Intervista -Aleksandër MEKSI – SYRI.net

Intervista -Aleksandër MEKSI – SYRI.net

Çim Peka: Për pak ditë është 8 Dhjetori, fiks 25 vite nga lëvizja për demokraci e shqiptarëve. Keni qenë një prej protagonistëve kryesorë. Kryeministri i parë i mazhorancës së djathtë në Shqipëri, keni qeverisur këtë vend për 5 vjet. Zoti Meksi, para 25 viteve a e kishit menduar se kjo do ishte Shqipëria e sotme? A është kjo Shqipëria që prisnit?

A.Meksi: Jo. Prisnim një Shqipëri pak më ndryshe, për disa thonim që e duam Shqipërinë si e gjithë Europa. Kuptohet shumë gjëra nuk bëhen si në Europë. Nuk sillen qytetarët si në Europë, nuk votohet si në Europë. Dhe rezultatet nuk do të jenë evropiane siç i deshëm atëherë. Jashtë çdo diskutimi ka pasur vështirësi, ka pasur paaftësi, ka pasur mungesa, mangësi, konflikte, por nuk është ajo që mendonim.

Çim Peka: Është shumë larg, pritshmërisë apo…?

Meksi: Është anash.

Çim Peka: Gjithsesi Zoti Meksi, ku mendoni se filluan gabimet e para për të mos shkuar atje ku mendonit në 1990-ën?

Meksi: Teoria e gabimeve, të kujton kohën e komunizmit ku njerëzi bënin autokritikë. Ata që u thoshin të dënuarve në hetuesi me vete apo me njëri-tjetrin thoshin hapini zemrën partisë dhe veri flakën shtëpisë. Kjo është një metodë jo e rregullt, kanë kaluar 23 vite qëkur unë jam bërë kryeministër. Janë gati 19 vite që nga koha që kam ikur, nuk i shkon kujt në mendje në botë që të thotë çfarë gabimesh kemi bërë. E para çfarë quhen gabime. Nuk ka njeri që punon që nuk bën gabime, madje anglezët thonë se përvoja është emri me të cilën quhen gabimet. Pra bëhen zgjidhje për një çështje dhe rezulton jo e drejtë, zotësia është që ta ndryshosh. Me dhjetëra herë mund ta kemi bërë gjatë rrugës këtë. Nuk kemi arritur që shumë gjëra t’i bëjmë. Kemi penguar njëri-tjetrin dhe nuk i kemi bërë. Por ka kaluar kaq kohë sa duhet të ulesh dhe t’i lexosh të gjitha vendimet, çfarë kemi ndryshuar, çfarë na është ndryshuar, çfarë s’na është bërë dot. Çfarë kemi dashur… Pra është një pyetje pak e modës së vjetër.

Çim Peka: Gjithsesi qeverisë tuaj iu dha për barrë që të bënte reforma të mëdha, për të kaluar nga një ekonomi e decentralizuar në një ekonomi të lirë. Po t’i riktheheshit sot, reformave që ndërmori qeveria Meksi, a mendoni se shumë gjëra do i kishit bërë ndryshe?

Meksi: Reformat që ndërmorëm ne qenë në bashkëpunim të plotë me institucionet financiare ndërkombëtare. Që sot bëjnë trimin, kohët e fundit, me to, Por nuk merret lekë në asnjë lloj banke në mënyrë të rregullt nëse nuk ke PO-në e institucioneve financiare ndërkombëtare. Dhe dihet se kush janë me shumicë se kush janë mbrapa institucioneve financiare ndërkombëtare. Është një përvojë që për mendimin tim ka qenë pozitive. Nuk është se i realizonin të tëra pikat në afatet që bashkëvendoseshin, por ndryshimet bëheshin në marrëveshje me njëri-tjetrin dhe zakonisht bënim ndonjë gjë më shumë nga detyrimet tremujore që kishim. Dhe nuk bëmë një gjë që nuk ishim të zotët ta bënim ose që nuk mirëpritej nga opinioni publik shqiptar, ose i dëmtonin shqiptarët nëse bëheshin më shpejt. Por ka qenë një periudhë e vështirë. Shumica, mbi gjysma e shqiptarëve që sot janë 40 vjeç e poshtë, nuk i dinin vështirësitë që ishin përpara se të merrnim qeverinë ne. Vështirësitë që patëm dy vitet e para, ku po të mos ishte ndihma e evropianëve dhe SHBA-ve, nuk do ia dilnim dot në aspektin e sigurimit ushqimor. Vështirësitë në energji ku u bë një përmbysje e plotë e konsumit të energjisë dhe mjaft gjëra të tjera. Por ka qenë një përmbysje tërësore e shtetit të mëparshëm. Në ligji, në strukturë të ekonomisë, në strukturë të aparatit shtetëror që sigurisht preku njerëz, por merrnin asistencën. Preku njerëz që janë kundër, që edhe sikur të kenë 100 vjet do të vazhdojnë të shajnë. Ka qenë një përmbysje që nuk i vjen më radha. Dhe për të kuptuar sa ka qenë kjo përmbysje, po të them se sot kur rritet 10 apo 5 % energjia elektrike buçasin të tërë. Ne e kemi rritur nga 10 lekë në 45 lekë, pra mbi 500%. Por bëmë zgjidhjen, e pranoj edhe FMN-ja, dhamë kompensimin prej 250 KV. Pra çdo ndryshim që do të bëhej, shtresat e varfra ndihmohen, sepse ndihmohen në të gjithë botën. Nuk pritet drita kur s’ke para që ta paguash. Sepse që të varfrit që të mbajë frymën është e detyruar çdo qeveri që t’i japë asistencë.

