiteti i Palermos (Itali) është një orientuese e saktë dhe  komentuese  shkencore e gjerë jo vetëm që  të  ndihmon në asimilimin e veprës.  Prandaj është e natyrshme përpara se të flasim për vlerat e kësaj vepre të rrallë dokumentare  të “njihemi” me autorin e saj; Nilio Borgia.

Nilo Borgia lindi në Hora të arbëreshëve të Sicilisë më 1 janar 1870; i  pari nga njëmbëdhjetë fëmijët, tetë djem dhe tri vajza të bujkut Vito dhe të shoqes Xhiuzepa. Në moshën 13 vjeçare u dërgua nga familja për të ndjekur karrierën kishtare në manastirin e  Grottaferrata (1883).U shugurua murg më 1894. Kurse  dhjetë vjet më vonë, më 1904, Nilo Borgia  u emërua bibliotekar i abacisë, detyrë me prestigj që e pajisi  atë  me njohuri  dhe kulturë të gjithanshme. Shënojmë këtu se në Manastirin e Grottaferatës duhet të ketë materiale të shumta me të dhëna për historinë e shqiptarëve dhe  arbëreshëve, që ende nuk janë gjurmuar e studiuar. Më vitin 1907,tashmë  si abat i manastirit, ai promovoi disa nisma, duke filluar që nga ngritja e një shtypshkronje  me anë të cilës  me mbështetjen e Vatikanit u botuan shumë studime në lëmin e bizantologjisë  dhe të liturgjisë orientale  ku spikatën edhe  studime  albanologjike të karakterit historik dhe gjuhësor. Për këtë, me të drejtë, Prof. Matteo Mandala, ka cituar  edhe albanologun tonë të madh Eqrem Çabej, lidhur me  vlerësimin  për punën shkencore në lëmin e albanologjisë  të Nilo  Borgias  që  me zell dhe me përkushtim  gjurmoi nëpër arkiva dokumente që i përkasin Shqipërisë si dhe monumentet e vjetra gjuhësore. Madje  Prof Çabejit na flet edhe për zbulimin në arkivat e Vatikanit  të një dokumenti gjuhësor  shqip  më të vjetër se ata  që dihen deri tani. Borgia vdiq befas, më 1942, pa bërë  të njohur vendndodhjen e   dokumentit të rëndësishëm.

Vepra që la pas është një homazh për këtë arbëresh të madh. Vëllimi i parë i kësaj vepre  është  botuar në Itali, në vitin 1935, dhe i dyti në 1942 dhe me të njiheshin pak studiues sepse bëtë pjesë në “fondet e rezervuara” . U desh vetëm viti 2014 ajo që të botohet tek ne  nëpërmjet financimit të Ministrisë së Kulturës, që na duket një financim frytdhënës që mbetet në kohë, por i pakët për këtë lëmë dhe mendoj se duhet një ndarje më e drejtë e fondeve,  sepse ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e tyre mund t’u jepeshin, si në këtë rast, botimeve me vlerë- veprave dhe dokumenteve e të rëndësishme të historisë dhe albanologjisë që flenë prej shekujsh nëpër arkivat e huaja.

Përshtypja e parë që përfton kur  lexon këtë vepër  voluminoze  është puna e madhe kërkimore dhe shkencore që i është dashur autorit  për dekada të tëra  ku  historianët  dhe studiuesit  të disiplinave të ndryshme  do të gjejnë një “lëndë “ të parë cilësore. Se duke përshkruar  punën e misionarëve bazilianë për gjallërimin e  ritit ortodoks roman në  Shqipëri, në konkurrencë me  misionarët dhe priftërinjtë e ritit bizantin. Midis dy misionarëve është popullsia e trevës së Jugut, më saktë e krahinës e Himarës, me varfëri ekstreme që siç thotë një misionar “toka  i ushqente vetëm dy muaj në vit dhe banorëve as që u shkonte në mendje për fe por vrapojnë sa tek  një misionar tek tjetri që u premton më shumë” .Pavarësish nga gjendja e mjerueshme banorët e kësaj treve kishin arritur të ruanin një farë pavarësie që, sigurisht kishte për çmim varfërinë. Përshkrimi i mënyrës së jetesës, raportet fisnore brenda një fshati apo krahine, çiltërsia,zemërgjerësia dhe ndjenja e solidaritetit, dinjiteti dhe personaliteti edhe i njeriut më të thjeshtë janë disa nga cilësive më të spikatura   që  përshkruajnë  pothuajse misionarët në raportimet  e tyre për Selinë e Shenjtë.  Misionarët shkojnë deri aty sa të shkruajnë …” shqiptarët janë shumë të butë dhe të afrueshëm, të pajisur nga natyra  me aftësi të tilla sa që po të kishin një drejtim të mirë politik nuk do të ishin më poshtë se kombet e tjera”,  ve në dukje misionari Giovanni de Camilis i cili jetoi për shumë vite në Shqipëri, në relacionin e paraqitur kardinalëve të Propaganda Fide më prill  të 1673.

