Kodiku i Korçës nr. 93 në një botim dinjitoz

Kodiku i Korçës nr. 93 në një botim dinjitoz

Nisma për botimin tërësor të katërungjillit të Korçës në faksimile, transkriptimin, studimin përkatës dhe përkthimin në gjuhën shqipe, duhet të vlerësohet si një ngjarje kulturore me rëndësi të veçantë, që duhet të pasohet me të tjera të kësaj natyre. Ky botim i përbashkët i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe i Shoqërisë Ndërkonfesionale Biblike të Shqipërisë, nga ana e studiuesve Andi Rëmbeci e Sokol Çunga, nën mbikëqyrjen shkencore të profesor Agamemnon Celikas, është një kontribut me shumë vlerë për shkencat shqiptare, që na jep mundësinë të njohim më mirë dhe me një kontakt të drejtpërdrejtë – si me një dokument shkencor, këtë Kodik katërungjillor të ruajtur deri vonë në Mitropolinë e Korçës.

Botimi luksoz dhe dinjitoz i kësaj vepre përbëhet nga tre vëllime të veçanta: Kodiku vetë, i riprodhuar në faksimile besnike e origjinalit, vëllimi dy gjuhësh shqip e greqisht me transkriptimin, studimin dhe përkthimin në gjuhën shqipe të ungjillit sipas Lukës, si dhe studimin në gjuhën angleze. Në këtë mënyrë kjo pasuri i bëhet e njohur gjithë botës shkencore dhe të interesuarve për të.

Është më të vërtetë një kënaqësi të kesh në dorë dhe në bibliotekën personale këtë  botim me një cilësi të lartë, që jep pamjen e vërtetë faqe për faqe të Kodikut  të Korçës 93, për të gjykuar për të, për vlerat e tij, për miniaturat, për shkrimin e bukur.

Studimi në vetvete përbëhet nga tre pjesë. Pjesa e parë me titull “Këqyrje tekstologjike e paleografike” bënë një paraqitje të rilindjes bizantine gjatë dinastisë maqedonase dhe vendi i kodikut të Korçës në  këtë mjedis kulturor, vijohet me një paraqitje të historisë së kodikëve të Arkivit Qendror Shtetëror, flitet mbi gjininë e katërungjillshit bizantin dhe këtë të Korçës. Një vend me rëndësi në këtë pjesë i është lënë analizës kodikologjike, shkrimit, libërlidhjes dhe për shënimet e mëvona në kodik.

Kodiku i Korçës 93, sipas autorëve të këtij botimi i takon fillimit  të shek. X dhe është karakteristikë për atë periudhë. Ai përbëhet nga 308 fletë pergamene me përmasa 153 x 120 mm. Ai është pjesë e koleksionit të  dorëshkrimeve mesjetare që ruhen në Arkivin Shtetëror. Kodiku i përket shek. X, është i shkruar në formë kryqi, një dukuri e rrallë dhe një nga shembujt më të vjetër të kësaj gjinie. Shkrimi i përket tipit Bouletée, një shkrim germëvogël i rrumbullakët, i realizuar bukur dhe i përdorur gjerësisht në dorëshkrimet bizantine të shek X. Tek titujt e kapitujve dhe tek germat nistore, shkruesi përdor modele shkrimi germëmëdhenj të një periudhe më të hershme.  Kodiku është shkruar nga tre shkrues të në dy periudha kohe. Duket qartë se shkruesi i të katër ungjijve i përket gjysmës së parë të shek. X; kurse dy të tjerët, që kanë shtuar disa fashikuj në fund, nisur nga tipologjia e shkrimit, janë të  shek. XIII. Bazuar në karakteristikat paleografike dhe kodikologjike, vendi i kopjimit rezulton të kenë qenë punishtet librëshkruese të Kostandinopojës, ndërsa vendi i përdorimit të tij, Korça.

