Kontributi i Mustafa Merlika- Kruja në Historiografinë shqiptare

Kontributi i Mustafa Merlika- Kruja në Historiografinë shqiptare

Në optikën shqiptare, ku njerëzit klasifikohen me ne ose kundër nesh, domethënë armik (ka dhe më keq akoma: me udhëheqësin tonë ose kundër tij), personalitetet  si Mustafa Merlika Kruja-armik i përhershëm i diktaturave, i sllavo-komunistëve dhe atdhetar i flakët, e majta shqiptare deri dje dhe vazhduesit e saj nostalgjikë sot, e jo vetëm ata, i klasifikojnë ende si armiq.

Me kontributin e tij në çështjen shqiptare dhe Historinë e Shqipërisë ai mbetet një figurë tepër e rëndësishme e historisë dhe  kulturës së popullit tonë . Për tridhjetë vite ai ishte një protagonist, duke filluar me pjesëmarrjen aktive në Kuvendin e Vlorës të 28 Nëntorit 1912 (madje unë mendoj se është ai që ka shkruar Aktin e Pavarësisë ), duke vazhduar me poste të ndryshme dhe të rëndësishme qeveritare dhe veprimtari politike; si në atdhe ashtu dhe në mërgim.

Mustafa Kruja u përfshi në krijimin e shtetit të parë shqiptar, duke mos ardhur nga  rangjet e larta të zyrtarëve të Perandorisë Turke , të mbetur pa punë pas shembjes së saj, as edhe nga shtresat e  feudalëve dhe bejlerëve vendas, që ishin me këdo po të mos t’u prekeshin pronat. Ai vinte nga shtresa e mesme e shkolluar dhe dallohej për formimin dhe për aftësitë e tija intelektuale dhe ishte më bindës se të tjerët. Nga bashkëkohësit njihej si atdhetar e antikomunist i flakët, por njëherazi, dhe si intelektual dhe gjuhëtar i dorës së parë, me kontribute të spikatura.

Mustafa Merlika Kruja bën pjesë në atë grup jo të shumtë shtetarësh shqiptar të gjysmës së parë të shek. XX-të si Ekrem Bej Vlora, Mehdi Frashëri, Sejfi Vllamasi, Faik Konica, Lumo Skëndo, Teki Selenica e të tjerë, që me penën e tyre dhe vërtetësinë e dëshmive të dokumentuara, ndihmojnë për të njohur historinë e trazuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në periudhën nga pavarësia deri në Luftën e Dytë Botërore. Studimet e tij, ato që mundi t’i ruante familja, letërkëmbimi gjatë kohës që ishte në emigracion, si dhe ato dorëshkrime historike që mori me vete apo shkroi kur ishte në mërgim,  po botohen  kohët e fundit nga të afërmit e tij. Me gjithë vështirësitë e jetës nën diktaturë, përndjekjet dhe vrasjet, burgosjet dhe internimet, pasardhësit e Mustafa Krujës u kthyen në liri pas  vitit ’90 kur Shqipëria u çlirua nga zgjedha e komunistëve në shërbim të të huajve, më e keqja, më çnjerëzorja, më kriminelja dhe  më gjakatarja, që njeh populli shqiptar gjatë gjithë historisë.

Nga pena e tij e vyer kemi kontribute si historian e për historinë tonë, në disa libra të botuara ndërkohë; duke lënë mënjanë një numër shumë  të madh shkrimesh,   të cilët duhet të përmblidhen dhe botohen sipas fushës që i përkasin. Por sipas të dhënave krahas këtyre materialeve ka dhe  të tjera që ruhen në arkiva shtetërore apo dhe private. Ata , materialet duhen kërkuar sepse janë një pasuri që duhet t’u shërbejë të gjithëve.

Në këtë kumtesë kemi konsideruar pesë vëllime të botuara të Mustafa Merlika-Kruja: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i MadhdheVëzhgime Iliro- shqiptare”.. Leximi i tyre tregon se kemi të bëjmë me punime shkencore  origjinale të autorit dhe  me përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët, ku ai jep shpjegime e sqarime që në vetvete janë kontribute të vyera.

Vëllimi “Vëzhgime Iliro-Shqiptare”  është përkthimi i një vepre themelore për kërkimet albanologjike botuar nën përkujdesjen e Thalloczy-t, me pjesëmarrjen si kontribuues  të emrave të shquar në këto kërkime si;  Shuflay, Jirecek e Ippen. Të gjithë kapitujt janë pajisur nga përkthyesi Mustafa Merlika Kruja, me shpjegime të hollësishme, shumë prej të cilave janë paraqitje të mirëfillta të opinioneve apo hipotezave shkencore të përkthyesit.

