Intervista me Driada Hoxhën RTSH

Intervista me Driada Hoxhën RTSH

Meqenëse do të trajtojmë tematikën e 28 Nëntorit, do të doja të dija nga ju si ish-kryeministër si e shihni Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë 103 vjetor të Pavarësisë?

28 Nëntori është festa kombëtare e të gjithë shqiptarëve. Unë shpesh e them, po nuk para dëgjohet, ne jemi Republika e Shqipërisë, nuk jemi Shqipëria. Shqipëria është tërësia e territorit ku banojnë prej kohësh shqiptarët në mënyrë kompakte dhe me lidhje të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Pra nuk janë ishuj. Unë do të thoja madje, që kombëtarja e Shqipërisë duhet të jetë vetëm një, nuk ka kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Kombëtare të Republikës së Kosovës etj.

28 Nëntori është festa e vetme kombëtare, festat e tjera nuk janë festa kombëtare, por festa zyrtare. Dhe këtu prapë ka një gabim në të gjitha territoret shqiptare, se quajnë për festa zyrtare dhe ato që janë të themi festa politike, pra festa vetëm të një grupimi, qoftë dhe të gjysmës.

Këto janë gjëra që duhet të evitohen. Ne këtej kemi përvojën  e 28-29 Nëntorit, ku Bashkia e Tiranës feston 29 Nëntorin po jo 28-ën. Ka dhe të tilla marifete. Si gjithnjë, festat kombëtare nxjerrin në pah dhe atë që do ta quanin çështja shqiptare, shumë prej kujt e quan çështjen shqiptare bashkim kombëtar, por që është qëndrimi i shqiptarëve në gjendjen e sotme dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, që çuditërisht nuk janë ato që prisnin 25 vite më parë, ku dhe çështja shqiptare shtrohej në programet politike të opozitës së atëhershme.

Madje unë kam thënë në një intervistë më vonë, kur kam qenë kryeministër, ne e fillonim çdo bisedë me të huajt, pikërisht me problemet e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni, mbi të drejtat e tyre dhe mbi të drejtën e vetëvendosjes apo dhe të bisedës së të huajve me ata që ne i quanim, përfaqësues legjitim të popullit shqiptar të Kosovës.

Shqiptarët në Ballkan nuk janë një popull i vogël në përmasat e Ballkanit po flasim, në tërësi, duke llogaritur ata që janë të regjistruar, që janë në emigracion, shqiptarë bëhen mbi 5 milionë Kosova dhe Maqedonia kapërcejnë 3 milionëshin, pra nuk janë pak. Nuk ka popull në Ballkan që kapërcen 10-11 milionëshin. Dhe si të tillë kanë interesa të përbashkëta, pavarësisht se janë në shtete të ndryshme, që fillojnë që nga kultura, tregtia, politika, përfaqësimi ndërkombëtar, mbrojtja e interesave kombëtare, mbrojtja e interesave të njërës palë dhe të tjetrës.

Kjo si të thuash, nuk është akorduar ashtu siç duhet ndërmjet qeverie apo përfaqësuesve politikë.

Thuhet se Shqipëria po vazhdon të humbasë kohë në zhvillimet e saj. Cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë ecuri të ngadaltë?

E para njëherë, konfliktualiteti maksimal dhe mosrespektimi i demokracisë.

Unë kam thënë diku që sa kohë do të ketë parti jo të demokratizuara, mos t’i gënjej kujt mendja, politolog e profesorë universiteti e deri tek maja fare, mos t’i gënjej kujt mendja se do të ketë Shqipëri demokratike.

A kemi sot Shqipëri demokratike zoti Meksi?

Ne luftojmë të jemi demokraci, por kemi një demokraci të mangët, që në shumë aspekte nuk funksionon ashtu siç duhet. Që do të thotë, që dikush prej nesh, një shumicë apo një pakicë nuk e  dëshiron këtë gjë, pasi u prish lojën, u prish kartat, nuk na lë të mund të jemi si duhet.