Çim Peka: Zoti Meksi, flitet vazhdimisht për liri ekonomike. Gjatë periudhës që ju keni qenë kryeministër a konsiderohej Shqipëria një vend i lirë ekonomikisht?

Meksi: Ishte një vend i lirë. Gjithsekush mund të bënte çfarë të donte, të investonte, të bënte biznese , etj. Nuk di që të jetë ndaluar ndonjëri se është i majtë, apo se nuk është i joni.

Çim Peka: Pra flitej konkretisht për liri ekonomike. Po për liri politike zoti Meksi, a e fituan lirinë politike shqiptarët pas ardhjes së PD në pushtet?

Meksi: Edhe e fituan, edhe ju mungoi. Flitet shpesh sot, flasin këta që s’kanë qenë atëhere dhe thonë që s’kishte liri shtypi, por unë them një shifër. Te Koha Jonë e cila nga mëngjesi në dark merrej me sharjen e Kryeministrit dhe Presidentit botonte 84 mijë gazeta, as çerekun e asaj që bëjnë të gjitha gazetat kryesore sot bashkë.

Çim Peka: Gjithsesi, kishte 84 mijë tirazhe sepse kërkohej dhe shitej. Domethënë dukej që kishte nevojë për treg opozitar?

Meksi: Ka gjithnjë. Kishte rreth 40 % e shqiptarëve, rreth 1.5 milionë njerëz që blinin. Edhe sot ka 1 milionë e gjysmë, por po të bësh gazetë nuk ta blen kush 80 mijë.

Çim Peka: Meqënëse përmendët gazetën Koha Jonë, është po kjo gazetë që nën qeverisjen tuaj dhe të Presidentit Berisha u dogj?

Meksi: Ta hetojë. Të vendosi Gjykata, ta hetojnë. Sa për dijeni nuk kam qenë unë kryeministër kur u dogj. Nikoll Lesi sa herë kishte ankesa vinte te unë dhe pritej nga unë si gjithë të tjerët në qeveri. Bënë plagjiatura sa deshën, nuk u tha njeri gjë. Unë i kam të ruajtura.

Çim Peka: Në aspektin e demokracisë, çfarë cënoi PD kur ju ishit pjesë një prej figurave kryesore të saj?…..

Meksi: Në Shqipëri u shkelën të drejtat e votës në 1996 dhe ajo ishte fondamentale. Gjithçka rrodhi prej saj, duam apo s’duam ne ta pranojmë. Dhe ushtrimi i dhunës pa lejen e qeverisë, pa urdhrin e qeverisë është një problem që e kam shkruar në librin tim dhe sigurisht ajo palë vazhdon edhe sot e kësaj dite duke përdorur mediat elektronike për të dalë për të sharë çdo herë, por bota e tillë është.

Çim Peka: Pra cenimi i demokracisë sipas jush filloi në zgjedhjet e majtit të vitit 1996. A kishte përgjegjësi qeveria shqiptare për ato zgjedhje, sepse zgjedhjet qeveria i bën?

