Referat mbi Monografinë Monumente historike të kultit të krishterë në Dioqezën e Lezhës të Gëzim Hoxha, Luan Përzhita dhe Flavio Cavallini

Referat mbi Monografinë Monumente historike të kultit të krishterë në Dioqezën e Lezhës të Gëzim Hoxha, Luan Përzhita dhe Flavio Cavallini

Për historinë e Mesjetës Shqiptare një burim me rëndësi dhe me vlera janë dhe monumentet e kultit të krishterë, të cilat, për shtrirjen kohore dhe në territor, dëshmojnë në shumë aspekte zhvillimin historik, kulturor dhe artistik të vendit,  nivelin e tij, dëshmi këto të pazëvendësueshme kur mungojnë  burimet dhe dokumentacioni historik. Në këtë këndvështrim gjurmimi dhe studimi i tyre përbën një kontribut me vlerë.

Monografia Monumente historike të kultit të krishterë në Dioqezën e Lezhës paraqet rezultatet e studimit  të  kishave mesjetare në Dioqezën e sotme të Lezhës dhe përbën një kontribut më shumë vlerë për të njohur trashëgiminë tonë kulturore, por edhe historinë e kishës në këtë trevë përgjatë shekujve

Është meritë e autorëve të këtij vëllimi Gëzim Hoxha, Luan Përzhita dhe Flavio Cavallini , që hulumtuan në terren, në hapësirën ku shtrihet sot Dioqeza e Lezhës, çdo gjurmë që ende ruhej ndërtesash kulti të krishterë, për të cilat kishte të dhëna  në literaturën shkencore, apo dhe në burimet historike të shekujve të kaluar. Në themel të kësaj pune është sprova e trajtuar në kreun hyrës të vëllimit për paraqitjen e gjendjes kishtare dhe përhapjes së krishterimit në Dioqezën e Lezhës. Kjo mundëson një kuptim më të mirë të dukurive arkitektonike dhe të ndikimit të ndodhive historike gjatë shekujve në këtë gjini ndërtimesh. Studimi, i hollësishëm dhe i mbështetur në dokumentacionin e sigurt historik, është njëkohësisht dhe një kontribut për historinë e krahinës.

Me interes studimor është ndarja në katër pjesë të veçanta të monumenteve, domethënë periodizimi i këtyre ndërtimeve në aspektin kohor: kishat paleokristiane të shek.V-VI, kisha të shekujve VII-XI, kisha të shekujve XII-XV, kisha të shekujve XVI-XVIII, që na duket i drejtë dhe i mbështetur në historinë e vendit dhe trevës. Ky periodizim  ka lehtësuar parashtrimin dhe analizën ndërtimore të kishave të veçanta (ndërtimi planimetrik e vëllimor, fazat e ndërtimit, teknika e ndërtimit), grupimin e tyre dhe vendosjen në kohë.

Çdonjëri nga monumentet e trajtuara në monografi paraqitet me planimetrinë e realizuar prej autorëve ose e kontrolluar prej tyre, shoqërohet me fotografitë e nevojshme për dokumentimin shkencor të monumentit, si dhe me përshkrimin e hollësishëm të ndërtesës apo mbetjeve saj (arkitektura dhe teknika e ndërtimit), duke u  krahasuar  me monumente të ngjashme dhe përfundon me datimin. Të gjithë këta elemente janë kryer në nivel të kënaqshëm shkencor.

Mendojmë se klasifikimi apo ndarja sipas tipologjisë arkitekturore që kanë bërë autorët është i drejtë. Kështu, ata dallojnë ndërtimet bazilikale, që shfaqen në periudhën e parë  dhe që vijojnë deri në mesjetën e mesme; kishat njënefshe me absidë dhe portik karakteristike për shek. XIII-XIV; kishat njënefshe me absidë dhe pa portik, që janë më të përdorurat në numër dhe në kohë; kishat njënefshe  pa absidë si dhe kapelat mortore, duke dhënë për secilin tip, që ata shohin në këtë trevë, karakteristikat ndërtimore dhe vlerat arkitekturore.

