Shqiponja e Gëziqit më e vjetra stemë ndër shqiptarët

Shqiponja e Gëziqit më e vjetra stemë ndër shqiptarët

Fragmentet skulpturore të zbuluara së pari nga Theodor Ippen në vitin1901 dhe që u ruajtën në një qelë të kishës së Gëziqit, ridolën në dritë në vitin 1967 gjatë fushatës komuniste për prishjen e kishave dhe xhamive dhe u studiuan dhe  u publikuan nga Dhimitër Shuteriqi (Studime Historike 3,1967).

Ato fragmente, së bashku me  dy të tjera që u zbuluan më vonën nga Mark Tirtja, u studiuan në shumë aspekte nga Injac Zamputi,  pas rindërtimit të Koço Zhekut, që krijoi një bashkësi me to, e cila mundësoi leximin e mbishkrimit. Zamputi u përpoq të plotësoj zbrazëtitë e mbishkrimit dhe të interpretimit historik të tij.

Sipas Zamputit leximi është si më poshtë:

  1. parë: I shkëlqyeshmi Legati Tribun Antoni i të Përndriturit Gjergj me shpenzimet private të lëna me kusht e ndërtoi të poshtë shënuarin Tempull të çliruar nga detyrimet e të paprekshëm të Pajtores Shnapremte të Ndërfandës në Mysjen e Epër (dhe ) me gjithë qejf ja blatoi Kombit te denjë
  2. dytë: Atyre që gëzojnë beneficet e atij dhe sipas testamentit të Dhimitrit ua dorëzoi Gjykatësve të cilëve iu shtoftë nderi ashtu dhe (legati) ia blaton Nipit sepse kështu (Dhimitri) ia premton  me testament dmth vasalit Progon Protosevast
  3. tretë: Pasi mblodhi kolektivin e kësaj bazilike të Zotit (Legati) e gjykoi se është nevoja të bëheshin të gjitha gjërat kujtoje o zot shërbëtorin tendë dmth Abatin  

Studimet mbi principatën e Arbërit, peshkopatën Arbanense dhe marrëdhëniet e tyre me botën kanë treguar se personazhet  e përmendura në mbishkrim  njihen historikisht nga dokumente të tjera historike. Kështu Gjergj është sundimtari i Gentës në fillim të shek XIII, ashtu si dhe Dhimitri i Arbërit (1208-1215) përmendet në vitin 1209 në një letër të papës Inocent i III (1199-1211) si iudicem albanorum (arhond). Njihet gjithashtu vëllai i tij Gjini (1199-1207)  e që të dy janë djemtë e Progonit që sundoi ndër vitet 1190-1199, ndërsa pas tyre vitet 1216-? sundon Progoni i dytë djali i Dhimitrit. Më vonë 1281 njohim një stërnip të tyre Gjinin, Dukë –ducem Ginum Tanuschum Albanensem, ai që me mjaft gjasë i dha  emrin dinastisë së tyre Ducagjin-Dukagjin emër që e mori dhe territori ku familja sundoi në shekuj prej aty e u shti jo vetëm në Mirditën e sotme por dhe në malësinë e Pultit dhe deri në  rrafshin e Dukagjinit në Kosovë, duke ju dhënë krahinave emrin.

Nuk po ndalemi në aspektet historike që studiuesit e këtyre fakteve i kanë  kthjelluar me kohë, por do ndalemi për të paraqitur në këtë shkrim reliefin e gjetur në Gëziq që është stema më e vjetër  që takohet  ndër shqiptarët dhe që bëhet dhe stema e njohur e Dukagjinasve, vazhdues të sundimtarëve të parë të Arbërit. Stema me përmasa lartësia 41 cm. Dhe gjerësia 27 cm. paraqet një shqiponjë njëkrerëshe me krahët lartë, të gdhendur në një nivel të mirë artistik që sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar.

Aleksandër Meksi

Tiranë më 23 janar 2014

Botuar në “Mirdita” nr. 4 janar 2014