Meksi: Është më e komplikuar se kaq, nuk e zgjidhim dot bashkë këtë gjë. Shteti përbehet nga pushteti legjislativ, nga qeveria ekzekutivi dhe nga drejtësia. Me strukturën e atëhershme kishte struktura siç ishin Forcat e Armatosura të cilat në atë kohë vareshin dhe merrnin urdhra nga Komandanti i Përgjithshëm, i cili është Presidenti i Republikës. Nuk them se morën urdhër nga Presidenti por ato nuk merrnin urdhër nga unë, ky ka qenë problem i një konflikti të përhershëm, ndërmjet meje dhe atyre që i bënë këto lloj punësh. Tjetra është që edhe sot e kësaj dite që nuk urdhëroj kush për të ushtruar dhunë, është absurde të thonë që i urdhëron qeveria apo opozita, ushtrohet dhunë në zgjedhje, paguhen zgjedhjet, blihen zgjedhjet, të gjithë e bëjnë. Ky është dhe një defekt i joni, mos përgatitja e politikës psikike për të pranuar votën. Kjo është arsyeja që unë e kam thënë se për sa kohë që nuk janë të demokratizuara partitë nuk mund të ketë Shqipëri demokratike kurrë. Themeli i i demokracisë është pikërisht tek vota e lirë, është cenuar vazhdon të cenohet në rrugë nga më të ndryshme, duhet ta ndajmë mendjen që të mos e bëjmë më këtë gjë nëse duam përparim.

Çim Peka: Megjithatë meqënëse përmendët pak më para dhunën e ushtruar pas zgjedhjeve ndaj opozitës, pas zgjedhjeve të majit të 96-s. Keni qenë kryeministër vendi zoti Meksi, a keni kërkuar llogari mbi ato organe shtetërore të cilat ushtruan dhunë?

Meksi: Po dhe s’kam pranuar që të shkarkohen ata që nuk kishin përgjegjësi, ti hymë me detaje.

Çim Peka: Nuk keni pranuar ju që të shkarkohen ata që nuk kishin përgjegjësi. Po masa janë marrë ndaj atyre që kishin përgjegjësi?

Meksi: Nuk e kam emëruar më atë zv.Ministër, meqenëse postin si Drejtorit i Përgjithshëm e kishte nga presidenti si Forcë e Armatosur.

Çim Peka: Gjithsesi në qarqet mediatike është folur shumë për një këmbëngulje të Presidentit Sali Berisha, pas zgjedhjeve të 96-s, kur miq të tij apo analistë sugjeronin që nuk duhej mandatuar më Aleksandër Meksi si kryeministër, por zoti Berisha është shprehur se zgjedhjet i fituam për shkak të qeverisjes së tij dhe kjo është absurde ta mendosh që një kryeministër që fiton zgjedhjet të mos mandatohet prapë. A keni pasur përplasje me Sali Berishën pas zgjedhjeve të 96-s?

Meksi: Ka pasur edhe probleme dhe unë e kam thënë për çështjen e fajdeve.

Çim Peka: Jo po flas në raport me qeverinë Meksi 2?

Meksi: Në atë kohë e dinin mirë se Meksi vetë nuk do të rrinte gjatë në qeverisje sepse s’donte vetë të rrinte, do mbyllja disa probleme dhe do të largohesha. Pikërisht për këto mosmarrëveshje, për ndërhyrjet e këtyre personave që i the ti mos ti them më unë, që nuk i pyeste kush nga qeveria, që ishin askush dhe s’dihet se kush janë për publikun dhe që jepnin këto lloj këshillash dhe ankimesh në bazë të krenarisë, por mos i hymë këtij muhabeti, në kuptimin se nuk janë gjëra që i duhen opinionit publik se X apo Y, për qejf të vetë për shkak të miqësisë që ka me kryeministrin apo me ministrin shkon dhe ankohet për të tjerët, këto janë forma jo të rregullta shqiptare në qeverisje. Qeverisja garantohet me votë, për këtë arsye them se është votë e lirë, kur s’merr votat largohesh nga qeveria, duhet të pranosh të ikësh, kur s’të pyesin gjithashtu ikën.

Çim Peka: Zoti Meksi pavarësisht se me dispozitat kushtetuese të asaj kohe, Presidenti kishte më shumë kompetenca ekzekutive në mos gabohem?

Meksi: Nuk është e vërtetë, ajo është një përrallë që thuhet. Sot kryeministri ka dhjetë herë më shumë se sa presidenti i atëhershëm por nuk ankohet njeri. Skam dëgjuar që të ankohen sot që kryeministri i ka të gjitha.

