Mustafa Merlika Kruja – atdhetar e studiues i shquar

Mustafa Merlika Kruja – atdhetar e studiues i shquar

Mustafa Kruja hyri në historinë shqiptare si një emër i vyer për të mbetur në të pavarësisht ndodhive të kohës.

Ai shquhet si atdhetar qysh në rini në vitet e shkollës, merr pjesë si drejtues në Kryengritjen e Madhe shqiptare të vitit 1912 që parapriu Pavarësinë, përfaqëson Krujën në Vlorë. Jeta e ti është intensive me veprimtari atdhetare e politike e njëherazi dhe si studiues  i pasionuar.

Mustafa Merlika Kruja lindi më 15 mars 1887 në Krujë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa  shkollën e mesme e kreu në Janinë, në gjimnazin turk të atyshëm ku, në përfundim të studimeve, u klasifikua i pari.

–  Më 1910, pasi fitoi konkursin e pranimit, u regjistrua në universitetin Mylkije  të Stambollit ku përfundoi studimet për shkencat politike dhe administrative me rezultate të shkëlqyera  .

– 1911, filloi punën si  mësues në gjimnazin e Durrësit prej nga largohet për veprimtari atdhetare. Stambolli kërkon ta internojë në Irak.

–  Më 1912, mori pjesë aktive në Kryengritjen e madhe të shqiptarëve kundra Perandorisë Osmane dhe ishte koordinator i saj për Shqipërinë e Mesme.

–  28 Nëntor 1912, si delegat i Krujës, merr pjesë në Kuvendin e Vlorë në Shpalljen e Pavarësisë e Shqipërisë, firmëtar i Aktit dhe  sekretar i Kuvendit, ku zgjidhet dhe anëtarë i  Senatit apo Pleqësisë. Emërohet nënprefekt i Vlorës.

–  1913, emërohet drejtor i arsimit në Elbasan.

–  1914, përkrah ardhjen e Princ Widit dhe së bashku me Abdi Toptanin luan rol të dorës së parë në kundërshtimin  e lëvizjes antikombëtare të Haxhi Qamilit duke e penguar që ajo të triumfonte në Krujë.

–  Më 1915, me urdhër të Esat Pashës arrestohet dhe dërgohet në burg, në Bari, si kundërshtar politik i tij. Pas një viti burgimi i kthehet në internim në ishullin e Favinjanës.

– 1917, pas lirimit nga internimi vendoset në Romë ku punon si kryeredaktor i revistës politiko-letrare “Kuvendi”.

– 1918, kthehet në atdhe dhe menjëherë hidhet në veprimtari politike. Në Durrës, më 25 dhjetor, merr pjesë në  qeverinë e  Turhan Pashës, si ministër i Postë – Telegrafës.

– 1921, në zgjedhjet parlamentare për Këshillin Kombëtar, zgjidhet deputet i Kosovës.

– 1922, merr pjesë në kryengritjen e Elez Isufit për rrëzimin e qeverisë.  Me dështimin e saj arratiset në Jugosllavi.

–  Kthehet më 1924 dhe  merr pjesë në revolucionin e Qershorit. Nga qeveria e Fan Nolit emërohet  prefekt i Shkodrës. Pas rrëzimit të Qeverisë së  Nolit, si shumë politikanë të tjerë    kundërshtarë politikë të Ahmet Zogut, arratiset në Itali. Por kohën më të gjatë e kaloi në Zvicër.

– Pas pushtimit Italian kthehet në Shqipëri. Si studiues,  drejton Institutin e Studimeve Shqiptare dhe  nuk merr pjesë në jetën politike.

– Duke kuptuar rrezikun e madh që i vinte Shqipërisë nga komunizmi dhe sllavët,  në fund të vitit 1941  pranoi të bëhej kryeministër , post që e mbajti për 13 muaj. Dorëheqja e tij qe e parevokueshme sepse  qeveria italiane nuk ju përmbajt kushteve që u formuluan kur ai pranoi postin e lartë.