Pjesa e dytë, “Miniaturat e dekoret”, me autorë Ioannis Vitaliotis, Andi Rëmbeci dhe Sokol Çunga, trajton miniaturat dhe zbukurimoren e Kodikut. Siç dihet në manuskriptet e periudhës mesjetare, zbukurimi i tyre është përbërëse e vlerave të tyre, si një aspekt i lidhjes së përdoruesit me tekstin dhe hyjnoren, ku pamja kishte rëndësi të veçantë. Ato në këtë katërungjill të Korçës, janë në 6 fletë pergamene, ku paraqiten Kanonet e Eusebit në një formë tradicionale e mjaft elegante. Përsa i përket miniaturave të katër ungjillorëve, realizimi i tyre është sipas tipit ikonografik. Veç tyre kemi zbukurimet mbititullore dhe shkronjat nistore. Në spektrin e ngjyrave mbizotëron ari, ndërsa kombinohet edhe kafja e kuqe, jeshilja e errët dhe e kaltra. Motivet gjeometrike dhe bimore të dekoreve mbititullore zhvillohen mbi sfond të kaltër apo jeshile të errët. Germat nistore të punuara artistikisht ndjekin, në përgjithësi, të njëjtin stil.

Studiuesit tregojnë se këto janë të fazës së parë d.m.th të njëkohshme me vetë dorëshkrimin (tekstin) dhe i takojnë shekullit të X-të, ato dallohen për përdorimin e gjerë të arit, krahasuar me ngjyrat e tjera. Ky stil dekorimi paraqet ngjashmëri me grupin e kodikëve me zbukurime blu-ar, sipas K.Weitzman, stil i lidhur me punishtet e Kostandinopojës të fundit të shek. IX dhe fillimit të shek. X. Dekoret që përmbajnë elementet e rozetës  dhe lulen dorëzonjë na drejtojnë për nga shek. X dhe po nga Kostandinopoja, apo zonat përreth. Përsa i përket miniaturave të ungjillorëve ato me mjaft gjasë janë të shekullit të XIII-të. Po kështu dekori i thjeshtë i shtesave të mëvonshme në fund të Ungjijve (Sinaksari dhe Menologu) i përkasin fundit të shekullit të XIII-të.

Pjesa e tretë, “Transkriptimi paleografik i Ungjillit sipas Lukës”, ka për autorë Andi Rëmbecin dhe Sokol Çungën të cilët na shpjegojnë se ai është kryer sipas rregullave të standardizuara metodologjike, duke ruajtur drejtshkrimin, theksin, shenjat e pikësimit si në origjinal, ndërsa fjalët e bashkuara u ndanë dhe shkronjat e emrave të përveçëm u shkruajtën të mëdha. Shënojmë se është për të vlerësuar që si në përkthimin në shqip ashtu dhe në transkriptimin në gjuhën e origjinalit është ruajtur forma e kryqit si në Kodik. Çdo ndryshim shënohet me shenja dalluese për studiuesit.

Ja vlen të nënvizohet fakti se një botim faksimile i këtij lloji e cilësie është i pari në historinë e botimeve dokumentare në Shqipëri, përgatitur me bashkëpunimin e institucioneve vendase. Fusha e botimeve të burimeve historike sipas standardeve shkencore është pak e lëvruar në Shqipëri, qoftë për shkak të së kaluarës së izoluar, qoftë për shkak të mungesës së përvojës dhe mundësive. Botimi i këtij Kodiku, si një prej më përfaqësuesve në rang botëror të asaj veprimtarie intelektuale të spikatur gjatë njërës prej periudhave më të lulëzuara kulturore të periudhës Bizantine, veç rëndësisë së vet shkencore, vjen të shërbejë si një kontribut në promovimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Vlera e këtij botimi qëndron edhe  në studimin e tij që nxjerr në pah vlerat, vendin e tij në artin mesjetar, datimin, përqasjet dhe ndikimet, e gjithë kjo meritë e autorëve, që duhen përgëzuar dhe inkurajuar për ta vazhduar këtë punë edhe pse të vështirë.

Botimi në këtë formë e me cilësi i Katërungjillit të Korçës përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë në jetën kulturore të vendit, një pasuri që vjen tek ne prej njëmijëvjetësh e bëhet pronë e të gjithëve. Tashmë kushdo mund ta admirojë, ta studiojë në origjinalitetin e tij. Është një botim i vyer, që urojmë të jetë i pari por jo i fundit për këtë gjini, pra të pasohet dhe me të tjerë Kodikë.

Kodikët që kanë arritur deri në ditët tona përbëjnë një thesar si dëshmi e kulturës së një vendi që i përdori në shekuj, i ruajti sepse i vlerësoi. Ata na nderojnë jo vetëm me vlerat e tyre por edhe me këtë vlerësim.

Aleksandër Meksi

Tiranë  12 dhjetor 2012

Botuat në “Shqiptarja.com” më 16.12.2012