Çim Peka: Ky pra është konkluzioni, që presidenti i kohës kishte më shumë kompetenca ekzekutive se sa kryeministri?

Meksi: S’kishte ekzekutive, vendoste qeveria nuk vendoste presidenti. Edhe nëse dikush X apo Y, u fut në dispozitat kushtetuese me keqdashje që presidenti drejton mbledhjet e qeverisë ka vetëm një rast, që ishte aplikimi i reformës, meqenëse nga shumë nga ministrat kishte rezerva dhe që të mos reagonin negativisht qoftë në mbledhje qoftë mbas mbledhjes u thërrit dhe Presidenti në mbledhjen e qeverisë dhe foli vetëm dy fjalë dhe kaq, në atë kohë edhe regjistroheshin, mund dhe të jenë ruajtur. Problemi është që pushteti që kishte Sali Berisha nuk buronte nga karrigia apo nga prerogativat e presidentit kjo është një përrallë, por nga fakti që defakto ishte kryetar i Partisë Demokratike dhe kuptohet që PD është ajo që komandon qeverinë e saj. Kjo është edhe arsyeja që unë thoja që iki kur partia të më thotë ik. Dhe që nuk u kuptua atëherë kur e kam thënë unë.

Çim Peka: A keni qenë kryeministër me kompetenca të plota?

Meksi: Përveç forcave ushtarake, gjithë të tjerat vareshin nga unë. Banka e Shtetin nuk varej më nga unë mbas fillimit të 96-s, të gjitha të tjerat vareshin nga unë. Nuk dinte Sali Berisha se kë emëronim drejtorë ne, merreshim vesh me partinë drejtpërsëdrejti, nuk dinte ligjet që bënin për arsimin, për shëndetësinë për këto, as nuk merrej dhe as nuk ndërhynte.

Çim Peka: Shqipëria ka ndryshuar shumë politikisht zoti Meksi, dhe sot kryetari i partisë është gjithçka, vendos për gjithçka nuk ka asnjë lloj mundësie ta kundërshtosh?

Meksi: Kjo tregon që po i afrohemi kohës së Leninit se siç thoshte Majkovski kur themi partia kuptojmë Leninin kur themi Lenini kuptojmë partinë.

Çim Peka: Por vetë u shprehët më parë kur thatë se Presidenti Berisha de fakto ishte kryetar i partisë, ju ishit kryeministër i Partisë Demokratike, sigurisht që konsultoheshit dhe ishte forumi i partisë ai që vendoste?

Meksi: Dhe kur thuhej “Jo: për një gjë zbatohej Jo-ja. E di se shumë veta nesër do shajnë kur ta dëgjojnë këtë fjalë sepse nuk e konceptojnë dot se ka qenë e tillë dhe ti ke mundësinë ta trajtosh.

Çim Peka: Po për përbërjen e qeverisë dhe ministrave, a konsultohej kryetari de fakto i partisë me kryeministrin?

Meksi: Jo konsultohej kryeministri me partinë, si në të gjithë botën dhe kuptohet që një pjesë e ministrave këmbëngulte kryeministri që duhet të ishin patjetër dhe një pjesë ishte partia që i vinte dhe ne kemi bërë disa herë ndryshime. Kuptohet ishte performanca e ministrave ajo që bënte ndryshimet, por atëherë nuk ishte që ky person ikte nga deputetllëku, por kontribuonte si deputet, bëheshe anëtar i kryesisë, nëse zgjidhej.

Çim Peka: Gjithsesi, hera e vetme e Partisë Demokratike e cila drejtohej dhe ka pasur më shumë se një figurë është ajo e rasti kur President i Republikës de fakto kryetar i PD-së Berisha dhe kryeministër Meksi. Por pas 97-s tashmë është fakt i njohur që PD-ja është drejtuar vetëm nga zoti Berisha, të paktën deri në vitin 2013-të?

Meksi: Po e drejton dhe sot, të paktën ai citohet.

Çim Peka: Gjithsesi, për tu cituar Sali Berisha citohet, por unë besoj se po drejtohet nga Lulzim Basha, mirë apo keq kam edhe një pyetje për të. Gjithsesi zoti Meksi është folur shumë në media për një konflikt tuajin me kryetarin de jure të PD-së, Eduard Selamin, pas referendumit. Zoti Selami kërkonte që kryetari i partisë të ishte dhe kryeministër në mos gabohem. Cila është e vërteta e kësaj përplasjeje, a e donte zoti Selami vendin tuaj?

