Një monografi për Korçën (Pirro Thomo “Korça – urbanistika dhe arkitektura”)

Një monografi për Korçën (Pirro Thomo “Korça – urbanistika dhe arkitektura”)

Studiuesi i njohur i historisë së arkitekturës shqiptare Prof. Dr. Pirro Thomo i riparaqet publikut dhe të interesuarve, pas thuajse një çerekshekulli monografinë Korça-Urbanistika dhe Arkitektura, botim i Akademisë së shkencave një ribotim rezultat ky i kërkimeve të reja, i ritrajtimit të botimit të parë të vitit 1988, duke shmangur  kufizimet e kohës si dhe me një shqyrtim të gjithanshëm të materialit. Janë shtuar e përmirësuar ilustrimet si ato grafike ashtu dhe ato fotografike, sidomos në aspektin e cilësisë, çka ndihmon në perceptimin  më të saktë e të plotë të vlerave të arkitekturës së qytetit.

Studimet e autorit mbi urbanistikën dhe arkitekturën e qytetit të Korçës, mbi historikun e tij, si dhe punimet e shumta të restaurimit në ndërtesat e banimit ja kanë mundësuar hartimin e kësaj monografie, ndërsa koha ndërmjet dy botimeve të saj, me kushte të reja pune kanë vlejtur për një ribotim të një niveli shkencor e të mirëdokumentuar. Duhet gjithashtu të vërejmë se ai ka qenë studiuesi i parë i tyre, rilevuesi i tyre dhe dokumentuesi i asj pasurie të madhe kulturore që u vu në mbrojtje shtetërore.

Autori vëren dhe argumenton më së miri dhe në mënyrë të dokumentuar nga shembujt në teren se Korça me arkitekturën e saj është një shembull i veçantë ndër qytetet tona historike, me një fytyrë krejt të re e të ndryshme nga të tjerat, rezultat i një realiteti të ri të krijuar në kapërcyellin e shekullit të XIX-të, që është shthurja e marrëdhënieve feudale dhe lindja e atyre kapitaliste, kapërcimi i copëzimit krahinor, krijimi dhe fuqizimi i tregjeve ndërkrahinore, struktura të reja klasore e po lindte borgjezia vendase. Ky ndryshim cilësor i qytetit dhe i banesës është përshtypja e qartë për atë që e viziton Korçën herën e parë. Kontaktet e mëpastajme shpalosin fytyrën e larmishme të banesave të tij, pava rësisht nivelit ekonomik të pronarëve.

Prof. Pirro Thomo me mprehtësinë e tij që ja jep njohja reale e arkitekturës tradicionale qytetare e fshatare shqiptare dhe ajo e Korçës, vëren se ndodhën ndryshime në vendin që zinin në qytet deri atëherë tregjet e e qendrat e vjetra shoqërore pranë institucioneve fetare, duke kaluar në njësi ose ansamble me frekuentim të dendur e njëherësh me funksione shoqërore, kulturore, administrative e tregtare, si edhe sidomos ndërtimi i rrugëve si arterie të qytetit dhe në themel të kompozimit urbanistik. Autori gjithashtu vëren në Korçë dhe dukurinë e ndikimit të këtyre ndryshimeve në vetë trajtimin e banesës. Kështu zvogëlohen oborret, banesa i afrohet hapet ndaj rrugës. Shohim gjithashtu të ritrajtohen edhe banesat e vjetra ndërkohë që fillojnë të shfaqen tipa të rinj në përputhje me mënyrën dhe nivelin e ri të jetesës. Po kështu në monografi trajtohet, e sidomos edhe ilustrohet mirë zbukurimorja e banesave me gdhendjet mjeshtërore të elementëve prej guri si korniza, kolona e kapitele apo dritaret e dyert; si dhe kangjellat e mureve të oborreve në trajta të shumta.

