Shënime për “rebelimin” e Haxhi Qamilit

Shënime për “rebelimin” e Haxhi Qamilit

Botimi post-mortem i shkrimit të Qamil Çeliramës (Çela) mbi karakterin antikombëtar të lëvizjes së Haxhi Qamilit që u ngrit në Hero kombëtar, ka vlera dhe rëndësi të veçantë. Sajimi nga Enver Hoxha i një kryengritje anti feudale dhe “shkrimi” i historisë së saj është një shembull i veçantë i triumfit të përkohshëm të të pavërtetave në kohë të diktaturës. Fenomeni sigurisht duhet të studiohet nga historia e historiografisë, si shembull real dhe i plotë i shtrembërimit të historisë, por dhe të shërbejë si një mësim për ata që ofrohen për shërbime të tilla.

Ka ardhur koha që historia të shkruhet mbi dokumente, pa hulumtimin, grumbullimin dhe botimin e të cilave historia që shkruhet, nuk mund të jetë e besueshme. E më tej, si mund t’i besohet kësaj historiografie komuniste kur sajon për gjëra që kanë ndodhur dhjetëra vjet më parë, kur janë ende gjallë protagonistët.

Në vitet 50 të shekullit të XX kur sajohej kjo histori, ishte ngritur një komision për hartimin e vëllimit të parë të Historisë së Shqipërisë dhe unë, djalë fare i ri në atë kohë, ndiqja punimet e tyre, meqenëse dhe im atë ishte në atë komision (por jo në grupin e shkrimit përfundimtar të librit, se erdhën kuadrot e reja nga B.S.). Kështu, mbaj mend biseda dhe diskutime që bëheshin në atë kohë për çështjen e Haxhi Qamilit. Grupi i historianëve të vjetër (borgjezë, siç i quanin profesorët komunistë) këmbëngulnin mbi bazë dokumentesh dhe dëshmi të njerëzve të asaj kohe se e vërteta ishte ndryshe. Mbaj mend se u goditën në atë kohë Skënder Luarasi, Osman Myderizi dhe të tjerë për qëndrimin e tyre “kokëfortë” kundër karakterit “kombëtar” të rebelimit të Haxhi Qamilit. Mbaj mend gjithashtu se këta studiues shkuan në Krujë për të takuar një plak që kishte pas qenë zgjedhur në vitin 14, kur qe 16-17 vjeç, për t’u paraqitur nga H. Qamili si djalë i Sulltanit përpara kryengritësve (apo rebelëve). Meqenëse ai ishte pak i zeshkët në fytyrë, e kishin futur në një bodrum apo dhomë të errët që të zbardhej dhe e ushqenin me mish gjel deti e pilaf. Por rebelimi u shtyp dhe kjo gjë nuk u bë, veçse shqiptarët e këtyre zonave nuk mund të harronin bëmat e rebelëve, parullat antikombëtare të tyre, patriotët e rrahur në publik, e burgosur e të tjera. Nga kjo kohë mbetën fjalët “dum babën” si parullë e “dumbabizëm“ si personifikim një lëvizjeje regresive dhe antikombëtare.

Jam i sigurt që të tjerët dinë më shumë e me fakte e dokumente për këtë episod të historisë shqiptare, si një nga tentativat e atyre viteve për të mos bërë shtetin e shqiptarëve që duket se përbën kënaqësi të veçantë për shumë prej njerëzve të racës sonë. Kjo histori duhet shkruar edhe për të vënë në vend të vërtetën, por edhe për të na dhënë mësimin e madh se gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra dhe e vërteta del gjithnjë në dritë.

Aleksandër Meksi
www.aleksandermeksi.al

Tiranë, më 09.01.2001
Botuar në gazetën “Gazeta Shqiptare” më 11 Shkurt 2001