Intervistë me Arta Marku: Aleksandër Meksi-rrëfim për një punë 30-vjeçare

Intervistë me Arta Marku: Aleksandër Meksi-rrëfim për një punë 30-vjeçare

Zoti Meksi, libri “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë”, që përfshin hapësirën kohore mes shekujve XV-XIX, një studim që sapo i është dhënë lexuesve të interesuar dhe që sapo ka merituar dy çmime, është arsyeja e kësaj inteviste… Le ta fillojmë me një përshkrim të përgjithshëm: ç’është ky libër? Ç’ka në brendësi të tij?

Libri, siç e thotë dhe titulli, trajton historinë dhe arktitekturën e ndërtimeve të kultit islam në Shqipëri, dhe konkretisht, të një kategorie të veçante të tyre; të xhamive. Dihet se pushtimi dhe sundimi osman në Shqipëri, lidhet me një sërë ndërtimesh specifike përveç xhamive, siç janë teqet, tyrbet, hamamet, medresetë… Por këto të fundit, nuk përbëjnë objekt të librit tim, i cili ka të vetmen temë, xhamitë. Kjo edhe për arsyen se xhamitë janë ndërtimet kryesore të shërbimit të kultit islam në Shqipëri.

Ju i referoheni shekujve XV-XIX. Çfarë ka para shekullit XV dhe pas shekullit XIX, lidhur me faltoret myslimane?

Shekujt XV-XIX, janë shekujt që lidhen me vendosjen e pushtetit osman në Shqipëri, të dokumentuar zyrtarisht, me dokumenta të rregullta. Inkursionet e para osmane në Shqiperi datojnë në vitet 1380-‘81 kur ata hyjnë në Artë të Epirit e pastaj nga zona e Korçës, në Drinopojë pranë Gjirokastrës. Ndërsa hyrja osmane që përmendet në histori, në atë hapsirë shqiptare, në kuptimin gjeografik të asaj që sot quhet Republika e Shqipërisë, është beteja në fushën e Savrës (Lushnjë-1385), ndërmjet trupave turke, siç thuhet, të thirrura nga Karl Topia, kundër Balshajve.

15- 20 vitet e para janë sprova të hyrje-daljeve të ushtrive turke, të marrjeve të haraçit apo të marrjeve të fëmijëve peng për trupën e jeniçerëve… por, nuk kanë të bëjnë me vendosjen e rregullt të një administrate pushtuese. Kjo, dëshmohet vetëm në fillim të shekullit XV. Pikërisht me vendosjen e parë të administratës, kemi vendosjen e besimtarëve që falen, të cilët mund të kenë ardhur nga jashtë apo mund të jenë vendas të konvertuar.

Ka filluar ndërkaq konvertimi i shqiptarëve?

Konvertimi ka filluar. Të parët qenë fëmijët e familjeve shqiptare që ishin marrë peng dhe kishin jetuar në Stamboll, të inkuadruar në trupat e jeniçerëve dhe rrjedhimisht në fenë islame. Mund të përmendim këtu, në vitin 1417 Isa bej Evrenozin që dihet se është shqiptar. Kështu vazhdojnë të tjerë më vonë. Çdo familjeje sundimtare, gjatë shekullit XV, fëmijët iu shkonin jeniçerë, dhe këta rezultojnë të regjistruar në defterë. Këtu është rasti të themi se periudha osmane, është ajo periudhë e historisë së Shqipërisë, e cila ka dokumentacionin më të pasur falë administratës shumë të mirë turke, nga njëra anë dhe ruajtjes së këtij dokumentacioni në Stamboll dhe Ankara, nga ana tjetër. Ekzistojnë të gjthë regjistrat e taksave, ku përmenden detaje të pafundme: kush është timarliu, kush është spahiu, prejardhja e tyre, cilat janë familjet, kryefamiljarët e tyre. Në rastet kur janë regjistra, defterë të detajuar, në to gjenden edhe shënime që kanë të bëjnë me ndërtimet: kujt apo kur ju dha një kala; kush apo kur ndërtoi një xhami; dhënia e lejeve për të ndërtuar objekte të caktuara, etj. Pra, në regjistra mund të gjenden të tëra të dhënat që na flasin për ndërtime të kultit islam. Në raste të tjera, informacionet mësohen nga burime të tjera historike.

Pse i jeni referuar xhamive për të folur për arkitekturën e shekujve XV-XIX? A mund të bëhet fjalë për të tjera objekte të tjera, jo fetare, të cilat ofrojnë pretendime arkitekturore?

