Një libër me vlerë për arkitekturën osmane në Shqipëri

Një libër me vlerë për arkitekturën osmane në Shqipëri

(Machiel Kiel “Arkitektura osmane në Shqipëri,1385-1912”)

Botimi në gjuhën shqipe i librit të profesorit holandez Machiel Kiel ”Arkitektura osmane në Shqipëri,1385-1912” nga  Instituti shqiptar i mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) , i jep mundësi lexuesve shqiptar të njihen me ndërtimet e shumta të kësaj periudhe historike, mbi vlerat si dhe historinë e qytetërimin e kohës.

Profesor Kiel njihet në botën shkencore për studimet e shumta në vendet e Ballkanit, mbi artin dhe historinë e tyre për periudhën osmane . Ai është ekspert i klasit të parë dhe libri i tij, tashmë në gjuhën shqipe, meriton të vlerësohet e të bazohesh në të për vlerësimet dhe të dhënat e shumta që jep për historinë, qendrat e banuara, monumentet, porositësit e tyre dhe ndërtuesit. Duhet të nënvizojmë se  autori mbështetet në dokumentacionin historik arkivor dhe në një literaturë të pasur,  që e jep në fund të librit me anekset e bibliografisë dhe indekset përkatëse, edhe një dëshmi tjetër e vlerës së monografisë.

Në vitin 1970 ambasadori holandez i akredituar në Shqipëri Van Hemstra erdhi në Tiranë për të ndihmuar profesor Kielin me foto e materiale të xhamive shqiptare si dhe të monumenteve të tjera të asaj periudhe. Organet shtetërore të kohës i kufizuan vizitat e tij dhe i kërkuan Institutit të Monumenteve të Kulturës që t’i jepeshin atij foto e planimetri të thjeshta të disa xhamive, me mjaftë gjasë, që ai të mos mësonte se marrëzia komuniste ndërkohë i kishte rrënuar. Ato materiale e ndihmuan sado pak atë dhe vetë librin, që pa dritën e botimit  në vitin 1990, duke i bërë të njohur botës shkencore këtë trashëgimi të vyer arkitekturore të Shqipërisë.

Libri është realizuar në një formë mjaft origjinale, që rezulton e dobishme dhe praktike për lexuesin e interesuar. Pas parathënies mbi botimin, jepet një Hyrje historiko-gjeografike për vendin tonë, nga pushtimi dhe gjatë shekujve të sundimit osman, mjaftë e saktë dhe koncize. Janë gati 40 faqe tekst e shënime të hollësishme, me vlerë edhe sot, që i referohen burimeve historike dhe studimeve. Po kështu, duhen vlerësuar  dhe gjykimet e autorit për këtë periudhë të historisë së shqiptarëve.

Pas hyrjes vijon pjesa themelore e monografisë, ndërtimet që i përkasin arkitekturës osmane gjatë shekujve. Janë përfshirë në studim ndërtime të gjinive të ndryshme : fortesa, xhami, medrese, teqe, mejtepe, ura, kulla sahatesh, çezma, tyrbe, hamame si dhe mbishkrime të objekteve. Në monografi trajtohen 78 objekte të cilat i përkasin 23 qendrave të banuara. Monografia ka një numër të mirë fotosh dhe vizatimesh të cilat  ilustrojnë ndërtimet  që trajtohen në të.

Autori ka zgjedhur një formë të veçantë trajtimi; duke i paraqitur qendrat e banuara në rend alfabetik, duke dhënë për secilën qendër të banuar fillimisht  ”shënime historiko-topografike” me të gjitha të dhënat nga dokumentacioni historik dhe, pas kësaj, ndërtimet njeri pas tjetrit, sipas rëndësisë dhe kohës së ndërtimit.  Çdo ndërtim i veçantë paraqitet në një sërë  aspektesh: përshkrimi, teknika e përdorur, të dhënat historike e ato nga mbishkrime eventuale, vlerësime, ndikime e lidhje. Si të tilla, të dhënat që ofron libri janë një minierë e vërtetë për studiuesit dhe lexuesit e interesuar. Me to ndriçohet në shumë aspekte një periudhë gati pesë shekullore e historisë sonë.