Meksi: Nuk e di unë e kisha dhe e kam mik Eduard Selamin. Di të parën që në datën 12 dhjetor kur është themeluar Partia Demokratike ka qenë një propozim të cilin ai ka thënë që unë se kam thënë për vete por e kam thënë për unifikim dhe unë jam përgjigjur se është e vërtetë që ë shumë vende lideri i parisë është dhe kryeministër, por lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri është Sali Berisha, nuk besoj se kam thënë ndonjë herezi.

Çim Peka: Keni thënë një të vërtetë. Megjithatë largimi i zotit Selami nga PD-ja ka qenë një akt ndoshta një nga aktet e para të fillimit të cenimit të demokracisë së brendshme të kësaj partie. A ndjeheni dhe ju përgjegjës?

Meksi: Nuk kam marrë pjesë në atë që u organizua aty. Kam qenë nga ata që kam ndërhyrë për ta qetësuar çështjen dhe të gjehej një rrugëzgjidhje që të mos bëhej ai konflikt.

Çim Peka: Shtypi i kohës dhe meqenëse cituat “Koha Jonë”, shtypi i opozitës në atë kohë i përfaqësuar nga “Koha Jonë” madje denjësisht, ka folur shumë dhe për një përplasje tjetër ndërmjet jush dhe ish-themeluesit të PD-së zotit Hajdari gjatë kohës kur keni qenë kryeministër. A ka pasur përplasje ndërmjet jush dhe zotit Hajdari?

Meksi: Përpasje nuk ka pasur, por gazeta shkruante dhe në bordin kryetar i bordit të gazetës ka qenë Azem Hajdari, duket se ai ua thoshte këtë. Pakënaqësia e tij që ishte Aleksandër Meksi kryeministër, është shprehur dhe më vonë.

Çim Peka: Nuk është se e ka fshehur?

Meksi: Është shprehur në 97-n duke u vënë në krye të sindikatave, që nuk duhet të futet politika në sindikatë dhe duke premtuar që jo vetëm do ti kthejë paratë por dhe do të dyfishojë rrogat dhe të tjera gjëra.

Çim Peka: Kur jeni takuar për herë të fundit me ish-presidentin dhe bashkëpunëtorin tuaj të parë në qeverisjen e Partisë Demokratike, Sali Berishën?

Meksi: Në përvjetorin e partisë në 98-n. Rasti ka qenë njëherë ku e pruri në prezantimin e albumit të takimit dhjetorit.

Çim Peka: Që atëherë nuk jeni takuar me zotin Berisha?

Meksi: Jo.

Çim Peka: Megjithatë Sali Berisha në fillimet e qeverisjes së tij pas 2005-s është shprehur se kryeministri më i mirë i shqiptarëve në 100 vjet është Aleksandër Meksi. A ka Aleksandër Meksi vetë një gjykim mbi Sali Berishën?

 

Meksi: Nuk e ndjek, dhe ti e di mirë unë merrem me shkencë. Nuk ndjek nuk gjykoj, nuk njoh shifrat dhe jam i rezervuar që të shprehem për qeveritë që kanë ardhur mbas meje përgjithësisht.

Çim Peka: Pra nuk keni asnjë gjykim mbi qeverisjen e Sali Berishës?

Meksi: Jo.

Çim Peka: Po mbi atë se çfarë po bën kryeministri Rama në këto 3 vjet?

Meksi: Vazhdon thashë, që atëherë dhe tani.

Çim Peka: Pra ka ndaluar historia për ju që në vitin 1997-të?

Meksi: Jo ka vazhduar edhe ca kohë, por mënyra se si e mendoja unë demokracinë dhe partinë, nuk kuptohej atëherë kuptohet që iket. Njerëzit ikin nga shtëpitë e tyre jo më nga partia.

Çim Peka: Kur e keni menduar. Se në fakt ju jeni një nga figurat kryesore të tranzicionit shqiptar dhe duket se keni bërë një largim të butë nga politika aktive zoti Meksi. Kur e keni marrë vendimin për të mos qenë pjesë e politikës aktive?

