Ismet Toto – Figurë historike që meriton të evokohet.

Ismet Toto – Figurë historike që meriton të evokohet.

(Recension i vonuar për vëllimin “Bota e një djaloshi kryengritës”)

Vëllimi kushtuar patriotit Ismet Toto ka kohë që është botuar. Megjithatë ai është lënë në heshtje nga recensentët dhe kritikët që rendin mbas “porositësve” të shkrimeve madje edhe për njerëz të rëndomtë, pa ose me pak vlera intelektuale, politike apo historike. Ky “seleksionim” në botime dhe evokime është një variant tjetër i censurës së dikurshme, i përshtatur në sistemin pluralist.

Vëllimi “Bota e një djaloshi”, një përmbledhje e gjerë me shkrime publicistike të botuara në gazetat e përditshme dhe revistat e kohës, krijime letrare,   ese filozofike dhe sociologjike, ditarë, e tj., është i larmishëm që kompiluesve të tij, shkrimtarëve Halil Qendro dhe Ibrahim Gani, ju ka marrë shumë kohë dhe mund. Sepse hulumtimi nëpër shtypin e kohës, seleksionimi dhe renditja, redaktimi dhe sjellja në normën gjuhësore të kohës nuk është një punë që mund të bëhet kollaj.

Leximi i një vepre nuk është një qëllim në vetvete, për të shtyrë kohën, para së gjithash ai është një angazhim intelektual dhe profesional, që nëpërmjet një përfaqësuesi të brezit të intelektualëve të viteve ’30 të shekullit të kaluar, siç është Ismet Toto, të njohësh në mënyrë konkrete, nëpërmjet një individi aktiv dhe me formim të gjithanshëm, kohën, ngjarjet  dhe  protagonistët  e  saj.  Nga  ky  këndvështrim pa  hezitim mund të themi se vëllimi pasuron bibliotekën tonë që vazhdon të jetë me mangësi të mëdha me botimin e studimeve dhe krijimeve të kohës paradiktatoriale. Leximi i këtyre veprave për ne sot është një zbulim, një befasi dhe në rrafsh kombëtar është një pasuri intelektuale me vlerë. Se bota nuk fillon me ne dhe, sigurisht, as do të mbarojë me ne. Brezat e krijuesve intelektualë u ngjajnë valëve të detit që lindin nga njeri- tjetri dhe shtyjnë shoqërinë përpara.

Përshtypja e parë nga leximi është keqardhja që jeta e këtij djaloshi energjik, me përgatitje enciklopedike u mbyll aq shpejt. Shqipëria e asaj kohe më shumë se shtet me identitet “luhatej midis feudalizmës dhe rendit fisnor”. Hapat drejt zhvillimit dhe përparimit ishin aq të ngadalta sa që për brezin e ri të intelektualëve, disa të shkolluar edhe në Perëndim, nuk mjaftonin për t’u radhitur me vendet e tjera evropiane. Mënyra se si do të zhdukej kjo prapambetje bënte dhe diferencën midis intelektualëve, nxiste polemika të pafundme dhe grupime nga më të ndryshmet. Më autoritari nga këto grupime qe ai i Neoshqiptarizmës përfaqësuesit më në zë të të cilit qenë gazetarët autoritarë Branko Merxhani, Nebil Çika, Medin Ago, Tajar Zavalani, Anastas Plasari dhe Ismet Toto. Baza e manifestimit të tyre del nga shkrimet e secilit: “ Neoshqiptarët janë një grup i madh njerëzish me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë. Neoshqiptarët i lidh dhe i mban të bashkuar vetëm ndenja e përbashkët për lartësimin e Atdheut. Kjo klasë vepronjëse, e përbërë prej njerëzve patriotë e të ndershëm, që u dhimbet vuajtja dhe varfëria e familjes shqiptare… duhet të veprojë në të gjitha drejtimet për të rrahur dhe zgjidhur një tok problemesh të shoqërisë sonë’’. E citojmë këtë paragraf sepse shqetësimet që shfaq Ismet Toto 7-8 dekada më parë ndoshta janë aktuale më shumë sot se sa atëherë. Dhe këtë, sipas tij, mund ta bëjnë “neoshqiptarët me duar dhe shpirt të pastër, me energji, vullnet dhe guxim…që sot i gjejmë me pakicë në “tregun e tejngopur të politikës shqiptare” që për devizë kanë pasurimin nëpërmjet rrëmbimit dhe jo lartësimin e Atdheut. Ja pse idealistë të tillë si Ismet Toto duhet të njihen nga lexuesit, veçanërisht nga brezi i ri që ka më pak paragjykime të së shkuarës.

