Parathënie për Librin “Nga jeta dhe vepra e Jovan Adamit (1892-1951)” –Tiranë 2009

Parathënie për Librin “Nga jeta dhe vepra e Jovan Adamit (1892-1951)” –Tiranë 2009

Kur mbyll faqen e fundit të botimit “Të kemi besim në forcat e Kombit tonë“ , përmbledhje e krijimtarisë shkencore letrare dhe publicistike me autor  Jovan Adhamin  ke bërë një  “udhëtim“ emocional në historinë tonë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Në fillimet e periudhës së krijimit të shtetit të parë shqiptar atdheu ynë ishte në një situatë tejet kritike , në kërkim të identitetit të tij, në formimin e shtetit – komb fill pas shkëputjes nga Perandoria Turke. Plejada e shquar e intelektualeve të Rilindjes dhe të Pavarësisë ia kishin arritur që Shqipërinë , nga një “shprehje gjeografike “ ta bënin shtet , ndonëse të cunguar dhe te gjymtuar nga tri lufta ballkanike,  nga orekset e fqinjëve shoviniste, dhe nga luftërat  përçarëse  të feudalëve antishqiptarë,   që përpiqeshin për ruajtjen e privilegjeve të tyre.

Brezit të intelektualeve të ndershëm dhe patriotë  të pas viteve 20 të shekullit të kaluar , si Jovan Adhami, ju ra si detyrë që të ishin në ballë të punëve për ndërtimin e shtetit të ri modern shqiptar ndonëse trashëgimia feudale e  primitive ishte mbisunduese. Bindja dhe thirrja e Jovan Adhamit “Të kemi besim ne forcat e kombit tonë“ nuk ishte thjeshtë një slogan nga ato që politika prodhon me shumicë, por një nxitës i fuqishëm për të marre mbi vete barrë të rënda dhe për tua dalë mbanë. Ata, intelektualët dhe atdhetarët e viteve 20-30-të ishin njerëz me vullnete të fuqishme, me ideale të mëdha, me besimin e palëkundur se edhe vendi i ynë, ashtu siç ishte, do të ulej me të tjerët  në sofrën  e qytetërimit. Ata kishin studiuar në vende të qytetëruara evropiane , ishin shquar atje për inteligjencë dhe aftësi por  erdhën në vendin e tyre, për ta mëkëmbur, për ta bërë atë të lulëzuar e të përparuar, për të qenë të dobishëm. Dhe nuk i trembi as varfëria e as injoranca në të cilën ishte i zhytur vendi  e as forcat konservatore, veçse  shumëfishuan forcat dhe energjitë dhe punuan me vetëmohim.

Vepra dhe jeta e Jovan Adhamit është një dëshmi konkrete e këtyre përpjekjeve dhe jo rastësisht titulli i librit është ai i shkrimit të parë (viti 1920) pas kthimit nga studimet në atdhe, që është dëshmi e qartë e bindjeve dhe synimeve të autorit për të punuar me përkushtim për vendin e vet.

Libri paraprihet nga një biografi e shkurtër e jetës dhe punës së autorit, por domethënëse për të kuptuar vlerat dhe përmasat e trashëgimisë kulturore të autorit, formimin e tij dhe rrethanat në të cilat punoi dhe krijoi. Vijon më tej Ditari i viteve 1917-1920, Artikuj në shtypin e viteve 1920-51, Përshtypje udhëtimesh, Studime, shkrime divulgative për njohuri tekniko-shkencore, Bota dhe origjina e njeriut-libër 1943, Përkthime studimesh për Shqipërinë, Letërsi origjinale dhe letërsi e përkthyer si dhe skica e ilustrime nga ekspeditat kërkimore.

Leximi i vëmendshëm i librit të krijon pa më të voglën mëdyshje bindjen për vlerat personale të Jovan Adhamit, për kontributin e tij në kulturën e vendit tonë, si njeri të dijes por dhe përhapës i saj, si një shkencëtar. Leximi të njeh me shumëllojshmërinë e problemeve të përditshme shqiptare që ai trajton me erudicion dhe saktësi në artikujt e botuar në të përditshmet dhe revistat e kohës, si dhe dëshira dhe këmbëngulja për t’iu bërë të njohur lexuesve anë të ndryshme të vendit, i bindur se pa to dashuria për të do jetë e mangët.

Nuk kemi ndërmend të flasim për jetën e tij , për “biografinë“ sepse kjo paraqitet shumë mirë në libër, veçse nuk mund të rrimë pa tërhequr vëmendjen tek disa mendime që të sugjeron jeta dhe vepra  e një intelektuali si Jovan Adhami, që aftësitë dhe energjitë i shkriu për të mirën e atdheut. Ndonëse punoi me vetëmohim dhe përkushtim, Ai (siç është zakoni ndër ne) asnjëherë nuk u vlerësua ashtu siç e meritoi. Deviza e tij ishte: për Atdheun sado që të bëj përsëri është pak. Ja pse është  një meritë e botuesve te këtij vëllimi që ringjallen këtë figurë të shquar të kombit. Janë pikërisht njerëz të tillë të punë dhe penës që kanë bërë historinë tonë dhe jo “tregtarët e flamujve“.
Portretin e Jovan Adhamit autoret kane arritur ta japin  me “plasticitet” , në tërë dimensionet. Shkollimi i tij në Austri,Salzburg , për inxhinieri ndërtimi,   (1917- 1921), pasi kishte provuar punën fizike e po aq fisnike të gurskalitësit,  ishte një fat i madh, fat që Ai e shfrytëzoi në maksimum. Jo vetëm studioi me këmbëngulje dhe ia arriti të diplomohet , por si vrojtues i hollë dhe i vëmendshëm ai e jetoi jetën si një djalosh i qytetëruar dhe jo si  provincial nga një vend i humbur. Ai tashmë dinte çfarë të kërkonte dhe çfarë të bënte në vendin e tij : jo vetëm të ndërtonte ura dhe rrugë, që ishin profesioni i tij zyrtar, por edhe të përpiqej për rritjen e nivelit dhe të kulturës së jetesës të gjithë popullit.