Monografia shtjellohet rrjedhshëm dhe me një gjuhë të kuptueshme edhe për lexuesin jo specialist, në shtatë kapituj. Në to trajtohet me saktësi e kompetencë shkencore arkitektura dhe urbanistika e qytetit në të gjitha aspektet duke filluar nga paraqitja e  pozitës gjeografike e klimatike, në historinë e pellgut të Korçës dhe me vetë historikun e qytetit dhe jetën e tij ekonomike e shoqërore gjatë shekujve. Më tej, ecuria e qytetit në kohë në këndvështrimin  e zhvillimit urbanistik dhe të arkitekturës  ndahet në katër periudha, secila e paraqitur si kapitull i veçantë. Po kështu në një kapitull të ndërmjetëm trajtohet pazari i qytetit dhe në fund zhvillimi i sotëm i qytetit dhe jeta e qytetit të vjetër në kushtet e reja dhe nevoja për ruajtjen e kësaj trashëgimie të vyer.

Periodizimi në disa etapa i zhvillimit të Korçës i ka dhënë mundësi autorit të ndjekim ë me hollësi këtë rrugë historike  dhe pikërisht: deri në mesin e shekullit të XIX-të; në mesin e këtij shekulli; gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të deri në fillim të shekullit të XX-të (1912) dhe nga pavarësia deri në  vitet 40 të këtij shekulli. Në secilin kapitull paraqitet me hollësi gjendja fillestare dhe zhvillimi në kohë i qytetit në të gjithë përbërësit e tij, duke dhënë me saktësi  tiparet e urbanistikës për atë periudhë. Më tej trajtohet banesa si tipologji e njësitë kryesore kompozicionale, trajtimi i elementëve ët veçantë dhe teknika e ndërtimit, duke i dhënë një vend të veçantë në cilindo rast krahasimeve me qytetet e tjera historike shqiptare, që sjell në vëmendje të lexuesit tiparet dhe veçantitë dalluese të qytetit dhe të banesave të Korçës. Nënvizojmë dhe një herë që studimi është mbështetur mbi materiale dhe vrojtime të bëra në teren nga vetë autori, çka i rrit vlerën monografisë. Me vlerë është dhe përfundimi se qyteti u zhvillua  dhe u rrit duke ndërtuar në terren të ri, pa ndryshuar strukturën dhe karakteristikat e pjesëve më të vjetra, duken mbartur kështu vulën e kohës së vet çdo ndërtim apo lagje.

Me interes është dhe kapitulli që trajton atë që prof. Thomo e quan “ansambli zejtaro – tregtar”,  domethënë Pazari i Vjetër i Korçës, një tërësi tipike dhe e larmishme  dhe e ruajtur deri dje në gjendje mjaft të mirë, Në këtë kapitull trajtohen sheshet e tregtimit, dyqanet, hanet, kulla e sahatit. Të gjitha këto ilustrohen me shembuj të shumtë që tregojnë dhe shumëllojshmërinë e zgjidhjeve për secilën tipologji, në mënyrë që përgjithësimet të jene të sakta dhe jo të kërkuara.

Studimi i strukturës urbane të qytetit të Korçës dhe i arkitekturës së ndërtimeve të tij, në vitet e e shkuara,  kryesisht nga ana e Pirro Thomos , nuk ishte nje qëllim në vetvete, por, si detyrë për të përcaktuar mbrojtjen e ndërtimeve me vlera dhe ansambleve historike, që u quajt “zonifikimi i qendrës historike”, mbi bazën e të cilit u kryen dhe punimet konservuese restauruese. Falë saj Korça erdhi dhe në këtë periudhë ndërtimesh intensive dhe kaotike me pasurinë e vet që po cenohet, por që duhet të respektohet e të ruhet në fizionominë e saj origjinale. Qyteti mund të rritet e të zhvillohet ashtu si gjatë historisë së tij, pa prekur e dëmtuar të vjetrën, në terrene të reja.

E vërejtëm qysh në fillim se ribotimi i përpunuar i kësaj monografie në aspektin e dokumentacionit të paraqitur (foto e vizatime) të një cilësie e niveli të mirë shkencor, si dhe punës së kujdesshme të botuesit  ndihmon për një perceptim më të mirë të vlerave dhe të karakteristikave të Korçës në drejtim të arkitekturës dhe urbanistikës, të banesave, të zbukurimores dhe të dallimeve tipologjike. Me ndryshimet dhe shkujdesjen ndaj trashëgimisë, monografia merr një vlerë të veçantë dokumentare dhe shkencore për historinë e qytetit ne veçanti si dhe për atë të arkitekturës shqiptare .

Aleksandër Meksi

Tiranë 17.11.2012

Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 18 dhjetor 2012