Vlerësimet e Kiel për ndërtimet osmane të Shqipërisë, arkitekturën, kohën e ndërtimit  dhe veçantitë e tyre, si  një vend kufitar për perandorinë, sipas tij, por me rëndësi strategjike, jepen për çdo ndërtim të veçantë. Ai gjithashtu jep opinionin e tij  për këtë arkitekturë në përfundimet  ”në vend të mbylljes”, ku ai dallon  të paktën pesë etapa të mëdha në ecurinë në kohë të ndërtimeve.

Etapa e parë, që dallon autori, i takon kohës kur në kështjellat kryesore u vendosën garnizonet e para turke, duke mos ja lënë më ato në dorë vasalëve vendas. Në to, për nevojat e tyre, pushtuesit sigurisht që ngritën dhe faltore, të cilat me sa duket ishin të thjeshta dhe të ndërtuara me materiale rrethanore, që nuk i rezistuan kohës. Për to ka të dhëna në dokumentacionin historik por jo gjurmë materiale.

Etapa e dytë, sipas Kiel, fillon me ngritjen në Korçë në vitin 1495 të xhamisë së Iliaz bej Mirahorit, e ndërtuar në përputhje me format dhe metodat e arkitekturës së hershme osmane. Kjo periudhë e ndërtimeve të stilit të hershëm apo klasik vazhdon deri në çerekun e fundit të shekullit të XVI-të. Në këtë kohë nuk pati një islamizim në shkallë të gjerë as dhe vendosje kolonësh turq, dhe xhami ndërtoheshin në qendrat administrativo-ushtarake.

Etapa e tretë përfaqësohet nga veprat e shekullit të XVII-të, të ndërtuara në qytetet që tashmë ishin me një karakter të qartë mysliman e me ndërtesa të shumta të ngritura sipas traditës provinciale osmane . Në këtë shekull fillojnë porositës të ndërtimeve të gjinive të ndryshme  dhe sundimtarët vendas.

Etapa e katërt përfshin ndërtimet e shekullit të XVIII-të deri në vitet ’30-40 të shekullit pasardhës. Ato janë rezultat i kërkesave  në rritje në kushtet e islamizimit masiv të popullsisë shqiptare. Kemi një arkitekturë provinciale e lokale, madje, nënvizon Kiel, ndonjëherë dhe jo osmane, nga mjeshtëra që punuan dhe për banesat popullore dhe ndërtimet e krishtera. Ishte koha në të cilën forca unifikuese e kryeqytetit ndihej më pak në provinca, duke  pasur në to  hapësirë për zhvillime lokale pra “një rruge të lirë për një drejtim të ri në arkitekturë” me ndikime të kohëve të mëparshme historike, “një art me të vërtetë kombëtar”. Kësaj etape i takon edhe pjesa më e madhe e ndërtimeve, që lidhen me kohën e sundimit të vezirëve shqiptarë.

Etapa e pestë përfshin periudhën pas reformave të  Tanzimatit deri tek Pavarësia. Gjatë kësaj periudhe kohe shumica e ndërtimeve janë kazermat, rezidencat qeveritare, spitalet, shkollat e të tjera. Janë të pakta xhamitë e kësaj periudhe dhe shumica e tyre janë rindërtime të atyre ekzistuese, sidomos të atyre që u dëmtuan gjatë trazirave  kundër reformave.

Profesor Kiel e përfundon monografinë duke nënvizuar dhe një herë se arkitektura osmane në Shqipëri është “art i një province kulture”, e se veprat më të mira i përkasin periudhës më të hershme dhe janë me një stil të pastër.

Me këtë libër pasurohet biblioteka e kulturës shqiptare e sidomos ajo për monumentet. Është një botim dashamirës, një libër dinjitoze nga një erudit, që duhet  falënderuar. Po kështu është një botim në formë dinjitoze me ilustrime të mjaftueshme, meritë e Institutit dhe shtëpisë së tyre botuese.

Aleksandër Meksi

Tiranë më 16.11,2012

Botuar më 7.12.2012 në “Gazeta Shqiptare”

 

Skedë biografike e M.Kiel

Machiel Kiel ka lindur në vitin 1938 në Vormever (Holandë). Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Amsterdamit për histori arti e gjuhë e letërsi turko-osmane, për të cilat ka doktoruar. Ai ka shërbyer për 17 vite në Shërbimin Kombëtar të Holandës për monumentet e kulturës.

Është autor i gati 200 studimeve dhe i 11 librave. Është i angazhuar në një projekt afatgjatë kërkimesh në Arkivat osmane të Stambollit e Ankarasë.