Gjatë kësaj kohe ka gjini të shumta të ndërtimit. Një pjesë e tyre lidheshin me kultin islam, siç ishin xhamitë, tyrbet, teqet… Janë pastaj ndërtime që hyjnë gjerësisht në këtë periudhë, siç janë karvansarajet(hanet) apo medresetë. Por janë edhe fotifikimet, kalatë e kështjellat, ato restaurohen apo ngrihen të reja. Ka gjithashtu banesa siç ka edhe kisha.

E megjithatë, pothuaj nuk behët fjalë për objekte të një karakteri social-kulturor…

Të karakterit social- kulturor mund të përmendim medresetë. Në Berat e Gjirokastër ato kanë qenë ruajtur deri vonë. Në Korçë Iljaz Bej Mirahori, la një vakëf, pra la një pasuri, me të cilat u ndërtua xhamia, mbahej një mencë për të varfrit, kishte shkollën dhe një hamam. Pra bëhet fjalë për ndërtime të karakterit që sot i vlerësojmë si social- kulturore.

E para është xhamia e Iljaz Bej Mirahorit… Cila është historia e saj apo e ndërtuesit të saj?

Nuk mund të thuhet se kjo xhami është tamam e para. Ajo është e para, e tipit me kupolë. Ajo është më e vjetra që ruhet. Prej saj nuk ekziston më minarja e cila është shembur nga tërmeti i vitit 1960, por flitet, dhe për mendimin tim duhet, të restaurohet.

Iljaz Bej Mirahori, ndërtuesi i saj, është me origjinë nga fshati Panarit. Quhej Ilia, ishte i biri i priftit të Panariti dhe merret jeniçer. Ai është jeniçeri i parë që hyri në muret e Kostandinopojës, në 1453, kur e morën turqit. Arriti të ketë gradën e tretë në sistemin e perandorisë, pas Sulltanit dhe vezirit të madh, pra kryeministrit. Ishte Imrahor, komandat i stallave,  që është në njëfarë mënyre, komandad i kalorësisë, struktura më e fortë e ushtrisë së kohës. Bëhet fjalë për një ushtri pushtuese që e kishte prioritet lëvizjen me shpejtësi.

Iljaz bej Mirahori, la një pasuri: çifligjet e tij, të zonës pranë Vithkuqit e Vosokpojës, dhe kontribuoi për ngritjen zhvillimin e vrullshëm të kësaj qendre të banuar që ishte Korça. (Nga emri i vjetër Gorica e shqiptuar nga turqishtja Xhorixhe prej nga ka ngelur termi i sotëm Korçë). Në fund të shekullit XIV ishte një qendër peshkopate fare pranë Korçës, Devolli. Qendra spostohet, janë gjetur madje edhe gjurmë të një kalaje. Por kjo qendër e re adminitrative mori zhvillim pikërisht kur u vendos ansambli i Iljaz Bej Mirahorit, prej nga kanë mbetur tyrbja dhe xhamia e ndërtuar në 1495-6. Kemi të bëjmë me ndërtimin më të madh dhe më të përsosur të xhamive me kupolë, bazuar në tipet që asokohe ndërtoheshin në Stamboll dhe provinca

Themi se është ndërtuar nga mjeshtra vendas, pasi përdoret një teknike që është vazhdimësi e teknikës se shekullit të mëparshëm, teknikës bizantine me gurë dhe tulla dhe që tregon hovin që ka marrë zhvillimi i qytetit por dhe  nivelin e forcave të ndërtimit. Kjo është një dëshmi e ekzistencës së mjeshtrave të ndërtimit të cilët po të mos ishin në lartësinë e duhur profesionale nuk do të mund të realizonin një ndërtim të tillë që do ti qëndronte kohës. Nga ana tjetër është dëshmi e praktikimit të një lloj industrie të prodhimit të materialeve të ndërtimit.

Xhamia e Mirahorit, shquhet për formën strukturore, për hapsirën e brendshme, karkteristike për xhamitë, për zbukurimin me këto elementë të thjeshtë. Ajo mbetet një ndër ndërtimet më të rëndësishëm të kësaj periudhe, të kësaj arkitekture, në Shqipëri…

Tiparet vendase të kësaj xhamie janë thjesht materialet e ndërtimit? Apo mund të flitet akoma më shumë për autenticitet?

Përveçse përdoret teknika e ndërtimit me gurë dhe tulla, ka edhe disa tipare, të cilat mbetën në vazhdim në Shqipëri në ndërtimin e faltoreve myslimane. Këtu mund të përmendim: mbulesën me trikëndësha në qoshet poshtë kupolës; vendosjen e dritareve në tri radhë, dy, dy dhe një më mes, në në rreshtin e tretë, në kupolë, të cilat i hasim edhe në xhami të tjera të Shqipërisë.