Me interes të veçantë në vëllim janë edhe shkrimet letrare që nuk i shërbejnë vetëm historianit të letërsisë për të parë ecurinë e saj, por edhe lexuesit. Për rrethanat historike të vendit tonë ne nuk kemi ndonjë trashëgimi letrare si popujt e tjerë (Alfabeti ynë sapo mbushi shekullin). Prandaj edhe krijimet, të çdo kohe, duhet të mblidhen dhe të botohen. Tematika e krijimeve letrare të Ismet Totos thuajse është një “materializim” artistik i pikëpamjeve të tij politike, shoqërore dhe filozofike. Duke i analizuar me kujdes ato nuk është zor të vësh re se Ai nuk kishte asgjë mangët nga shkrimtarët që nisën rrugën e krijimtarisë në këto vite dhe u bënë përfaqësues të denjë të brezit të tyre si Migjeni, Petro Marko, Nonda Bulka, Sterio Spase, Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, e tje.

Në shkrimet publicistike dhe filozofike Ismet Toto ka pasqyruar me bukuri shprehjeje gjithë shqetësimet e kohës së shkurtër që jetoi. Kudo i njëjti stil polemizues, kudo argumente të pakundërshtueshme, me shqetësimin e vazhdueshëm që atdheu të flakte tej ”feudalizmën dhe

të futej në rrugën e përparimit”. Sigurisht nuk jemi në një mendje me të që përparimin e vendit e gjente tek “diktatura e ndritur”. Si shumë të rinj të shkolluar të kohës, Ismet Toto sukseset e Italisë Fashiste dhe Gjermanisë Hitleriane në vitet ‘30, madje dhe të Rusisë sovjetike,  deri sa ato nuk kishin shfaqur pretendimet aneksioniste, i shihte si fryt “i diktaturës së ndritur”. Ndoshta pikërisht kjo e shtyu edhe në veprime të nxituara, për ”t’i dhënë dermën monarkisë së prapambetur” dhe për të djegur etapat, për t’u futur sa më shpejt në rrugën e përparimit. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se personaliteti i tij nuk mund të matet pasi fenomenet historike kanë precipituar, kanë marrë një drejtim tjetër të paparashikuar dhe demagogjia e atëhershme u kthye në krim të përbotshëm.

Është e lehtë të gjykosh nga lartësitë e kohës së sotme, prandaj për këto korifenj të së kaluarës duhet një masë tjetër, e zhveshur nga postulatet si “kufizime botëkuptimore”, “mosnjohje e luftës së klasave” dhe marrëzi të tjera të kësaj natyre të kohës që po tentojmë ta lëmë pas, të diktaturës së zezë komuniste. Ata e jetuan jetën e tyre me dinjitet, madje ndonjë si Ismet Toto e flijuan atë pa u tutur, pa iu dridhur qerpiku, madje mbrojtën me dinjitet në gjyq pikëpamjet e tyre. Ata, ashtu e kishin menduar dhe ashtu luftuan. Për ne duhet të jetë i shtrenjtë përkushtimi dhe devotshmëria e tyre.

Shembulli dhe vepra që lanë pas, e cila duhet botuar e plotë, nuk është vetëm një lëndë e dorës së parë për historinë, mendimin politik dhe filozofik por edhe një guidë se si Atdheu ynë arriti deri këtu. Botime të tilla dhe ndonjë recension i vonuar si ky, janë vetëm fillimi. Ne jemi një komb që jo për fajin tonë jemi ulur vonë në sofrën e qytetërimit. Çdo vlerë e së kaluarës, çdo personalitet i saj si, Ismet Toto përbën korpusin e patjetërsueshëm të kombit.