Siç mund të kuptohet me lehtësi nga studimi i monografisë,  një pjesë e konsiderueshme e monumenteve që paraqiten dhe shqyrtohen në këtë monografi nuk kanë qenë të njohura nga specialistët dhe publiku i interesuar dhe këtu, veç sa me sipër, qëndron dhe vlera e këtij botimi. Me tej, përqasja e tyre me të dhënat që kemi në burimet historike ( Relacionet e të dërguarve të Vatikanit dhe ato të prelatëve vendas), na le të kuptojmë numrin e ndërtimeve të kultit që funksiononin në këtë dioqezë në shekujt e parë të pas pushtimit osman. Do të ishte më me interes për këtë, çka mund  të bëhet në studimet e mëvonshme analiza e toponimisë e sidomos e mikrotoponimisë, e cila ruan emra të shumta vendesh si; “kisha” apo emra shenjtorësh, si  dhe emra të deformuara në kohë të këtyre dy grupimeve. Kjo do të ishte e dobishme si për studiuesit dhe historinë e dioqezës, ashtu dhe për të orientuar kërkimet e ardhshme arkeologjike. Sidoqoftë, si një shtojcë e punimit, në ndihmë të këtij synimi, autorët kanë dhënë listën e kishave të cilat janë përfshirë në këtë studim, një listë të kishave që njihen në dokumentacionin historik   (Relacioni i Benedikt Orsinit i vitit 1629), por që jo për të gjitha ata  mundën të gjejnë gjurmë materiale në terren për ti identifikuar, çka mbetet detyrë për studimet e ardhshme, si dhe një listë me përhapjen e emrave të shenjtorëve titullarë të kishave në Dioqezën e Lezhës.

Vëllimi ka si një pjesë të veçantë të tij dhe një kapitull  mjaft interesant që shquhet për nivelin shkencor dhe dokumentacionin fotografik shoqërues, shkruar nga Flavio Cavallini; për përqasjen paralele të programeve ikonografike të tri kishave të vjetra dhe shumë të rëndësishme të kësaj ane:  Shën Barbara e Pllanës, Të Shëlbuemit e  Rubikut dhe Shën Prende  e  Balldrenit,   një studim me vlerë të padiskutueshme për analizën e ikonografisë të pikturës murale të këtyre kishave edhe pse ruhet e fragmentuar, të cilat janë ndër pikturat e pakta të mbetura në Shqipërinë e Veriut, por mjaft të debatuara në shtypin shkencor për vetë rëndësinë e tyre. Autori duhet përgëzuar për analizën e për vlerësimin e tyre artistik e historik si dhe për vendosjen e drejtë në kohë.

Rezultatet e kësaj pune jo të vogël në terren dhe studimi e analiza e monumenteve,  krahas kërkimeve në burimet dhe dokumentacionin historik, paraqiten përmbledhasi e me nivel shkencor në Përmbylljen, ku veçohen, krahas periodizimit arkitekturor,  dhe periudhat me lulëzim ndërtimesh si ajo e antikitetit të vonë dhe  kishat e shekujve 12-15 gjithnjë në rritje si numër dhe nivel. Në këtë pjesë kemi dhe  analizën tipologjike sipas formave tradicionale të arkitekturës të kishave mesjetare në Shqipërinë katolike. Me  interes është evidentimi i 13 kishave të reja të periudhës të pas pushtimit osman edhe pse në zona të thella e malore. Po aq e rëndësishme është dhe analiza e emrave të shenjtorëve pajtorë të kishave, një ndër  sprovat e para në këtë aspekt studimor,  e cila na tregon për prirjet vendase në drejtim të përcaktimit të pajtorëve të kishave.

Monografia shkencore me temë studimin e kishave të  Dioqezës së sotme të Lezhës, është e suksesshme , dhe jo vetëm kaq, ajo ka dhe vlerën e metodës dhe prandaj  një punë e tillë kërkimore e organizuar dhe po kaq serioze duhet të vazhdojë më tej, me kërkime në gjitha drejtimet, në gjurmë eventuale në terren, ashtu dhe në dokumentacionin dhe burimet historike, si dhe në toponimi e sidomos mikrotoponimi, në të cilën ka shumë gjasa të ruhen në emërtimet e vendeve të dikurshme të kultit. Prandaj kjo monografi ka për të qenë një model e një synim për të gjithë ata që duan të angazhohen në kërkime të këtij lloji. Madje, duke gjykuar nga rezultatet e mira të këtij fillimi mendoj se mbështetësit dhe sponsorizuesit ashtu dhe strukturat e ngarkuara me këto detyra duhet të inkurajojnë dhe mundësojnë si autorët e librit ashtu dhe të tjerë, për ta vazhduar edhe në dioqezat e tjera, për të pasur përfundime më me vlerë në rrafshim kombëtar të kishës shqiptare gjatë shekujve.

 

Aleksandër Meksi

Tiranë 18 Dhjetor 2008

Mbajtur në Konferencën-Vepra themelore në Albanologji– 18-20 Dhjetor 2008