– 1944, shkon në Vjenë, për t’iu ndodhur djalit më të vogël pranë , në momentet e fundit të jetës. Ndërkohë në Shqipëri triumfuan komunistët dhe Mustafa Kruja  nuk u kthye më kurrë në atdhe.

– Ai u kthye në një mërgimtar duke lëvizur nga Austria në Itali, në Zvicër , më pas në Egjipt e Francë, pranë kundërshtarit të dikurshëm, Ahmet Zogut,  për ta mbyllur jetën në SHBA, në qytetin Niagara Falls, duke u bashkuar me djalin tjetër dhe me motrën. Amerika, e kishte pranuar këtë ″armik”  qysh me kërkesën e parë për bashkim familjar dhe e kishte bërë qytetar të saj.

-Vdiq më 27 dhjetor 1958, në moshën 71 vjeçare, në SHBA .

Me gjithë vështirësitë e jetës nën diktaturë, përndjekjet dhe vrasjet, burgosjet dhe internimet, pasardhësit e Mustafa Krujës u kthyen në liri pas  vitit ’90 kur Shqipëria u çlirua nga zgjedha e komunistëve në shërbim të të huajve, më e keqja, më çnjerëzorja, më kriminalja dhe  më gjakatarja, që njeh populli shqiptar gjatë gjithë historisë.

Mustafa Kruja u përfshi në Kryengritjet shqiptare  dhe në krijimin e shtetit të parë shqiptar, duke mos ardhur nga  rangjet e larta të zyrtarëve të Perandorisë Turke , të mbetur pa punë pas shembjes së saj, as edhe nga shtresat e  feudalëve, që ishin me këdo po të mos t’u prekeshin pronat. Ai vinte nga shtresa e mesme e shkolluar dhe dallohej për formimin dhe për aftësitë intelektuale. Nga bashkëkohësit njihej si njeri i ndershëm, atdhetar e antikomunist i flakët, por njëherazi, dhe si intelektual dhe gjuhëtar i dorës së parë, me kontribute të spikatura në këto fusha.

Mustafa Merlika Kruja bën pjesë në atë grup jo të shumtë shtetarësh shqiptar të gjysmës së parë të shek. XX-të si Faik Konica,  Ekrem Vlora, Mehdi Frashëri, Sejfi Vllamasi,  Lumo Skëndo, Teki Selenica, Dhimitër Beratti  e të tjerë, e madje më tepër se kushdo, që me penën e tyre dhe vërtetësinë e dëshmive të dokumentuara, ndihmojnë për të njohur historinë e trazuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në periudhën nga Pavarësia deri në Luftën e Dytë Botërore. Studimet e tij, ato që mundi t’i ruante familja, letërkëmbimi gjatë kohës që ishte në emigracion, si dhe ato dorëshkrime historike që mori me vete apo shkroi kur ishte në mërgim,  po botohen  nga të afërmit e tij, duke u vlerësuar e ndihmuar studiuesit.

Nga pena e tij e vyer kemi kontribute si historian e për historinë tonë, në disa libra të botuara ndërkohë; por mbeten mënjanë një numër shumë  i  madh shkrimesh,   të cilët duhet të përmblidhen dhe botohen sipas fushës që i përkasin. Por  ka edhe materialeve të tjera që ruhen në arkiva shtetërore dhe private.

Do të ishte me mjaft interes që të dhënat si dëshmitarë i drejtpërdrejtë i ndodhive historike, si një aktor i tyre, ashtu si dhe  gjykimet e tij, t’i vendoste  dikush në rend kronologjik, ose sipas problemeve apo ngjarjeve, që do të ishin të dobishme për lexuesin dhe historianët si një minierë e vërtetë, sepse ai është një ndër të paktët qeveritar e personalitet i historisë shqiptare që flet.Ai sigurisht do ta bënte këtë histori por vdekja e parakohshme ja mohoi.