Gjëja e parë që duhej bërë për mendimin tim është pikërisht rivendosja e  një sistemi demokratik në zgjedhjet politike, në organizimin e partive. Kjo është fare e thjeshtë. Partitë financohen dhe nga shteti, pra nga populli. Një parti që nuk dëshiron të jetë e demokratizuar, është qejfi i saj, nuk mund ta detyrojmë, por nuk mund të marrë para nga shteti. Ky do të ishte kushti i parë.

Kush quhet parti e demokratizuar?  Ajo në të cilën ka zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda saj dhe askush nuk cakton   kush duhet të konkurrojë, siç bëjnë pa përjashtim të gjithë kryetarët e partive. Cilësoj kryetarët e partive, se janë kthyer në pronarë të partive.

Pra nëse nuk do të kemi struktura demokratike, nuk prodhohet demokraci. Nuk ka shtet të së drejtës kur nuk ka demokraci, nuk respektohen si duhet të drejtat e njeriut. Nuk po them të jemi si Suedia apo Norvegjia, nuk po them të krahasohemi me këto vende, po të jemi gjithnjë sot më mirë se dje, të luftojmë që nesër të jemi më mirë se sot.

Zoti Meksi, Shqipëria doli nga diktatura përafërsisht në një kohë me vende të tjera si Çekia, Rumania etj. Çfarë mund të konsiderojmë arritje në fushën ekonomike dhe politike dhe çfarë nuk ka mundur të realizojë vendi ynë në këto 25 vite?

Këto kanë qenë vende më të përparuara. Unë kam qenë student kur u bë revolucioni hungarez. Në klasën time, kur filloi protesta, erdhën dy studentë të Fakultetit të Arkitekturës( erdhën në vit të dytë me ne) dhe ata na treguan se çfarë ka ndodhur. Ishin shumë të avancuar se Shqipëria, për nivelin e jetës, për mënyrën e të ndërtuarit që ishte fusha jonë. Këtë e kemi dalluar gjithnjë, që studentët, specialistët që vinin në Shqipëri nga Çekia, Polonia, Hungaria ishin më të lirë në mendim, më të prirur për të dhënë gjykimet dhe opinionet e tyre. Pra ishin në një nivel më të lartë. Këto vende, duke qenë më të përparuara se ne, e patën më të lehtë. Ka të bëj mentaliteti politik, mentaliteti dhe gjithë organizimi shoqëror. Kjo tregon se ne duhet të bëjmë më shumë për të shmangur këtë prapambetje që kishim. Unë nuk shoh të punohet aq sa duhet në këtë drejtim, kemi shkollën, respektin për njeriun etj.

Cila është detyra më emergjente që ne duhet ta përmbushim si shtet për të vijuar zhvillimin e  vendit?

Të ndërtojmë demokracinë siç duhet, të gjithë të tjerat lidhen, jo ky ligj, jo ai ligj, jo kjo jo ajo janë mashtrime. Evropa nuk i ha. Se ne themi një kusht, ata  na thonë që janë nja pesë. Po t’i lexosh ato të pesta apo të dymbëdhjeta, është e gjitha mënyra e qeverisjes dhe organizimit të vendit.

A do mundemi ta ndërtojmë demokracinë siç duhet teksa po bëhet një debat i madh sa i përket Reformës në Drejtësi, korrupsionit…?

Bëhet më shumë zhurmë.

Që duhet reformuar drejtësia është jashtë çdo diskutimi dhe reformimi është për të siguruar luftën kundër korrupsionit dhe dhënien e drejtësisë.

Për këtë punë e duam ne drejtësinë. Nuk e duam që të jetë një godinë e bukur me zyra të bukura, me njerëz që vishen mirë, që flasin bukur, por bëjnë të kundërtën e asaj që thonë. Ne duam një drejtësi, e cila të zbatojë ligjet, kur ligjet janë demokratike.

