Intervistë me Armando Meta

Intervistë me Armando Meta

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi nuk përjashton mundësinë e konkurrimit në Kuvendin e 7 të demokratëve përballë ish-presidentit Sali Berisha për postin e kryetarit të PDSH. Numri një i listës së themeluesve të partisë së parë opozitare në vend pas 45 vjet diktaturë komuniste është shprehur dje posaçërisht për gazetën “Korrieri” se nuk i trembet ballafaqimit të ideve politike në Kuvend me kryetarin aktual të PDSH-së Berisha, megjithëse për momentin thekson se “nuk kam një plan të tillë”. Për t’u futur në garën për Kryetar Partie, në mënyrë që ajo të mos jetë më një komedi siç ka qënë deri tani, ish-kryeministri është i mendimit se duhen realizuar disa kushte minimale, të cilat do të mundësonin zhvillimin e një Kuvendi demokratik dhe reformimin sipas normave perëndimore të PDSH-së. Sipas tj, pikë së pari duhet bërë brenda 2 ose 3 muajve regjistrimi i të gjithë anëtarësisë së partisë, plus mbledhja e kuotave. “Regjistrimi i anëtarësisë do të krijonte kushte për riorganizimin e Partisë nga baza në qendër, jo mbi bazën e të përzgjedhurve nga lart, por mbi bazën e votimit. Riorganizimi i PDSH-së do të fillonte që nga seksionet, grupseksionet dhe degët mbi bazën e parimit “çdo anëtar një votë”. Mbi bazën e kësaj do të bëhej edhe organizimi i Kuvendit, i cili do të fillonte nga votimi i delegatëve për në Kuvend nëpërmjet Konferencave të Degëve. Këta delegatë mbi bazën e parimit “çdo delegat një votë” do të zgjidhnin edhe strukturat drejtuese të PDSH, si dhe drejtuesit e lartë të Partisë. Kjo mënyrë ndërtimi e Kuvendit do të mundësonte kontrollin e procesit të votimit dhe të numërimit, duke përfshirë në komisionet e votimit dhe të numërimit komisionarët e kandidatëve. Këto janë normat më elementare për çdo parti perëndimore”, thekson Meksi. Sipas tij, këto norma dihen nga drejtuesit aktualë, por ata nuk preferojnë t’i zbatojnë, pasi duan ta mbajnë Partinë nën thundrën e organizimit dhe drejtimit bolshevik. Realizimi i kërkesave të sipërpërmendura, sipas Meksit, do të institucionalizonte mendimin ndryshe në PDSH, në mënyrë që pakica të mos vuajë nën thundrën e një shumice jo të votuar, por të përzgjedhur siç është kjo e sotmja. Nga ana tjetër, ish-kryeministri shprehet se këto norma nuk bien ndesh as me statutin e PDSH, i cili, sipas tij, ka nevojë për ndryshime të mëdha. “Rregullat e sipërpërmendura i vlerësoj si të domosdoshme për një proces të rregullt konkurrimi në Parti, ndërsa kërkesat për ndryshime të thella në statut i vlerësoj si të diskutueshme, sepse kërkojnë një ballafaqim të gjerë alternativash për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Për përmirësimet në statut duhet të merren në vlerësim modelet e partive perëndimore të EDU-së, si dhe përvoja e PDSH-së, e cila për hir të së vërtetës në këto katër vitet e fundit ka qenë jo e mirë”, thekson Meksi. Sipas tij, realizimi i këtyre kërkesave do të mundësonte zhvillimin e një gare të ndershme brenda PDSH për çdo nivel partiak dhe jo siç është bërë deri tani, që garat për poste partiake të kthehen në farsa dhe të lënë një shije të keqe në opinionin politik dhe atë qytetar.