Ky emigrant i përjetshëm, kundërshtar si i mbretërisë së Zogut, me të cilin pajtohet në Egjipt në vitin 1948, ashtu dhe i diktaturës komuniste që erdhi më pas, nuk e  shkoi  kohën kot në mërgim por, gërmoi nëpër arkiva dhe biblioteka, krijoi dhe  punoi, në kushte të vështira jetese, ndërkohë që të dashurit e zemrës së tij lëngonin kampeve të fashistëve të kuq, punoi me përkushtim dhe pikësynime të qarta; për t’i lënë atdheut një trashëgimi të pasur. Është ndër të paktët qeveritar të këtij vendi, që dhe pas politikës, shkëlqyen në fushën e letrave edhe shkencës.

Energjitë dhe kohën  më të madhe  ja mori Fjalori i Gjuhës Shqipe, me rreth 30 000 mijë fjalë dhe 2600 faqe (siç dëshmon Karl Gurakuqi), një vepër madhore, e pajisur me shënime edhe në aspektin etimologjik për shumicën e fjalëve, por që diktatura e zhduku “pa lënë gjurmë”, ndonëse ishte bërë gati për botim qysh në vitin 1943 .Ndoshta kërkimet e ardhshme nga një brez i ri gjuhëtarësh të pakompleksuar nga e kaluara e të paimplikuar me të, do të flasin më me saktësi edhe për këtë. Në studimet gjuhësore ai jep një kontribut të gjithanshëm: për pasurinë leksikore dhe elementët e prozodisë,për strukturën morfologjike e ndërtimet sintaksore, për aspektin fonetik e fjalëformues, për etimologjinë e të dhënat dialektore, për toponiminë historike si dhe gjuhën e njësuar. “Prej tij sot trashëgojmë një dokumentim..të lëndës gjuhësore” me vlera për lëvrimin e gjuhës sonë, duke patur në themel parimet e tij. Ai. si rilindësit. mendonte se prej gjuhës mund të fitonin sfidën e    qytetërimit të mendimit

Shkrimet që na ka lënë si trashëgimi janë të natyrave të ndryshme dhe vetëm një pjesë e tyre ishte botuar në periodikët e kohës brenda vendit ndërsa  më të shumtat në shtypin shqiptar të diasporës. Kjo është vetëm një pjesë e punës së tij gjysmëshekullore. Shumë nga shkrimet dhe studimet e Mustafa Krujës presin të botohen. Ato janë pasuri kombëtare dhe kontribute në shkencën tone.

Lista e dorëshkrimeve është e gjatë por ne po rendisim ato,  që me interesimin e familjarëve të tij, tashmë janë botuar:

Antologji Historike, Elbasan 2001, shkrime historike.

Vëzhgime Iliro-Shqiptare, përkthim i veprës së Ludvig Von Thalloczy, Shkodër 2004..- Aleksandr’ i Madh, Shkodër 2005;

Fjaluer kritik i shqipes, Germat A dhe B, Tiranë 2008.

Fjalor i Frangut të Bardhë– Tiranë 2007.

Kujtime vogjlije e rinije , Tiranë 2007.

Problema Gjuhe, Tiranë 2012, një përmbledhje artikujsh mbi probleme të gjuhës shqipe.

Shkrime Historike, Tiranë 2012.

Kuvend letrash me miqtë, Letërkëmbimi me Gjonmarkajt dhe Zef Nekaj, vëll. I, Tiranë 2012.

Por ka dhe ndonjë vepër në dorëshkrim që ende nuk ka parë dritën e botimit si Shqipnia përpara Konferencës së Paqes në 1919,  bashkë me dokumente zyrtare të Qeveris së Përkohshme në 1919; ne shpresojmë në botimin e shpejtë të tyre si dhe gjithçka tjetër prej tij.