Ndërkaq, në kuadër të një arkitekture të përhapur që i takon një areali të madh, siç është kultura osmane ose kultura islame, xhamitë nuk mund të ndryshojnë shumë mes njëra -tjetrës. Të gjitha kanë një një minare ngjitur me trupin e xhamisë, kanë kupolë, muret, dritaret… Dallimet nga vendi në vend i bën përdorimi i materialeve dhe teknikat që mundësojnë ato.

Nëse do të flisnim për xhamitë me të mëdha, të periudhës që ju merrni në konsideratë, cilat do të përmendnim përveç asaj të Mirahorit…?

Përveç xhamisë së Mirahorit, është interesante të përmendet,  xhamia e ndërtuar nga Mehmet pashë Bushatlliu, në Shkodër, në vitin 1777-78, Xhamia e plumbit. Ajo ndodhet nën kalanë e Rozafës dhe i takon një tipi që në formën planimetrike lidhet me xhamitë e shekullit 16 në Stamboll, me një hajat përpara dhe me portikë anësorë. Sigurisht është në përmasa më të vogla krahasuar me xhamitë e Stambollit, pasi të tilla përmasa dikton vendi apo numri i besmitarëve. Por duket qartë dëshira e ndërtuesit, pra atij që ka dhënë paratë për të, Mehmet pashës, për të ngritur një xhami të veçantë nga të tjerat. Sepse dihet numri i madh i xhamive të asaj kohe. Vetëm në Shkodër mund të përmendim mbi 40 xhami, një pjesë e mirë e të cilave ishin fare të vogla, mesxhide.

Qysh në fillim të librit tuaj shkruani se faltoret e myslimaneve qenë dy: xhamitë dhe mesxhidet? Ka ndryshim mes tyre përçeç përmasave?

Xhamia ka atë që quhet mihrab që është një vend me shkallë, ku bëhet predikimi i të premtes, xhumasë. Mesxhidja është një vend ku bashkohet komuniteti fetar, ku mbahen predikime të përditshme, ku bashkëbisedohet e bëhen edhe takime të tjera… Mund ta krahasojmë me famullinë te të krishterët…

Ka një element të spikatur xhamia që është minarja. Sipas informacioneve që kam, sa më shumë ballkone (ose siç i quani ju me termin më të saktë, kazanë) të ketë aq më madhështore është xhamia…  Çfarë mund të thoni për minaret me më se një kazan, në Shqipëri, e rrjedhimisht për madhështinë e tyre.

Është e vërtetë që numri i kazanëve të minares, nënkupton madhështi për xhaminë. Por kjo varet nga përmasat e minares. Xhamitë në Shqipëri nuk janë të mëdha në përmasa, pasi janë ndërtuar në raport të drejtë me numrin e besimtarëve që do tu shërbejë, e rrjedhimisht edhe minaret nuk janë aq të larta. Pra janë me një kazan.

Kemi vetëm një rast të një minareje me dy kazanë. Kjo nuk është çështje paaftësie e ndërtuesve. Dihet se ndërtuesit shqiptarë kanë punuar edhe jashtë: në shek 16-17 kemi arkitekt Kasemin i cili është kryearkitekt në Stamboll. Po ashtu, ai që ndërton Xhaminë Blu është një shqiptar, Mehmet Biçakçiu…

Në Shqipëri nuk ka qenë e nevojshme të bëhen xhami aq të mëdha.

Në libër ju përmendni shprehjen: “Sipas traditës…”, në rastet kur bëni fjalë për ndërtimin e xhamive mbi themele kishash…

“Tradita” justifikohet me lehtësinë e të ndërtuarit mbi themele ekzistuese, mbi një planimetri katërkëndëshe me mure të thjeshta. Kjo kërkonte më pak mjete, më pak kohë.

Pra është e lehtë përshtatja, kalimi nga kishë në xhami?

Fare e lehtë është. Për të ilustruar këtë do të përdor një rast fare të qartë. Katedralja e Shën Stefanit, në kala të Shkodrës. Me marrjen nga Mehmeti II, në 1479… ndërtohet anash trupit të ish katedrales një minare me breza guri dhe tulle, ndërtohet minbari, nikja e drejtuar nga Meka, aty ku ka qenë altari i kishës… Pra u ruajt trupi i godinës, ju bashkangjit minarja jashtë trupit të saj… Dhe raste të tilla ka shumë.

