Referat për Monografinë e Shaban Sinanit “Beratinus”

Referat për Monografinë e Shaban Sinanit “Beratinus”

Në tërësinë e dëshmive të trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve një vend me rëndësi zënë dhe Kodikët  e krishterë, të cilët, për nga numri , koha e shkrimit, vlerat dhe faktin e ruajtjes së tyre nga besimtarët mund të bëjnë çdo popull të krenohet.

Pikërisht ky evidentim  dhe vlerësim i gjithanshëm i kësaj pasurie është dhe përmbajtja e  monografisë së Shaban Sinanit, e cila është e para sprovë shkencore të paraqitjes,      analizës dhe vlerësimit të përbashkët të veprave të kësaj gjinie që janë ruajtur deri sot. Monografia pasuron dijet tona për vlerat e trashëgimisë kulturore  krishtere të hershme dhe për periudhën e gjatë e të vështirë që vijon. Monografia e analizon në mënyrë të gjithanshme këtë pasuri pak të njohur, madje dhe për studiuesit e interesuar për shkak të kufizimeve  politike që dihen.

Monografia e Shaban Sinanit Beratinus, botim i shtëpisë botuese “Argeta-LMG” më 2004 përbëhet nga dy pjesë të dallueshme qartë edhe pse të pa ndara. Pjesa themelore, studimi i mirëfilltë dhe pjesa me shtojca dhe indekset shpjeguese, që plotësojnë studimin dhe ndihmojnë  e  lehtësojnë kuptimin. Mbas paraqitjes me skeda të plota, të krahasuara  dhe shteruese të kodikëve që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, autori, duke u mbështetur në mendimin mbizotërues të kësaj disipline, parashtrohen dy sprova të goditura e shkencore për periudhizim (vendosje në kohë) dhe klasifikimin e tyre sipas disa kritereve më të përdorshme në këtë disiplinë, me lista të plota të kodikëve tanë në këto klasifikime. Pa dyshim mendoj se janë sprova të arritura shkencore dhe me shumë vlerë.

Pas kësaj vijohet me paraqitjen e Kodit të purpurtë të Beratit, të cilit i kushtohen tre kapituj të veçantë, që shqyrtohen përmes analizave ,krahasimeve dhe kontributeve të studiuesve të tjerë, vlerat, historinë  dhe vendin e tij në kulturën botërore. Më tej vijohet me paraqitjen e kodikëve të Vlorës, një kodiku të Korçës dhe miniaturave të kodikëve tanë. Nuk mund të lemë pa përmendur këtu atë që e quajtëm pjesa e dytë e Monografisë ku përfshihen disa dokumente që lidhen me historinë e trazuar të Beratinus, Fjalorthi shpjegues i termave që përdoren në këtë punim; si dhe treguesit mjaftë të plotë të emrave biblikë dhe historikë, emrave të vendeve dhe institucioneve që hasen gjatë monografisë, si dhe shkurtimet e përdorura që lehtësojnë e ndihmojnë. Shtojmë këtu dhe ilustrimet që duhet të pranojmë se janë të pakta.

Autori ka shfrytëzuar me modesti dhe saktësi gjithë kontributin e paraardhësve të tij në studimin dhe katalogimit e kësaj pasurie duke u mbështetur sipas rastit tek ta si;  Aleksudhi, Batiffol, Ilo Mitkë Qafëzezi, Popa, Koder e Trapp,  Gregory e Alland. Mullen. Naço, Hetzer e të tjerë.

Monografia bën një paraqitje të plotë të pasurisë në këtë lëmë duke mos u ndalur në njohjen e  tyre të derisotme, por duke trajtuar tërësisht kodet e ruajtura në Shqipëri. Autori paraqet një sprovë të pranueshme për vendosjen në kohë (kronologjia) dhe periodizimi i tyre si dhe, krahas, kësaj sprovë për klasifikimin e tyre. Autori nga shqyrtimi i vëmendshëm i Kodikëve pas sistematizimit të tyre dhe vendosjes në radhë kohore dallon  katër periudha: periudhën e krishterimit të hershëm deri në njësimin e teksteve (fundi i shek të VI-të); atë nga kanonizimi i letërsisë ungjillore deri në ndarjen e kishave (viti 1054);  nga kjo deri në pushtimin osman, dhe, së fundi, periudhën e sundimit osman deri në fund të shek. XIX-të.

Nëpërmjet studimit dhe analizave të paraqitjeve të derisotme të fondit të Kodikëve që ruhen në AQSH. (100 Kodikë+17 Fragmente), autori bën një sprovë të suksesshme të katalogimit të të tyre. Sistematizimi i cilësimit të kodikëve që autor të ndryshëm i kanë njehsuar apo cilësuar ndryshe,  do të lehtësoj në të ardhme studimin e tyre, dhe  do të shmangi çdo konfondim. Në vijim të paraqitjes së dhe studimit të përbashkët të Kodikëve tanë, Autori me “Sprovë për një klasifikim..” shqyrton të përbashkëtat dhe të veçantat sipas klasifikimeve tradicionale, duke marr parasysh kriterin paleografik dhe atë tipologjik; kriterin sipas prejardhjes; kriterin sipas gjuhë së shkruar apo kombinimit të tyre. Autori në këtë monografi ka përzgjedhur për klasifikim atë të tipologjisë së përmbajtjes duke dalluar letërsinë biblike, letërsinë ungjillore, letërsinë  agjiografike, letërsi shërbese, rregullore, shkrime letrare dhe shkencore, kishtare dhe arte të zbatuara. Ndërkohë, ai bën dhe klasifikimet më të përdorshme sot  nga shkencëtarë të ndryshëm me zë.