Objektivat politikë

Ish-kryeministri që kohë më parë në gazetën “Korrieri” ka publikuar në një farë mënyre objektivat e tij politikë, me qëllim që PDSH t’u kthehet idealeve të dhjetorit ’90 dhe të mbyllë përfundimisht puset e hakmarrjes së verbër politike ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Sipas tij, ka shumë demokratë të ndershëm që janë tkurrur në pritje të ndryshimeve bashkëkohore në PDSH. “Idealet e dhjetorit ’90 duhet të jenë busull për PDSH. Tani në Evropë fryjnë erëra të tjera, të cilat kanë prirje drejt integrimit dhe jo konfrontimit. Pra, kemi të bëjmë me shkëmbim të lirë të ideve dhe një shkallë më të lartë bashkëpunimi. Siç kam thënë pa reshtur gjatë këtyre viteve, nën drejtimin e lidershipit të sotëm, PD është shumë larg të qenit demokratike dhe krerët e saj me veprimet e kryeneçësinë e muajve të fundit zor se bëhen ndonjëherë demokratë”, thekson Meksi. Sipas tij, i duhet dhënë fund njëherë e mirë metodave jo demokratike që u instaluan shkallë-shkallë në PDSH, sidomos në Prill-Maj të ’97 me Grupin e 27-ve. Instalimi i këtyre metodave, sipas Meksit, solli si pasojë që shumë nga ata që shërbyen me zell në krye të PDSH, sot nuk janë më aty dhe e keqja më e madhe, sipas tij, është se metodat jo demokratike janë kthyer tashmë në norma. “Të përzgjedhurit e rinj, me votime delegatësh të “përzgjedhur”, duhet t’i zbatojnë, përndryshe largohen. Fatkeqësisht, njerëz të tillë, të gatshëm për punë jo të mira, ka gjithnjë, veçse ata largohen kur s’kanë ç’të përfitojnë më. Kam kërkuar gjithnjë demokratizimin e PD, por fjalët e mia kanë rënë në veshin e shurdhër të drejtuesve aktualë të PDSH. Ajo po rrudhoset përditë dhe tashmë nuk është më në gjendje të realizojë ëndrrat e pasuesve të saj. Ka ardhur koha të luftojmë më me vendosmëri për të çrrënjosur bolshevikët (ithtarët e diktatit të shumicës) dhe metodat e tyre nga drejtimi i PD-së, ndryshe do të mbetemi gjatë nën thundrën e ish-komunistëve dhe askush nuk do të na e fali”, thekson Meksi. Ish-kryeministri kërkon edhe ngritjen e një Komisioni të Urtësh në PDSH me qëllim që t’i jepet fund, sipas tij, “fushatës së turpshme të shpifjeve ndaj disa prej figurave të rëndësishme të kësaj Partie, që sot janë të mënjanuar”.

Kushtet për të kandiduar:

organizative:

• Regjistrimi i anëtarësisë së PDSH brenda dy-tre muajve
• Mbledhja e kuotave të anëtarësisë
• Votim i lirë sipas parimit “çdo anëtar një votë” dhe “çdo delegat një votë”
• Pranimi për shqyrtim i alternativave dhe prania në struktura e njerëzve që i parashtrojnë ato
• Alternimi në drejtim me kufij të qartë kohor të përcaktuar
• PDSH duhet të vendosë sa më parë rregulla të reja e më të plota në statut dhe rregulloret bashkëshoqëruese, duke patur si shembull përvojën e EDU
• Rregullat demokratike duhet të jenë ato të afirmuara tashmë në partitë e tjera simotra

Politike:

• Reformim të PDSH dhe fund copëtimit të saj
• Ndryshime në statut
• Luftë për çrrënjosjen e bolshevizmit nga drejtimi i PDSH
• Riorganizim i partisë nga qendra në bazë
• Hartim i programeve të qarta ekonomike dhe alternative për një rikthim të shpejtë të opozitës së pushtet.
• Forcim i lidhjeve me bashkësinë ndërkombëtare, qeveritë perëndimore dhe me grupimet e së djathtës evropiane
• Forcim të bashkëpunimit me të gjithë institucionet e huaja që operojnë në Shqipëri me qëllim përmirësimet në Ligjin për Zgjedhjet
• Fund aleancave kaotike, të cilat në thelb kanë shkelur interesat e PDSH dhe kanë nëpërkëmbur njerëzit e saj
• Aleancë apo koalicione për një qeverisje të përbashkët pas zgjedhjeve apo të një opozite më të organizuar e më të fortë dhe në cilëndo formë të jenë, ku asnjëri prej përbërësve nuk ka të drejtë të kërkojë më shumë se sa u jep vota e popullit
• Punë reale për një program me pika të prekshme nga zgjedhësit dhe me afate kohore të kontrollueshme, të mbështetur në përllogaritje, pra të realizueshëm
• Kontakte reale me faktorin ndërkombëtar që të na mbështesë kur të shohë synimet reale të opozitës

Aleksandër Meksi

Botuar në gazetën “Korrieri” më 21 Shtator 2001 nga Armando Meta