Nuk është i rastësishëm edhe orientimi i punës së tij shkencore  në fushat më  të rëndësishme të përkatësisë kombëtare : Gjuhës dhe Historisë, ku ai është kërkues dhe studiues i vërtetë.  Sepse  Mustafa Merlika   Kruja kishte vetëm një orientim; mbrojtja e çështjes shqiptare dhe antikomunizmi, edhe kur vendi ishte fushëbetejë e superfuqive të kohës, dhe e fqinjëve (1912-1924), dhe kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Italiane, çka në këtë periudhë të fundit detyrohen ta pranojnë dhe italianët kur thonë se “puna e tij nuk përputhej me interesat italiane” (nga letra e F.Jacomoni-t drejtuar Ciano-s).

Po kështu, me rëndësi është dhe letërkëmbimi me miq  sepse siç vërente Ernest Koliqi   “aty ku Mustafa, mandej arrin një përsosje letrare, asht stili epistolar. Ata qi patën fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to asht derdhur një visar i paçim i shqipes

Korrespondenca e Mustafa Krujës është e gjerë ; disa letra kanë humbur , të tjera duhen kërkuar dhe  mbledhur, sepse ka të dhëna të sigurta për to , por megjithatë, edhe këto përmbledhje flasin shumë. Ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë në një kohë të trazuar që nis me ngjizjen e shtetit shqiptar më 28 nëntor të 1912 ku nuk ishte e  lehtë të orientoheshe. Por siç thamë zgjidhja e çështjes kombëtare dhe shmangia e rrezikut sllavo-komunist ishin terreni mbi të cilën ai punonte. Në shumë prej letrave gjejmë gjykime kritike për politikën dhe veprimet e politikanëve shqiptarë dhe këtu duhet nënvizuar se ai nuk kursen as veten . Në to  ai tregon qëndrimet e tij për çështjen shqiptare. Në një letër thotë se “.. ma mirë një Shqipëri në gjysmë  lirie me Kosovë se sa Shqipëri pa Kosovën..”, që dëshmon atdhetarizmin e tij, thelbi i qenies së tij politike dhe për çka luftonte ai, që për të si dhe për ne  Kosova është Shqipëri, që shumëkush nuk po e përmend më.

Në letrat e tij ai bën disa herë vrojtime të sakta mbi marrëdhëniet e politikës shqiptare me atë botërore dhe shpreh mendimin se zgjidhjet e problemeve shqiptare janë vetëm në kuadër të zgjidhjes botërore, madje shpreh mendimin se Shqipëria do të jetë e lirë në kuadrin e një përmbysje të rendit të atëhershëm botëror (vitet 50-të), që ai e mendonte Lufta e Tretë Botërore, gjykim që ishte i drejtë. Ishte përmbysja e rendit komunist botëror që i çliroi shqiptarët prej tyre.

Në të vetmin shkrim ku dalin disa element të autobiografisë, në formën e një Vetëparaqitje, që në të vërtetë është Kërkesa që Mustafa Kruja i drejtoi autoriteteve amerikane për strehim politik më 1952, do t’i jepte përgjigje edhe pyetjes që të lind vetvetiu pas leximit të veprave Mustafa Krujën: e ”Çfarë e shtyu atë që të bashkëpunonte me italianët kur njihej patriotizmi i tij”. Mbas kthimit në Shqipëri nga emigracioni, kur punonte në Institutin  e Studimeve, Ai refuzoi tri herë rresht propozimet italiane për të marr pjesë në qeveri, por, më vonë, duke shikuar rrezikun që përbënte për shqiptarët komunizmi, që sa vinte e forcohej me ndihmën e të dërguarve sllavë, si luftëtar i çështjes shqiptare – italianët e quanin ultranacionalist,  dhe si antikomunist konsekuent pranoi.