Dëshmitë e misionarëve janë të shumta dhe gjithnjë të sakta sepse edhe  ata jetonin në kushte të vështira , ndonjëherë edhe më të vështira se vetë banorët. Përveç varfërisë ata jetonin  nën presionin e vazhdueshëm të misionarëve dhe priftërinjve të ritit bizantin. Megjithatë veprimtaria e tyre vazhdoi ndonëse në disa periudha ajo u tkurr për t’u ripërtërirë në vitet ’40 të shekullit të kaluar më shumë për interesa politike se sa fetare.

Janë të shumta vlerat e kësaj vepre ;së pari, na njeh  me një periudhë të pastudiuar të historisë të një treve të veçuar –Himarës, krahinë që në mesjetë përfshinte në peshkopatën e saj  gjithë Labërinë në trekëndëshin Tragjas-Urë e Dragotit- Lëkurës, që si dhe Mirdita, kishte një status të veçantë vetëqeverisës nën sovranitetin e Perandorisë Osmane. “Shqiptarët duke qenë larg qendrave kulturore dhe aq  të zënë   me armët e veta në luftërat mes fisesh dhe kundër zaptuesve të tyre (turqëve) ,sa nuk u ka rënë në mendje të kujdesen për çështjet fetare” –shkruan një misionar në letrën dërguar Papës.

Historiani mund ta studiojë këtë vepër sipas interesit apo profilit të tij.

Dikush mund të përqendrohet te historia e përhapjes së krishterimit , një tjetër te marrëdhëniet shoqërore, mënyra e jetesës, zakonet, traditat etnopsikologjike e tje, sepse përgjithësisht raportimet e misionarëve Bazilianë janë të kthjella  shkruar me kulturë, të argumentuara nga fakte dhe ngjarje të trevës ku ata shërbenin. Shpesh janë tregime të gjalla që fare mirë mund të shërbenin si “lëndë’’ e dorës së parë për shkrimtarë  të orientuar nga tema historike.

Vepra është një homazh për murgjit bazilianë , që iu përkushtuan për shekuj popullsisë së krahinës së Himarës dhe shumë fshatrave për rreth të mënjanuara dhe të ngujuara në varfërinë dhe letargjinë e përjetshme. Veprimtaria e tyre nuk ishte vetëm fetare por edhe qytetëruese.  Ata u shkrinë me njerëzit e thjeshtë dhe të ndershëm që varfëria, injoranca dhe pushtuesi i kishte asfiksuar.

Në mbyllje nuk mund te mos përmendim edhe një herë  parathënien   e  Prof. Matteo Mandala, shkruar me kompetencë shkencore dhe me frymëzim, i cili nënvizon se  “Dokumentacioni i përpunuar nga misionarët dhe nga Borgia përbën një burim të rëndësishëm që i lejon historianët dhe studiuesit të rindërtojnë …dinamikën e disa  trevave  jugore të Shqipërisë  ku  është ndier pesha e konflikteve etnike, sociale dhe fetare…”

Me këtë libër redaksia  e shtëpisë botuese “Naimi’’ i jep lexuesit një vepër të çmuar, e të dobishme për njohurit që përftohen, të përkthyer dhe të redaktuar me seriozitet, që  lexohet me ëndje.

 

Aleksandër Meksi

Tiranë 16.01.2015