Me të drejtë Shaban Sinani  vëren e vlerëson dukurinë e ruajtjes dhe kopjimit të shkrimeve të shenjta dhe kodikëve të tjerë gjatë gjithë shekujve të krishterimit shqiptar çka përbën një traditë në  kulturën e vendit. Këtu do të shtonim se prania  në vendin tonë e kodikëve shumë të hershëm nuk mund të shpjegohet si gjetkë me prurje nga vende të pushtuara apo në qendra më të  mëdha e më të sigurta kishtare.

Një vend të rëndësishëm, madje do të thoshnja qendror, në shtjellimin e Monografisë,  zë Kodi i purpurt i Beratit i cili, për shumëkënd, nga një sërë rrethanash ka bërë që të simbolizoj tërësinë e kësaj pasurie. Autori vendos këtë vepër në një kuadër të qartë të vlerave dhe historisë së Beratit gjatë gjithë mesjetës. Ai pasi paraqet historinë e tij, analizon karakteristikat, vlerat dhe veçantitë, në një kuadër më të gjerë, por edhe duke pas parasysh vlerësimet e studiuesve të shumtë të huaj. Po kështu, ai shprehet për vendin ku është shkruar, duke mos përjashtuar arealin ilir, vendosjen në kohë- fundin e shekullit të VI-të, autorët eventual dhe traditën vendase. Në këtë mënyrë, ky thesar i kulturës sonë merr vendin që i takon, në tërësinë e kodikëve që ruhen sot në botë, jo i vetëm si një rastësi, por si pjesë e një pasurie shumë të madhe të ruajtur në Shqipëri, dëshmi e traditës dhe e vlerësimit për to. Analiza dhe përfundimet e autorit tregojnë nivelin e Monografisë dhe do të shërbejnë për studimet të mëtejshme.

Një vëmendje e posaçme i kushtohet në Monografi dhe kodikëve të mesjetës së mesme që janë me prejardhje nga Vlora , një qendër e rëndësishme kishtare e kohës. Ata janë 4 kodikë, që i takojnë periudhës së parë të shkrimeve biblike d.m.th asaj nga paleokrishtërimi deri tek ndarja e kishave, por në fondet e ruajtura mund të jenë dhe të tjerë. Ata kanë miniatura dhe zbukurime deri dhe pamje arkitekturore që dallohen për vlerësimin dhe vendin që i japin vetë shkrimit. Paraqitja dhe studimi i tyre nga këndvështrimi i historisë në përgjithësi dhe historisë së arteve  në veçanti bëhet për herë të parë në këtë gjerësi dhe nivel, duke e njohur publikun me vlera shumë të rëndësishme.

Një vëmendje e veçantë ju kushtohet dhe miniaturave, Nga afro 300 dorëshkrime kishtare që gjenden në Shqipëri,mbasi njihesh me to, të krijohet bindja se artet e zbatuara në to janë më pak të njohurat dhe të studiuarat. Me të drejt autori vëren se dhe studimi i Popës, i pari dhe i vetmi, ende nuk ka parë dritën e botimit të mirëfilltë shkencor. Këto kodikë krahas vetë shkrimit përbëjnë një vlerë të rëndësishme si dëshmi arti krahas  dëshmisë historike. Ato shfaqen, edhe pse në forma të thjeshta, pas vitit 843.  Shembulli i parë tek ne është Kodiku i purpurtë i Anthimit- Berati 2, i shekullit të IX-të, dhe studimi i tyre duhet bërë  krahas zhvillimit të shfaqjeve të tjera të artit mesjetar në Shqipëri, sepse rruga e tyre është paralele me atë të ikonografisë.

Duhet të shënojmë gjithashtu përpjekjen e suksesshme të autorit për të evidentuar lidhjet me artin e krishterë vendas dhe traditën e tij si dhe lidhjet me simbolikën e krishterë dhe shpjegimin e disa dukurive.  Monografia është një bazë për studimet e ardhshme në këtë fushë shumë të rëndësishme, Por dhe në këtë rast mbetet pritja për një botim të plotë shqiptar dhe me ilustrime  dinjitoze. Ne bashkohemi më propozimet e autorit kur thotë se çfarë duhet bërë në të ardhme për ta njohur si bota shkencore ashtu dhe të tjerë të interesuar më mirë dhe plotësisht këtë thesar që kjo monografi na i bënë më së miri të njohur.

Së fundi duhet të nënvizojmë se kjo monografi është mirëpritur nga qarqet shkencore ndërkombëtare nga studiues të ndryshëm të shkrimeve biblike-ungjillore, paleografëve, bizantologëve, historianëve të krishterimit, si recensuar pozitivisht. Si rezultat i këtij vlerësimi për monografinë dhe për kodikët tanë dy Kodikët  e purpurtë të Beratit janë regjistruar si pjesë të programit ”Memoire du Mond” të Unesco-s në vitin 2005.

Aleksandër Meksi

Tiranë 15.12.2008

Mbajtur në Konferencën –Vepra themelore në Albanologji-18-20 Dhjetor 2008