Meksi: Në kohën e parë të komunizmit kur një çikë të flisje ishte me zarar. Unë përdor edhe një thënie që këtë e ka thënë Grigori i madh në vitin 600-t që “Nuk flitet në shkretëtirë” si të flasësh me atë që dëgjon prandaj nuk flitet në shkretëtirë. Unë e përdora që nuk flitet kur nuk dëgjojnë është si të flasësh një gjuhë tjetër, Kur thua që duhet një anëtar një votë, dhe tallen me një anëtar një votë do të thotë që nuk të dëgjojnë. Domethënë kur ti je pjesë e një grupi drejtues që drejton në mënyra që s’më pëlqejnë por që s’jam i zgjedhur prej tyre, ose nuk duan të të zgjedhin pikërisht për këtë punë, ose nuk është se të thonë që na le në baltë na bëre dëm siç mund të thonin nëse e bëja këtë gjë në 96-n apo në 95-n. Nuk isha më i detyruar të merrja pjesë në atë mënyrë të të bërit opozitë ku kam votuar me dhjetëra herë, nuk është se kam ikur pa ju thënë. Kam ardhur edhe në kuvendin e 2001-it me një platformë

Çim Peka: Zoti Meksi ndoshta unë jam ndër të paktët që kam fatin që tu takoj shpesh dhe të bisedoj me ju. Por sa herë bisedon me ju duket se keni bërë një marrëveshje me veten për shumë gjëra keni vendosur ti mbyllni në kasafortë dhe nuk flisni?

Meksi: Do shkruaj mos ki merak.

Çim Peka: Kur?

Meksi: Kjo është dhe e incizua. Se të gjithë njerëzit që kanë qenë me pushtet kanë detyrime për të folur, por edhe unë kam detyrime.

Çim Peka: Kur do të flasë Aleksandër Meksi?

Meksi: Do të shkruaj, por me të folur nuk dua të thonë që i kam thënë unë. Kam filluar që të rrish i qetë shumë sende janë të shkruajtura.

Çim Peka: Gjithsesi po i rikthehem sërish vitit 1992, këtu ka pyetje edhe për ty edhe për Aleksandër Meksin si emër. Duke njohur personazhet politike të kohës, në qoftë se ribëni një fotografi tre zgjedhjet për funksionet shtetërore të kohës, Sali Berisha president, Pjetër Arbnori Kryetar i Kuvendit, Aleksandër Meksi kryeministër, a ishin zgjedhjet më të përshtatshme për kohën?

Meksi: E para që ta dinë të gjithë, ka votuar me votim të fshehtë për të tri zgjedhjet, Këshilli Kombëtar Partisë Demokratike me nga dy kandidatura, së paku për kryeministrin dhe për Kryetar Kuvendi, se njerëzit nuk i dinë këto punë dhe kujtojnë se bëhen kulisa me marrëveshje për interesa e të tjera.

Çim Peka: Kush ka qenë kandidat tjetër për kryeministër?

Meksi: Bashkim Kopliku. Kurse Pjetër Arbnori ka qenë me Arben Imamin. Janë votuar ka pasur një balotazh është bërë me një diferencë të një vote Pjetri me Arben Imamin.

Çim Peka: Zoti Arbnori është zgjedhur vetëm me një diferencë të një vote përballë Arben Imamit në këshillin Kombëtar të PD-së, po diferenca juaj me Bashkim Koplikun?

Meksi: Kam idenë që nuk mora nja tre vota.

Çim Peka: Gjithsesi a ishte Sali Berisha personi më i përshtatshëm për tu zgjedhur presidenti i parë post komunist, me ato emra që kishte Partia Demokratike?

Meksi: Partia Demokratike e zgjodhi me gjithë ato emra që kishte, për PD-në ky ishte emri. Si qysh-tek, ashtu u votua dhe vazhdojnë të votojnë.

Çim Peka: Duke bërë një krahasim me të gjithë presidentët që kanë pasuar zotin Berisha a ke një klasifikim një vlerësim mbi Presidentët e Shqipërisë?

Meksi: Shumica nuk janë konsideruar më aktivë sepse nuk kanë qenë kryetarë partish, që mund të kishin peshë në vendime në propozime.

Çim Peka: Po duke ndjekur kryetarët e parlamentit nga koha e zotit Arbnori deri më sot?