Përzgjedhja për përkthim e kësaj vepre,  tregon dëshirën e autorit për të njohur më mirë lexuesit me historinë e vendit të tyre, për të qenë krenar dhe atdhetar. Si shembull të shënimeve të tij do të jepnim pasazhin e gjatë dhe thellësisht rigoroz të trajtuar në  rrafshin gjuhësor e atë historik, që i qëndron kritikës, mbi emrin e vendit dhe të vetë  popullit  arbër e shqiptar gjatë mesjetës.

Një vepër tjetër e shkruar në vitin 1952,  me një kompozim e konceptim interesant, është “Aleksandr’i Madh”, një vepër e një lloji të veçantë, një monografi historike për një hero të bashkësisë ballkanike. Në pjesën e parë jepet jeta dhe vepra e Aleksandrit të Madh, ndërsa tek e dyta- Maqedonia e hershme deri  tek Aleksandri. Monografia, pak e njohur nga lexuesi shqiptar, është shkruar me gjuhën karakteristike të autorit,, mbështetur mbi një bibliografi të pasur nga e cila ai privilegjon Weigel gjithënjë duke qenë dhe kritik ndaj tij.

Libri në të vërtetë është një histori origjinale, me gjykimet, interpretimet  dhe vlerësimet e Mustafa Krujës, edhe pse ka në tekst pasazhe të plota e të konsiderueshme të mara nga Weigel e autorët antikë, por gjithnjë të cilësuara si të tilla, çka flet për modestin dhe ndershmërinë e autorit, që nuk ka menduar se po i heq vlerën vetes duke na dhënë historinë me fjalët e goditura të të tjerëve. E njëjta gjë bëhet edhe kur citon e huazon nga autorët e tjerë.

Ndarja e veprës në dy pjesë dhe renditja e tyre nuk na duket pa qëllim nga ana e autorit. Ai ka synuar që pas parashtrimit të  jetës dhe veprës së Aleksandrit, në pjesën e dytë të japi historinë e Maqedonisë, duke mbajtur edhe qëndrimet e tij të mbështetura në burimet historike, për origjinën, banorët e përkatësinë etnike të Maqedonisë. Si dhe në librin e parë, kjo monografi, shquhet për rigorozitetin e stilit dhe gjuhën karakteristike të autorit, qartësinë e shprehjeve dhe paraqitjen e problemeve të diskutueshme, duke mbajtur, në shumë raste, qëndrimet e veta shkencore,

Libri i tretë, që mendojmë të trajtojmë është vëllimi, “Kujtime vogjlije e rinije”, ku Mustafa Kruja na jep kujtimet për familjen edhe rininë e tij, me penë letrari dhe vërtetësi të lakmueshme, pa as më të voglën mburrje e pa fshehur gjë. Autori krijon, me ngjyra të theksuara artistike, një tablo reale e të gjallë të jetës dhe ndodhive  në një krahinë të Shqipërisë së Mesme gjatë kapërcyellit të shekullit të XX-të, si dhe kohën e shkollës dhe marrëdhëniet familjes së tij me atë të Toptanasve. Falë stilit tërheqës, larmisë së fakteve dhe aspekteve të ndryshme të jetës që përshkruan, libri është në vetvete një burim i mirëfilltë historik, që ndriçon anë të shumta të jetës së vendit në atë periudhë.

Një minierë të vërtetë të dhënash historike dhe gjykimesh për shqiptarët dhe klasën  e tyre politike e përbën vëllimi “Letërkëmbim”, ku jepen të renditura në bazë të kriterit kronologjik, 123 letra,  midis Mustafa Krujës e Patër Paulin Margjokaj, të shkruar në mërgim ndërmjet viteve 1947 deri 1958. Një korrespondencë që ka zgjatur për më se njëmbëdhjetë vjet, një letërkëmbim midis miqsh, dy intelektualë, me interesa të larta shkencore dhe  atdhedashurie që  politika ekstreme i la përjetësisht larg Shqipërisë.

Letërkëmbimi ndërmjet tyre përqendrohet në ndodhitë historike në harkun kohor ndërmjet  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në të  vizatohen me vërtetësi, në raport me qëndrimet e tyre ndaj lirisë dhe çështjes kombëtare, me dhjetëra personazhe të njohur të politikës shqiptare ; qysh nga Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani,  Ahmet Zogu, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Mufit Libohova e shumë të tjerë.