Pra, së pari duhet të garantojmë popullin, që këto ligje janë demokratike, pra garantojnë të drejtat e njeriut, të drejtat themeltare, njëlloj si në gjithë Europën dhe e dyta që këto ligje të funksionojnë dhe të aplikohen, jo sipas vullnetit të gjyqtarit, por sipas asaj që është shkruar.

Kur ka shregullime, klasa politike, legjislativi i duhet t’i rregullojë. Ka përvojë, por ka dhe  mosrealizim të asgjëje, siç është lufta kundër korrupsionit dhe tani kanë gjetur drejtësinë dhe nuk përmendin fare korrupsionin.

Ne drejtësinë për këto punë e duam, për të shmangur korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të individit nga dhuna që mund të ushtrohet nga qytetarë, nga administrata e kushdo tjetër.

Ndërkohë sa e orientuar është Shqipëria në zhvillimet e saj?

Një orientim i përgjithshëm drejt zhvillimit dhe demokracisë ekziston. Të gjitha këto që përmendëm më parë që duhen rregulluar janë ato që e pengojnë realizimin e orientimit.

Këtu kam një vërejtje të vogël, që lidhet me atë që është miti i kalasë së Rozafës.

Tek ne çdo qeveri fillon nga e para. Ka gati tre vjet që po dëgjojmë “qeveria na la borxhe, borxhe vetëm na la”… Çdo qeveri lë borxhe dhe shlyhen me radhë, se të gjitha janë me deficit. Dhe unë kam shlyer, në një dorë qeveria shqiptare ka shlyer 500 milionë dollarë, që qenë gati një e treta e buxhetit të një viti, me ndihmën e të huajve janë shlyer dhe me paratë e buxhetit shqiptar,  po nuk kemi bërë ndonjë zhurmë të madhe.

Orientim ka pasur gjithnjë, po jo duke refuzuar. Nuk kemi dëgjuar ndonjë President amerikan të shajë paraardhësin. Aty ka dhe një barsoletë që “shaj deri në gjashtë muaj, pastaj shaj veten tënde”.

Zoti Meksi ju e ndiqni situatën e pakëndshme në Kosovë…

Sigurisht nuk është gjë e këndshme të shohësh sesi hidhet gaz lotsjellës në parlament. Ka dhe nga ata që kënaqen  duke thënë mirë u bë, që t’i tregojmë botës se kush jemi. Në Amerikë nuk gjuhet me grushte, shumë shumë hedhin letra, parulla. Janë rregulla që dhe ne duhet  t’i respektojmë. Po vështirësia tek ne është se kur dikush është në pushtet, refuzon të dëgjojë palën tjetër. Pra nuk funksionon demokracia.

Është një tipar shqiptar ky?

E gjithë bota e ka, po kanë vënë dhe rregulla dhe i nxjerrin mënjanë ata që tregojnë forma të tilla. Herë pas here është një sëmundje që zë shumë vende, Gjermaninë para 50 vjetësh, Rusinë për 70 vjet rresht. Sot jemi në një atmosferë tjetër, në një bashkësi tjetër, tentojmë të hyjmë brenda Evropës dhe jemi të detyruar të marrim dhe zakonet e Europës.

Sigurisht atje diçka nuk funksionon për sa e ndjek unë shtypin Kosovar dhe ato çka botohet tek ne. Përmasat e korrupsionit janë të mëdha, kundërshtia e palës tjetër është e madhe. Mungon siç dhe këtu, nuk pranohet, ulja në tryezë. Po këtu themi bëj siç them unë, hajde të diskutojmë por përpara e kam firmosur unë vendimin që do diskutoj me ty. Kjo punë nuk funksionon në rregull dhe është e turpshme që ndodh. Është një gjykim negativ për të tërë shqiptarët  ajo që ndodh këtu dhe në Kosovë. Nuk do të doja të zgjatesha më; Ne do të na respektojnë kur të tregojmë që zbatojmë rregullat. Me këtë rast përfitoj për t’iu uruar bashkatdhetarëve tanë kudo qofshin festën e 28 nëntorit, ditën e flamurit.