Meksi: Në kohën e zotit Arbnori nuk zihej njeri në parlament, as në kohën kur kam qenë unë nënkryetar i kuvendit që drejtoja shumicën e seancave. Megjithëse ne kishim vetëm 70 veta që nuk ishin ngritur në sallë kurrë dhe pala tjetër kishte shumë më tepër. Dhe sot e kësaj dite i bëri përshtypje një gazetari, kur i fola dikujt që nuk e dinte se kush ishte, dhe i thashë është filani deputeti i Pogradecit, ka qenë sekretar komiteti etj, por ne dhe sot e kësaj dite vazhdojmë flasim sepse jemi sjellë si njerëz me njëri-tjetrin. Unë si kryeministër isha i detyruar të prisja çdo deputet socialist. Nëse morën shtëpi të gjithë deputetët demokratë morën dhe deputetët socialistë.

Çim Peka: Ishte parlamenti më cilësor, ishte cilësia e parlamentit, apo ishte zoti Arbnori ndoshta më elegant në drejtimin e seancës?

Meksi: Ishte dhe cilësia e parlamentit dhe Arbnori, nuk e kishte në natyrë që të ishte i dhunshëm me njerëzit.

Çim Peka: Po kalojmë pak tek opozita e sotme. Pak ditë më parë zoti selami ish kryetari i partisë tha për Zërin e Amerikës de juro sipas jush në katë kohë, u shpreh se zoti Basha nuk frymëzon. A keni ju një gjykim mbi opozitën e sotme?

Meksi: Thashë de jure, për të korrigjuar Partinë e drejtonte Eduardi, por në sende të këtij lloji vendimet merreshin në kryesi dhe kuptohet që presidenti kishte zërin e tij sepse kishte qenë kryetar i saj dhe nuk u kuptua ky ndryshim. Në kryesi votohej, dhe kur them votohej do të thotë se hidheshin poshtë dhe propozimet që mund të bënte dhe vetë Sali Berisha, që ta dinë të gjithë shqiptarët. Kryesia ishte e zgjedhur nga kuvendi dhe jo nga Këshilli Kombëtar sepse statuti e kishte këtë gjë që të mos lejonte diktim nga një kryetar i cili mund të rregullonte siç rregullohen sot, sipas fytyrës së tij të gjithë ato që merr me vete.

Çim Peka: A frymëzon opozita e sotme sipas jush, ose më saktë a frymëzon Lulzim Basha?

Meksi: Unë nuk merrem me opozitën as me pozitën, ai i frymëzon a si frymëzon duhet pyetur publiku që del në opozitë dhe flet në opozitë. Nuk mendoj se bëhet në këtë mënyrë opozita.

Çim Peka: Si e mendoni zoti Meksi?

Meksi: Opozita duhet të fillojë të ringrihet nga e para, me një demokratizim të saj të brendshëm, me zgjedhjen e të tëra strukturave me një anëtar një votë, ku votohet në një ditë për kryetarin, jo njëherë në Durrës njëherë në Shijak që të merret vesh. Ku votojnë ata të cilën nuk bëhen anëtarë një ditë përpara votimit, por aqë kanë qenë që para një 6-të mujori anëtarë të saj. Bëhet një fushatë anëtarësimi, bëhet një statut demokratik që ta dinë të gjithë që kjo është shtëpia se fjala juaj dëgjohet se vota juaj vlen. Nuk po them që vota në parti është si ajo që thotë Frenklin, që vota vret më shumë se plumbi, por është një votë e cila është vendimtare për partinë në zgjedhjen e kuadrove. Ka afate qëndrimi në postet drejtuese të kryetarëve të degëve dhe të partisë, ka persona që janë eksoficë për shkak të kontributeve dhe vlerave sepse garantojnë vazhdimësinë e partisë siç e ka e gjithë bota dhe votohet në të tëra nivelet në këtë mënyrë. Ka një program e cila nuk duhet të thotë që opozita ti kërkojë çdo ditë komshiut tim Ilir Beqja se pse se bën falas mjekësinë, ndërkohë që dihet që nuk duhet të jetë falas, por ta kërkojë që ta bëjë siç duhet të jetë për të bërë, nëse mendon se nuk po bëhet si duhet të bëhet. Pra në këtë drejtim nuk është në rregull, duhet të riorganizohet në një kohë sa më të shpejt, dhe besoj se shpirti opozitar ekziston me aq se e kuptoj unë. Shpirtit opozitar partia duhet ti përgjigjet nëpërmjet kontaktit me të, nëpërmjet dëgjimit dhe dëgjimit nëpërmjet votës.