Përgjithësisht tematikën e këtij letërkëmbimi e diktojnë ″pyetjet e   pafundme″ të priftit të ri për të gjithë zhvillimet historike. Mustafa Kruja, në pjesën më të madhe të letrave, jep në pasazhe të tëra shpjegime për historinë e Shqipërisë  e për probleme konkrete, të cilat, si dëshmitar, në mos pjesëmarrës i  ndodhive, jep sqarime, të cilat mundësojnë një kuptim më të mirë e të saktë të tyre. Nga ana tjetër, letrat  ishin edhe një pasqyrë e gjendjes shpirtërore personale të gjykimeve të tyre për problemet e së kaluarës së afërt dhe të aktualitetit për të cilin shkruanin.

Në shumë prej letrave gjejmë gjykime kritike për politikën dhe veprimet e politikanëve shqiptarë dhe këtu duhet nënvizuar se ai nuk kursen as dhe veten . Në to  ai tregon qëndrimet e tij për çështjen shqiptare, çështje e jetës,për të cilën ai punoi gjithnjë qysh me ngritjen  flamurit. Ai në një letër thotë se “.. ma mirë një Shqipëri në gjysmë  lirie me Kosovë se sa Shqipëri pa Kosovën..”, që dëshmon atdhetarizmin e tij, thelbi i qenies së tij politike dhe për çka luftonte ai,, që për të si dhe për ne  Kosova është Shqipëri, që shumëkush nuk po e përmend më.

Në letrat e tij ai bën disa herë vrojtime të sakta mbi marrëdhëniet e politikës shqiptare me atë botërore dhe shpreh mendimin se zgjidhjet e problemeve shqiptare janë vetëm në kuadër të zgjidhjes botërore, madje shpreh mendimin se Shqipëria do të jetë e lirë në kuadrin e një përmbysje të rendit të atëhershëm botëror (vitet 50-të), që ai e mendonte Lufta e Tretë Botërore, gjykim që ishte i drejtë. Ishte përmbysja e rendit komunist botëror që i çliroj shqiptarët prej tyre.

Në veprën e fundit të Mustafa Krujës që po shqyrtojmë në këtë kumtesë, ″Anthologji Historike ″, ai na shfaqet në një dritë krejt ndryshe, në një dimension të ri jo vetëm nëpërmjet fjalës dhe veprës së tij por edhe nëpërmjet dokumenteve dhe fakteve historike që po botohen kohët e fundit, nëpërmjet monografive për figura historike, kujtimeve të bashkëkohësve e tje. I ngritur në kult nga  pala që luftoi për një Shqipëri evropiane dhe që nuk ia arriti dot,  i anatemuar dhe i mohuar tërësisht nga pala tjetër që solli në pushtet murtajën sllavo-komuniste. Këta të fundit kishin edhe një arsye plus; veprat shkencore të Mustafa Krujës, kryesisht në fushat e gjuhësisë dhe historisë, me frymën e tyre  thellësisht patriotike dhe shkencore, u mohuan për t’u përvetësuar dhe shfrytëzuar nga pseudoshkencëtarët e regjimit. Ka ardhur koha që veprat shkencore e studiuesve deri dje të mohuar t’u kthehen bibliotekave dhe katedrave si pjesë e pamohueshme e shkencës dhe kulturës shqiptare e për këtë duhet të kontribuoj çdo studiues i ndershëm .

Kjo  vepër në formën që pa dritën e botimit , është pjesë e një programi më të gjerë i cili  u arrit të realizohet veçse pjesërisht. Vëllimi përbëhet nga disa pjesë të vendosura nga botuesit në  rend kronologjik; Histori dhe parahistori, Histori e Shqipnisë dhe Shqiptarët, Nga Roma në Mesjetë dhe  Pamvarësia,1912 e deri 1924. Në pjesën e parë Autori paraqet edhe pikëpamjet e tija, realisht shkencore, mbi Historinë dhe historiografinë, që janë dhe në themel të kërkimeve të veta edhe për të shpjeguar qëndrimet e tija. Në këtë pjesë jepet një tablo e plotë dhe mjaft erudite për lindjen e qytetërimeve, periudhizimet e prehistorisë, ndarjet në raca e popuj, prehistorinë e Pellgut Mesdhetar, pellazgët dhe ilirët, lidhjet me shqiptarët. Këto pjesë shquhen për erudicionin dhe qëndrimet personale të autorit, për komentet e pikëpamjet, për teoritë kryesore të kohës . Pjesa  mbyllet me një kapitull për- Indogjermanizimin e Greqisë dhe Italisë, përkthim (nga autori dhe Ago Agaj) i veprës me këtë titull të Hans Krahe, që botuesit e kanë gjykuar të dobishme për lexuesin shqiptar, çka e mendonte dhe Mustafa Kruja.