Ai pranoi postin e kryeministrit me disa kushte që Jakomoni i miratoi. Kushtet ishin këto:

– Rikthimi në fuqi i vendimeve të 12 Prillit,d.m.th. abrogimi i traktateve që kishin të bënin me shkrirjen e forcave të armatosura dhe marrëdhënieve me jashtë;

– krijimin  e një milicie shqiptare në varësi të Ministrit të Brendshëm;

– kthimin e flamurit kombëtar në formën e vet origjinale.

Dhe këtë e bëri, siç  thotë ai vetë,  “si një detyrë e shenjtë patriotike..me i ndalue vendit t’em katastrofën ma të madhe që mund të pësonte”, e në këtë parashikim ai nuk u gabua pavarësisht rezultatit. Por prej tyre u pranua vetëm ajo që lidhej me flamurin (më 23 prill1942). Dhe siç thotë vetë Mustafa Merlika : Mbas nji vjeti lufte të pa barabartë kundra komunizmit nga nji anë dha pengesave të italianëve e të bashkatdhetarve të mij vetë, qi nga ana tjetër duhej të më përkrahëshin, vendosa me dhanë dorëheqjen”. Ai u tërhoq nga politika dhe  sidoqoftë u përpoq për një bashkëveprim të forcave antikomuniste të Shqipërisë së Mesme e të  Veriut.

 Gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës përveç se u hoqën nga flamuri shqiptar fashot e Liktorit, Plava dhe Gucia iu bashkuan Shqipërisë, nuk u zbatuan ligjeve raciale, rreth 300 familje hebrenjsh në Kosovë, që tashmë ishte pjesë e Shqipërisë, morën pasaporta shqiptare, u mbrojt ekonomia shqiptare dhe u  dërguan  kontingjente arsimtarësh në Kosovë. Ata që e shpallën Mustafa Krujën si armik, në atë pjesë të flamurit ku kishin qenë simbolet fashiste, të cilat Ai i hoqi , vendosën, pesë muaj më vonë, në Konferencën e Pezës më  16 shtator 1942, një simbol tjetër të huaj: yllin bolshevik.

Paskëtaj Mustafa Kruja u tërhoq nga politika aktive, duke parë se edhe nacionalistët  po bashkëpunonin me komunistët. Sidoqoftë, ai   i dha përkrahjen Lëvizjes së Legalitetit, në kuadër të luftës kundër komunizmit. Mërgoi nga një vend në tjetrin duke u marr me kërkime shkencore, deri sa ju dha strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe ndërroi jetë siç pamë më lartë më 27 Dhjetor 1958. Për të vlejnë fjalët e Ernest Koliqit “Deshti ma fort Shqipninë se popullaritetin e vet”

Për figura të tilla historia, gjatë këtyre 22 vjetëve, mendoj se ka pasur mjaft kohë për ta thënë fjalën e vet me objektivitet, pa pasione dhe kufizime apo tabu primitive politike dhe ideologjike. Pavarësisht nga kjo, do të jenë historianët dhe studiuesit e ardhshëm, të zhveshur nga indoktrinimi, interesat politike dhe inatet apo kryeneçësia tipike shqiptare, ata  që  do të thonë me drejtësi dhe paanësi fjalën për jetën dhe veprën e këtij atdhetari dhe shkencëtari të shquar në kompleksitetin e veprimtarisë së tij politike në dobi të interesave të atdheut.  Ai  është kronist i asaj kohe ku shquhet si atdhetar i flakët dhe si dëshmues serioz dhe i saktë, sepse siç na shënon Shejzat në shkrimin për vdekjen e tij  “Deshti ma fort Shqipnin se popullaritetin e vet”.

Kruja, duke e quajtur qytetar nderi  dhe me dhënien e emrit të tij sheshit kryesor të qytetit, ka nderuar jo vetëm një nga bijtë e tij  më të mirë por, edhe veten.

Aleksandër Meksi

Tiranë 23.11.2012

Fjala e mbajtur në konferencën përkujtimore më datë 24 nëntor 2012