Çim Peka: Ka një debat të jashtëzakonshëm mbi atë se ku ndodhet ekonomia shqiptare sot, dhe ka një debat mbi atë nëse Shqipëria duhet të marrë më borxh apo jo. Ju referuat pak më parë FMN-së e cila ka bashkëpunuar fort me ju?

Meksi: Ne e kishim të ndaluar që ta dish ti, që të kapërcenim 100 milionëshin si borxh dhe ky nuk duhet të ishte me terma të larta interesi, kjo ishte dhe arsyeja që ne merrnin ndihma prej tyre dhe ndihma të jashtëzakonshme nga Evropa. Kur flitet për borxhin publiku shqiptar mund të mos e dijë në kemi shlyer borxhin e klubit të Parisit 500 milionë dollarë borxh, por nuk e kishim zakon që të thonim që qeveria komuniste na la borxh tre herë në ditë, para çdo vakti që të dëgjojmë këtë parullë borxhi që na lanë paraardhësit.

Çim Peka: Pra po thoni që kur jeni zgjedhur kryeministër keni gjetur 500 milionë dollarë borxh?

Meksi: Po Klubit të Parisit, dhe borxhe të tjera bankave private dhe firmave private, të cilat u lanë më vonë, siç ishin ato që i kishim Çekisë, Kinës, Polonisë, etj.

Çim Peka: Vetëm se ka një gjë shifra prej 500 milion që thoni ju për 92-ish, krahasuar me sot është një gropë e madhe?

Meksi: Na ndihmoi Banka Botërore, u bë ajo qethja që quhet. Domethënë ne dhe BB paguam 120-130 milionë dollarë, u bënë bono thesari të cilat shlyheshin në kohë dhe nuk u bë ky gur për të vazhduar përparimin. BB dhe FMN kanë ndihmuar shumë vende, siç u ndihmua Greqia tani, siç është ndihmuar Portugalia etj.

Çim Peka: Ka një debat për atë që është dëgjuar për herë të parë, të marrësh borxh për të larë borxh. Si e gjykoni sjelljen e kësaj qeveri në aspekt me borxhin?

Meksi: Që borxhi duhet zvogëluar duhet zvogëluar. Unë e kam thënë edhe atëherë në një rast që rekomandimi i FMN-së ka qenë që të mos kapërcehet 40 për qindëshi për të qenë të qetë dhe 60 për qindëshi duhet të jetë limiti. Ka norma të tjera ajo që quhet avanci primar, hiqen paratë që shpenzon borxhi, pra duhet të kishe suficit ndaj deficitit. Duhet të marrësh kur merr borxh për gjëra të cilat prodhojnë punë, kontribuojnë në rritjen e GDP-së dhe në rritjen e konsumit, sepse sot ndodhemi aty ku konsumi bie asnjë nuk shkon të marri kredi dhe rritet ekonomia shqiptare, këtu ka diçka që nuk shkon. Tjetra është që ky borxh nuk duhet të kapërcejë disa limite, pasi nuk arrijmë dot ti paguajmë dhe do të na rëndojë përherë sidomos po të rriten. Por duhet parë dhe një gjë nëse janë në përputhje me inflacionin. Me normat e inflacionit me kursin e këmbimit, përqindjet e marrjes nga bankat e depozitës nga individët dhe për qindjet e dhënies së kredisë nga bankat. Kë në tërë botën dispozita ligjore siç është Italia, kundër fajdesë që thuhet për këtë lloj kategorie, 12 e ka Italia, limiti mbi këtë të quhej fajde. Ka norma Evropiane siç ka dhe për shërbimet celulare ka dhe për shërbimet bankare, nuk kam dëgjuar ndonjëherë opozitën se asaj i takon, si kur qe në qeveri që fliste për këto punë ashtu duhet të flasë dhe sot.

 

Çim Peka: Qeveria shprehet se falë reformave që janë marrë këto dy vjet ekonomia po fillon të shëndoshet, opozita pretendon të kundërtën duke thënë se ekonomia po shkon në një krizë të thellë dhe jemi shumë afër recensionit. Cila është gjendja e ekonomisë shqiptare për ish-kryeministrin Meksi në këto kohë?

Meksi: Vazhdon të jetë në të njëjtat ritme, nuk shohim rritje të konsumit pra rritje reale të ndjeshme të ekonomisë. Nuk shohim investime publike që të shohësh në gazeta dhe lajme përfshirë dhe SYRI.net.

Çim Peka: Zoti Meksi faleminderit!