Më tej vijohet me pjesën e dytë të titulluar Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve,  mbi 150 faqe. Ajo  fillon me periudhën ilire me fqinjët e tyre, me emrin tonë kombëtar, kolonit greke e deri me pushtimin romak. Në të trajtohen me hollësi origjina e ilirëve, historia e  tyre, historia e Epirit dhe të Pirros deri në prag të pushtimit romak. Punimi është  bazuar në burimet historike të antikitetit dhe studimet e kohës dhe shquhet për nivelin shkencor e saktësinë e parashtrimit.

Mbas një boshllëku kohor (pjesa e sundimit romak) fillon  pjesa e tretë me titull Nga Roma në mesjetë, që trajton periudhën e hershme bizantine e vijon më tej me dyndjet sllave e pushtimin bullgar, pushtetin bizantin,   principatat shqiptare dhe mbyllet kjo pjesë ma pushtimin osman. Është një punim që dëshmon  erudicionin e spikatur të autorit, rigorozitetin shkencor madje edhe pa ju shmangur mendimeve dhe opinioneve të ndryshme shkencore, duke ju kundërvënë,  sipas rastit, dhe tezave të gabuara ose antishqiptare.

Pjesa e katërt trajton Historinë e Shqipërisë ndër vitet 1912 deri 1924. Aty shtjellohen me hollësi ndodhitë që prunë shpalljen e pavarësisë, akti i shpalljes dhe  veprimet për   ngritjen e shtetit, hapat e para të shtetit të ri e deri në kthimin e Ahmet Zogut në Tiranë. Është një pjesë me rëndësi të veçantë, sepse shkruhet nga një protagonist i atyre ndodhive, një dëshmitar i ndershëm dhe rigoroz, deri më sot të injoruar padrejtësisht dhe në mënyrë të turpshme për arsye të bindjeve politike. Kjo pjesë është e mbrujtur pikërisht për këto arsye me fakte të dokumentuara e të dhëna me detaje të shumta dhe interpretime të drejta dhe origjinale të historisë , duke u kthyer në një dëshmi konkrete që as nuk mund të mohohet dhe as mund të ndryshohet

Edhe vepra ″Anthologji historike ″ shquhet për stilin akademik, për mbështetjen në fakte të dokumentuara e të pranuara, për argumentimin e saktë shkencor, për trajtimin dhe interpretimin  realist të Historisë të Shqipërisë, pa pasione ideologjike dhe shoviniste,  aq  sa pa hezitim, mund të themi se studimet e Mustafa Krujës do të shërbejnë jo vetëm për referim por edhe si burim faktesh të dorës së parë. Sepse siç thamë janë ngjarje të treguara prej njërit nga protagonistët më të shquar e më të ndershëm të atyre viteve. Për fat të keq ajo është  vepër e papërfunduar ose që pjesë të saj nuk kanë arritur deri tek ne.  Të shpresojmë se mund të ketë dhe pjesë të tjera, që mund të zbulohen në të ardhmen.

Ky emigrant i përjetshëm, kundërshtar si i mbretërisë së Zogut, me të cilin pajtohet në Egjipt në vitin 1948, ashtu dhe i diktaturës sllavo-komuniste që erdhi më pas, nuk e  shkoi  kohën kot në mërgim por, gërmoi nëpër arkiva dhe biblioteka, krijoi dhe  punoi, në kushte të vështira jetese, ndërkohë që të dashurit e zemrës së tij lëngonin kampeve të fashistëve të kuq, punoi me përkushtim dhe pikësynime të qarta; për t’i lënë atdheut një trashëgimi të pasur. Është ndër të paktët qeveritar të këtij vendi, që dhe pas politikës, shkëlqyen në fushën e letrave edhe shkencës.

Duhet të vëmë në dukje se korrespondenca e Mustafa Merlika Kruja me njerëz të kulturës dhe politikës, është më e gjerë se sa ajo që deri më sot është botuar; disa letra kanë humbur , të tjera duhen kërkuar dhe  mbledhur, sepse ka të dhëna të sigurta për to, por megjithatë, edhe e botuara flet shumë. Ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë në një kohë të trazuar që nis me ngjizjen e shtetit shqiptar më 28 nëntor të 1912, kur nuk ishte e  lehtë të orientoheshe. Botimi i plotë i letrave të tij me personalitete të tjerë të politikës dhe kulturës shqiptare, duhet gjykuar me interes dhe duhet bërë sa më parë.