Nuk kishte çfarë të shpikte por vetëm të vinte në jetë çfarë kishte mësuar dhe parë.  Vendi ku u shkollua ai dhe shumë shqiptarë të tjerë, Austria, ishte  dhe është model i qytetërimit, i përparimit, i artit dhe kulturës. Por për fatin tonë të keq tek ne mbizotëron geni i të mësuarit nga e keqja dhe jo nga e mira. Ja pse në këtë libër  zënë vend të konsiderueshëm artikuj dhe shkrime  të botuar në shtypin e kohës që mundoheshin të ndriçonin mendjet e fjetura të bashkatdhetarëve. Problematika e gjerë e krijimeve dhe shkrimeve të botuara në shtypin e kohës flet për karakterin poliedrik të këtij personaliteti të shquar të lënë në harresë, sigurisht jo pa qellim, sepse për pushtetet  pas vitit 1944 bota fillonte me ardhjen e tyre. Jovan Adhami asnjëherë nuk u tërhoq, asnjë herë nuk u ligështua nga prapambetja dhe injoranca që mbretëronte, përkundrazi, me kohë krijimtaria e tij u shtua me rritje në vëllim dhe cilësi.

Është interesante të vërejmë se mjaftë nga problemet që shtroheshin në shkrimet e tij shtatë-tetë dekada më parë, ruajnë edhe sot vlerat, aktualitetin. Kurse ditari i tij  i kohës së studentit është një prozë e vërtetë shkruar me art  aq sa mendojmë se po të mos i ishte përkushtuar inxhinierisë do të kishim një shkrimtar të talentuar me emër  në letrat shqipe të kohës.

Një kontribut të veçantë për kulturën shqiptare përbëjnë vitet e punës  në Institutin e Shkencave, të cilat ju kushtuan kërkimeve në terren dhe studimit të ndërtimeve të lashtësisë dhe mesjetës. Vitet e punës  atje, por dhe kërkime të mëparshme, i dhanë mundësinë që nëpërmjet një sërë ekspeditash në terren, i vetëm apo dhe me kolegë, të njoh  e të studiojë monumente të shumta të kulturës, shumica pak të njohura apo aspak, duke ndihmuar në studimet albanologjike të brezave të tërë  studiuesish të ndërtimeve antike e mesjetare, por dhe për vënien në mbrojtje të tyre, çka i shpëtoj mjaft prej tyre nga humbja.                     Jovan Adhami në përfundimet dhe vlerësimet e tija  u mbështet në literaturën e deriatëhershme  (që ai kërkonte të pasurohej me botim të plotë të burimeve dhe dokumentacionit historik), por dhe me gjykimet e tija shkencore, të cilat koha pak i ka ndryshuar.

Botimi i përbashkët i studimeve të Jovan Adhamit  për kulturën materiale, do tu mundësoj lexuesve të interesuar, por dhe studiuesve,  të njihen me trashëgiminë kulturore të shqiptarëve  nën vështrimin dhe punën e një intelektuali që jetoi dhe punoi në kohë të vështira. Ndër këto studime, një vend me rëndësi dhe kontribut tërësisht origjinal, e zë studimi monografik për rrugët e Shqipërisë nga lashtësia deri në mesin e shekullit të XX-të, që për shkak të përvojës në ndërtimin e tyre dhe asaj të arkeologut është mjaft i saktë dhe i plotë dhe sot e kësaj dite.

Një sërë punimesh me interes për kohën janë dhe studimet ekonomike  ku ai si atdhetar paraqet analiza me vërtetësi shkencore. I tillë është ai mbi bujqësinë gjatë lashtësisë dhe mesjetës e deri në ditët tona, fryt i dijeve dhe kontaktit me terrenin, një shkrim mjaft interesant dhe me vlera dhe sot. Një studim historik i mbështetur në gjeologjinë dhe gjeografinë e vendit, burimet historike dhe studiuesit e mëvonshëm, sigurisht dhe kërkimet e vetë autorit.

Kur del nga shtypi një libër i një autori që nuk e njohin, lexuesi i zakonshëm pyet për të. Këtë pyetje do ta bënin dhe në këtë rast. Por po ta dinin personalitetin e tij dhe kontributin poliedrik  në kulturën shqiptare, sigurisht që do të përuleshin për mundin dhe këmbënguljen e tij në evidentimin e mbrojtjen e trashëgimisë sonë kombëtare, për nivelin e shkrimeve të tij në disa fusha.  Në mbyllje të këtyre fjalëve do të shprehesha se botime të tilla përveç vlerave që renditem më lart janë edhe kontribut për historinë e Shqipërisë, janë dëshmi autentike, origjinale që sjellin me vërtetësi kohën dhe njerëzit dhe për këtë duhen lexuar.

 

Aleksandër Meksi

Tiranë 7 Nëntor 2008