Ka në librin tuaj disa xhami, të cilat nuk ekzistojnë por që për të folur për to i jeni referuar dokumentacioneve…

Për një pjesë të mirë të xhamive ekziston edhe dokumentacion fotografik pasi janë prishur vonë, në vitin 1967…

Pikërisht këtu do të doja të qëndrojmë. Të flasim për ato objekte kulti që janë bërë pre e kazmave në vitit 1967. Sa të rëndësishme ishin ato? A janë prishur asokohe xhami me vlerë?

Xhamitë e Peqinit dhe Kavajës, ishin në listën e monumenteve që duhet të ruheshin nga shteti. U vendos që të mos prisheshin por u prishën megjithatë. Arsyeja: “iniciativa lokale”, siç thuhej në atë kohë. Po kështu në listën e monumenteve të dëmtuara janë Xhamia mbret në Elbasan 1492, xhamia e Fatihut në Durrës 1501, xhamia Mbret në Berat 1492, minaret e të cilave që ishin me shumë vlerë. U prishën sepse u gjykuan si personifikim i faltoreve. Absurde!

Madje pati kërkesa për të prishur xhaminë e Ethem Beut në Tiranë, por ndërhyrja e Institutit të Monumenteve të Kulturës qe rezultative.

Xhamitë janë gjysma e punës tuaj studimore 30- vjeçare. Pjesa tjetër ka të bëjë me kishat, për të cilat ju e keni botuar disa vite më parë një libër. A mund të flisni pak për dallimet mes këtyre objekteve kulti, sa i përket numrit, vjetërsisë apo shpërndarjes…?

Objektet e kultit të krishterë kanë një kohëzgjatje më të madhe sigurisht. Ato fillojnë me shekullin IV, në periudhën paleokristiane. Nga gërmimet arkeologjike kanë dalë rrënoja në Bitrint, Sarandë, Finiq, Ballsh, Durrës, Tiranë, Elbasan së fundi, Lezhë, Shkodër…

Pastaj ka edhe dy periudha të tjera: shek. VII-VIII deri ne shek XV si dhe shekujt XVI deri ne XIX e fillim të shekullit XX. E gjithë kjo zë një hapësirë kohore prej 16 shekujsh. Ndërsa faltoret myslimane nisn të ndërtohen në shek XV.

A ka një periudhë, në kohën e sundimit osman, kur kishat nuk ndërtoheshin?

Deri nga mesi i shekullit XVI lejohet rindërtimi i kishave të rrënuara, por nuk lejohej ndërtimi i kishave të reja. Por në shekujt e mevonshëm iu hap rruga edhe ndërtimit të kishave të reja ama, me diferencën mes veriut dhe jugut. (Në veri ngritja e kishave pengohej nga fakti se katolicizmi atje lidhej me me ato fuqi me të cilat osmanët ishin në luftë). Kishat e raja shënohen pas vitit 1526 në Shqipërinë e jugut. Mund të përmenden kishat e Onufrit në Berat 1560-70, e Shpat të Elbasanit… Kjo periudhë e fillimit të lejimit të ndërtimit vijon me shfaqjen e mëpasme të tipoligjive të reja.

Ka një periudhë tjetër ndalimi, tashmë për objektet e kultin në përgjithësi pas kësaj një periudhë tjetër rilejmi. Çfarë mund të thuhet për objektet e kultit të ndërtuara pas viteve ’90? A ja vlen të merren në konsideratë nga pikëpamja arkitekturore?

Me vonë, ndoshta. Unë kam thënë në libër se pas lejimit të fesë, ndërtimet nuk shquhen për nga vlera dhe për nga lidhja me traditën vendase. Kaq mjafton për ti gjykuar. Në të ardhmen mund të flitet për to më mirë.

Dhe se fundmi, le te flasim për çmimin Kult me të cilin s’ka pak që u vlerësua libri “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë”…

Unë nuk jam tifoz i çmimeve dhe i dekoratave, e megjithatë bëhet fjalë për një vlerësim që i bëhet një pune disavjeçare. Them se insitucione që japin çmime të tilla, vlejnë të mbahen gjallë dhe të ndihmohen dhe nga strukturat shtetërore, në mënyrë që të mbijetojnë dhe të krijojnë një traditë të tyren, mes të tjerave, duke tërhequr vëmendjen për veprimtaritë shkencore e punët kërkimore… Të tilla gjëra në Shqipërinë e sotme nuk i kanë shumë për zemër as nga brezi i ri që aspiron punë shumë më të mëdha e  as nga ata që drejtojnë shtetin… Sigurisht se dhe këta bëjnë punë më të mëdha se kaq.

Aleksandër Meksi

Tiranë më 3 Korrik 2008-07-06

Botuar në “Milosao” më 06.07.2008