Veç letërkëmbimit,  nga ai ruhen një numër shumë i madh shkrimesh të botuara në shtypin e kohës (brenda dhe jashtë vendit), që lidhen me historinë tonë, të cilat duhet të botohen bashkërisht dhe më kritere shkencore. Vetëm ahere mund të themi se kemi shlyer një detyrim ndaj tij dhe Kombit.

Nga leximi i veprave të botuara të M. Krujës mendimi i parë që të lind është këmbëngulja e tij për të përforcuar tek bashkatdhetarët ndjenjën e krenarisë kombëtare duke nënvizuar faktin shqiptarët kanë qenë gjithnjë  në përpjekje  për të ruajtur trojet dhe identitetin e tyre, për të mbijetuar në rrethana tejet të vështira. Ai ndjente se për të qenë atdhetar e të luftosh për këtë duhet të njohësh historinë e për këtë shkroi e përktheu. Prandaj, nuk është i rastësishëm edhe orientimi i punës së tij shkencore  në fushat më  të rëndësishme të përkatësisë kombëtare : Gjuhës dhe Historisë, ku ai është kërkues dhe studiues i vërtetë.  Sepse  Mustafa Merlika   Kruja kishte vetëm një orientim; mbrojtja e çështjes shqiptare dhe antikomunizmi, edhe kur vendi ishte fushëbetejë e superfuqive të kohës, dhe e fqinjëve (1912-1924), dhe kur vendi ishte pjesë e perandorisë italiane, çka në këtë periudhë të fundit detyrohen ta pranojnë dhe italianët kur thonë se “puna e tij nuk përputhej me interesat italiane” (nga letra e Jacomoni-t drejtuar Ciano-s).

Për të zgjidhja e çështjes kombëtare dhe shmangia e rrezikut sllav e atij komunist ishin terreni mbi të cilën ai punonte.  Shpjegimin më të mirë mbi jetën dhe aktivitetin e vet politik, vetëkuptohet dhe për kredon e tij politike , ai e jep në kërkesën që u paraqiti autoriteteve amerikane për t’u vendosur me banim në Shtetet e Bashkuara, kërkesë e cila ju  pranua.

Mustafa Kruja është shkrimtar me penë të artë për të cilin Ernest Koliqi në revistën ″Shejzat″ në 1957,  thotë:″ Aty ku Mustafa , mandej arrin në përsosje letrare , asht stili epistolar. Ata qi patën fatin me pasë  letra prej tij, duhet t’i ruej në me kujdes sepse në to asht derdhur një visar i paçmim i shqipes″.

Prandaj mendoj se ia vlen  t’i  mbyll këto mendime dhe mbresa nga leximi i  veprave historike të Mustafa Krujës duke perifrazuar një thënie të njohur tashmë ″Ai nuk ka nevojë për ne kurse ne kemi nevojë për të″. Prandaj duhet të ndryshoj dhe qëndrimi zyrtar dhe ai i historiografisë zyrtare për të,  sepse është sjellje e turpshme dhe jo e qytetëruar, është gjykim për një fragment të jetës së tij politike, për një periudhë tejet të trazuar dhe me pasoja mjaft tragjike për shqiptarët, e cila, duhet thënë se gjykohet edhe ndryshe kur njeh atë dhe punën e tij në ato 13 muaj. E ndërkohë neglizhohet gjithë jeta e tij, 50 vjet, me vepra atdhetare për Shqipërinë.

Kontributi i Mustafa Merlika Kruja, i këtij albanologu të madh, krijuesit dhe drejtuesit të Institutit të Studimeve Shqiptare, në fushën e Historisë së vendit tonë ishte sigurisht i ndryshëm nga ai  në fushën e gjuhësisë, ku shquhet tej çdo vlerësimi. Ai  është dhe  historian i përgjithshëm dhe  hartues  tekstesh, por njëherazi, çka është  më e rëndësishme,  është kronist i asaj ku ka qenë dëshmitar dhe e ka  përjetuar si protagonist, ku  shquhet si atdhetar i flakët dhe si dëshmues serioz dhe i saktë, sepse siç na shënon Shejzat në shkrimin për vdekjen e tij  “Deshti ma fort Shqipnin se popularitetin e vet”.

Aleksandër Meksi

Tiranë 27 Dhjetor 2008

Mbajtur në Konferencën “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës(1887-1958)”,

Botuar në “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)” Shkodër 2011