Punimi monografik i prof. dr Anastas Angjelit

Punimi monografik i prof. dr Anastas Angjelit

Punimi monografik  i  prof. dr Anastas Angjelit “Tranzicioni dhe Liria Ekonomike në Shqipëri” është një studim i shkruar me realizëm dhe profesionalizëm. mbështetur në përvojën dhe kontributin e  vet personal, por sidomos në ecurinë e tranzicionit ekonomik shqiptar, të reformave të kryera për vendosjen dhe konsolidimin e ekonomisë së tregut dhe të lirisë ekonomike  në vend, zhvillimet, progresin, vështirësitë  dhe dështimet, sjell përpara lexuesve të gjerë, brenda dhe jashtë vendit (jo vetëm për ata me formim ekonomik), botimin e dytë (në gjuhën angleze) të librit të tij “Tranzicioni dhe Liria Ekonomike në Shqipëri”.

Vlerat utilitare, shkencore, pse jo dhe historike e didaktike të këtij botimi, shtohen jo thjesht për shkak të trajtimit kronologjik-historik të problematikës së tranzicionit ekonomik, por  për analizën konkrete, përgjithësuese e shkencore të zhvillimeve ekonomike e financiare të Shqipërisë në 17 vite tranzicion, të  transformimeve shumëdimensionale  dhe ndryshimeve rrënjësore që ato sollën.

Ky botim, përmes analizës së proceseve që janë zhvilluar në ekonominë shqiptare, përpunimit të një aparati të gjerë treguesish dhe të dhënash shumëvjeçare ekonomike e financiare, krahasimeve me ekonomitë e vendeve të tjera të rajonit dhe të Evropës lindore, përshkruan fazat dhe momentet kryesore të tranzicionit jo të lehtë ekonomik e social, në Shqipëri pas gati një gjysmëshekulli diktature komuniste, më e egra nga gjithë vendet e lindjes. . Transformimet e marrëdhënieve të pronësisë, kryerja e reformave strukturore të privatizimit të ekonomisë dhe zhvillimit të sektorit privat, liberalizimi i çmimeve dhe i tregtisë, ngritja dhe funksionimi i sistemit financiar (bankar dhe jo bankar), ajo e sistemit tatimor dhe zbatimi i politikave fiskale, zhvillimi i sistemit dhe politikave monetare, janë trajtuar në monografi në funksion dhe të ndërthurura me problemet e zhvillimit të lirisë ekonomike në Shqipëri.

Trajtimi për herë të parë dhe me kompetencë i çështjeve që lidhen me kuptimin, matjen dhe analizën e faktorëve që kanë ndikuar në zhvillimin e lirisë ekonomike në Shqipëri, e bëjnë këtë botim më të vyer jo vetëm për pasqyrimin teorik të  çështjeve të lirisë ekonomike, por edhe për konkretizimin praktik të këtij fenomeni, bazuar në gjykime dhe vlerësime sasiore (përmes treguesve, kritereve  dhe vlerësimeve), gjatë tranzicionit ekonomik shqiptar.

Profesor Angjeli, me këtë botim, paraqitet  si një njohës shume i mire i realitetit të tranzicionit ekonomik shqiptar dhe zhvillimit të lirisë ekonomike dhe krahas kontributit të tij konkret që ka dhënë përmes ushtrimit të detyrave dhe funksioneve të ndryshme në këtë, fushë, ai e shton me tej këtë kontribut me librin “Tranzicioni dhe Liria Ekonomike ne Shqipëri”, krahas një sërë botimesh të tjera në fushën ekonomike financiare, të publikuara gjatë viteve të tranzicionit.

Aleksandër Meksi

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë (1992-1997)